Albspirit

Media/News/Publishing

Letër dy kandidatëve për president të Francës të cilët e përdorin Kosovën si shembull në rastin e Krimesë

Nezir Kraki

(Dërguar kandidatëve dhe postuar ne Facebook në 18 prill 2017)

 

Zgjedhjet presidenciale në Francë mund të kenë rezultat shumë të disfavorshëm për Evropën dhe Kosovën. Në debatet zgjedhore, disa nga kandidatët për president kanë javë që e kundërshtojnë si intervenimin e Nato-s ashtu edhe pavarësinë e Kosovës, në tentim për ta arsyetuar aneksimin e Krimesë nga Rusia, duke qenë se të njejtit kandidatë janë haptazi pro-Putin ose pro-Rusi. Prej ditësh, me mundësitë dhe njohjet e mia, mundohem që pranë votuesve të këtyre kandidatëve dhe pranë studentëve ta sqaroj sa më thjesht këtë pikë.

Letren që e lexoni këtu-poshtë, e kam dërguar dje në shtabet zgjedhore të dy kandidatëve në fjalë: Jean-Luc Mélenchon i cili për këshilltar në çështjet e jashtme e ka një serb rusofil dhe, François Fillon i cili nga viti 2012 punon si konsulent i jashtëm për dhe me firma ruse në lidhje me Putinin.

Të njejtën letër e postova edhe në profilet e tyre zyrtare në Facebook me shpresën që qarkullimi i një sqarimi të tillë, në frengjisht, mund ta parandalojë dezinformimin në raport me Kosovën kur e dimë se opinioni këtu nuk i njeh në detaje hallet tona, as historike as aktuale.

p.s. letra ishte e njejtë për të dy kandidatët, me dy-tre përshtatje individuale.

***

I dashur zoti Mélenchon,

Ju shpesh thoni se « gjërat në gjeopolitikë nuk janë të thjeshta ». Keni të drejtë.

Më lejoni atëherë ta tërheq vëmendjen tuaj mbi një pikë që ka të bëjë me mua personalisht dhe me 2 milionë persona tjerë : krahasimi që prej javesh ju e bëni në mes Kosovës dhe Krimesë.

Zoti Mélenchon, me gjithë respektin që kam për ju, ky krahasim nuk është i saktë dhe më vije shumë keq sepse ju jeni dashamirë i historisë dhe mund t’ju kujtohen ato që ndodhën në Jugosllavi nga 1991 deri ne 1998. Ja një rezyme e shkurtër :

Millosheviçi, sapo mori pushtetin në vitin 1989, filloi me suprimimin e statusit autonom që Kosova e gëzonte në Jugosllavi. Më shumë se 90% e popullsisë së Kosovës ishte shqiptare në atë kohë. Pasoja : 2 milionë njerëz u gjenden papritmas « pa Shtet » dhe pa institucione. Shkollat, Universiteti, spitalet u mbyllen për Shqiptarët e Kosovës. Vet unë e kam kryer një pjesë të shkollimit në shtëpi private, në klandestinitet gjatë 10 viteve. Po ju lë t’i imagjinoni orët tona të matematikës dhe biologjisë në dhoma, pa karrige dhe pa banka, me nga 50 nxënës të ulur këmbëkryq. Nuk e kishim asnjë të drejtë Zotëri.

Ndërkohë, ndodhën luftërat në Kroaci dhe Bosnje, ishte fillimi i prishjes së Jugosllavisë. Pastaj, lufta e Kosovës që ju bëni sikur e keni harruar, me mijëra të vrarë dhe 1 million refugjatë në vitin 1999, do ta mbyllte kapitullin e luftërave jugosllave. NATO u detyrua të intervenonte për t’i dhënë fund masakrave në Kosovë, pas dështimit të shumë përpjekjeve dialogu, kuptohet. Me 10 qershor 1999, OKB-ja e vendosi Kosovën nën protektorat ndërkombëtar me një prani civile dhe ushtarake në terren. Në vitin 2008, pavarësia e Kosovës nuk ra nga qielli. Ajo u imponua si zgjidhja më e drejtë dhe më e qendrueshme në sytë e botës demokratike, pas shumë vitesh shtypjeje, dhune, luftërash dhe bisedimesh.

Unë jam për të drejtën e vetvendosjes dhe populli i Krimesë duhet të ketë te drejtë ta zgjedhë fatin e vet por, dijeni zoti Mélenchon, që në gjeopolitikë gjërat s’janë gati asnjëherë të krahasueshme.

Respektueshëm,

Nezir Kraki, ish i shtypur, ish refugjat. Aktualisht ligjërues në shkenca politike në Paris.

 

Please follow and like us: