LSI, thirrje kryeprokurorit të nisë hetimet për djegien e kanabisit
LSI ka patur dijeni për gjithë procedurën e ndjekur nga Policia e Shtetit lidhur me asgjesimin nëpërmjet djegies të lendës narkotike të sekuestruar. Përfaqësues të rendësishëm të kësaj force politke, bashkëkoalicioniste me PS, kanë qenë të informuar rreth faktit antiligjore se sasitë e gjendura nëpër magazinat e Policisë digjeshin duke mos qenë prezent asnjë përfaqësues i Prokurorisë dhe i Gjykatës, siç edhe detyron ligji.
Pas denoncimit, nga kryeprokurori Adriatik Llalla, ditën e premte, është kryetari i grupit parlamentar, njëherësh dhe zv.kryetari LSI, Luan Rama, që e përsërit prezencën e faktit. Por Rama i bën thirrje Kryeprokurorit të caktoj një grup pune dhe të nis menjëherë hetimin për të zbardhur e shpenë para drejtësisë personat përgjegjës të kësaj praktike anti-ligjore, që ngre dyshime të arsyeshme rreth vijimësisë së trafikut nga vetë segmente të caktuara të policisë.
“Nuk më surprizon deklarata e Prokurorit të Përgjithshëm, pasi është një fakt të cilin unë jo vetëm e kam ditur më parë, por edhe e kam denoncuar shumë më parë në Kuvend si një veprim haptazi të kundërligjshëm të strukturave të Policisë së Shtetit, të cilat kanë bërë asgjësimin e lëndës narkotike të kapur pa praninë e prokurorit, pa praninë e përfaqësuesve të gjykatës. Dhe ç’është më e rëndësishmja, pa mbajtur procesverbal në tre kopje, siç është detyrimi ligjor për ç’do rast në vendin ku bëhet kapja e lëndës narkotike…”, ka artikuluar në ligjëratë të drejtë, nga ekrani i tv-ABC, Luan Rama. Që më pas ka arsyetuar se: “…Asgjësimi i lëndës narkotike pa praninë e prokurorit, të oficerit të policisë gjyqësore, pa praninë e përfaqësuesit të gjykatës siç e kërkon ligji, krijon mundësi për të hamendësuar se jo vetëm nuk është asgjësuar e gjithë lënda narkotike e kapur, por se ajo është ricikluar dhe mund të jetë magazinuar nëpër tunele dhe depo, siç ka ndodhur për fat të keq të provohet me veprimet më të fundit”.
Nisur nga kjo Rama i LSI-së e ka ftuar Prokurorin e Përgjithshëm të shfaqë të gjithë përgjegjësitë si titullar i organit të akuzës, të lërë mënjanë deklaratat dhe të ngrejë një grup të posaçëm pune për të filluar çështjen penale, për të hetuar dhe për të identifikuar përgjegjësinë e çdo individi që nuk ka zbatuar ligjin apo ç’është më e rënda që ka shkelur ligjin.