Albspirit

Media/News/Publishing

Asnjë shans për pengmarrësit e drejtësisë!

Edi Rama
Politika nuk është aspak një fuqi për të bërë keq, edhe pse jo pak të këqija i kanë ardhur njerëzimit apo vetë Shqipërisë sonë të vogël nga politika. 
Politika nuk ka lindur si një pjellë e së keqes tek njeriu, po si një nevojë e njeriut për të ndërtuar shoqëri rreth vetes. Përmes politikës njerëzit kanë bërë mrekullira; edhe vetë Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Europian, nuk do të kishin lindur po të mos ekzistonte politika. Shkurt, të panumërta janë vërtetë plagët që ka hapur politika, por të panumërta janë edhe arritjet e mëdha të shoqërisë njerëzorë falë politikës. 
Të merresh me politikë, nuk do të thotë, as të bësh medoemos gjëra të këqija, as të bëhesh medoemos një njeri i keq. Të merresh me politikë do të thotë që bashkë me të tjerët, të bësh të mundura gjera që i vetëm nuk i bën dot kurrë. Të luftosh për drejtësi në vendin tënd. Të luftosh për barazi mundësish. Të luftosh për edukim e arsimim për çdo njeri. Të luftosh për shërbim shëndetësor për çdo të sëmure. Të luftosh për rritjen e mirëqenies së njerëzve dhe për dinjitetin e njeriut në tërësi. 
Kështu e kuptoj dhe kështu e jetoj unë politikën. Si një fuqi për të bërë mirë duke shërbyer, jo si një mundësi për të bërë para duke rrëmbyer. Si një fuqi për ta bërë Shqipërinë shtet, duke luftuar për vendosjen e drejtësisë dhe rritjen e ekonomisë së vendit e të familjeve të zakonshme të këtij vendi. Si një fuqi për ta bërë këtë vend, tek i cili besuan rilindësit tanë, heronjtë tanë, njerëzit e luftës e të punës, dhe tek i cili besojnë fëmijët tanë. 
Dhe më besoni që politikanët nuk janë të gjithë njësoj askund! As në Shqipëri. Njoh njerëz që politikën e kuptojnë dhe e ushtrojnë njësoj si unë, me pasion, dashuri për vendin, besim tek njerëzit dhe besnikëri ndaj shtetit që duam të ndërtojmë. Por padyshim njoh edhe plot të tjerë që nuk janë të tillë. Kështu është kudo besoj. Jo vetëm në Shqipëri. 

Por në Shqipëri, për njëqind e një arsye, politika nuk bëri dot shtet në 25 vjet dhe ata që dështuan të bëjnë shtet, gjithnjë ia hedhin fajin tjetrit në publik, kundërshtarit. Por në të vërtetë mendojnë se fajin e ka populli. Mendojnë se ky popull nuk meriton të merret seriozisht. Nuk meriton të jetojë në një shtet serioz, normal, demokratik, europian. Nuk meriton të qeveriset me drejtësi, Kushtetutë, ligje dhe as meriton të trajtohet sipas nevojës apo meritës. 
Për njëqind e një arsye, në Shqipëri politika për 25 vjet prodhoi shumë më tepër keqqeverisje se sa mirëqeverisje; shume me tepër probleme, halle, konflikte për njerëzit e zakonshëm, sesa zgjidhje, zhvillim, mirëqenie; shumë më tepër përbuzje për popullin sesa respekt për te. Çadra e ngritur në bulevard është shëmbëlltyra më spektakolare e mënyrës më të mbrapshtë te te menduarit të politikës për njerëzit.
Ata që deshtuan ta bejnë Shqipërinë shtet; Ata që dështuan ta normalizojnë shoqërinë, duke mos imponuar dot ligjshmërinë në çdo sektor dhe duke mos u sjellë vetë në radhë të parë si njerëz të ligjit; Ata që dështuan ta demokratizojnë këtë vend, mbi ekuilibrin mes lirive e te drejtave dhe detyrimeve kushtetuese e ligjore të secilit; Ata që janë ngujuar sot në Çadër nga frika e Drejtësisë, nuk e kane aspak problem të prodhojnë probleme të reja për njerëzit dhe halle e konflikte të reja për vendin. Duan destabilizim, rrëmujë, tym, sepse e kuptojnë qe Çadra nuk i mbron dot edhe për shume kohë nga drejtësia.
Ata sot flasin për një Republike te Re, sepse nuk duan një drejtësi te re. Flasin për një qeveri teknike, sepse nuk  duan që populli të zgjedhë qeverinë që do. Flasin për bllokime rrugësh, sepse nuk duan qe rruga e Europë të hapet, duke pastruar të korruptuarit nga sistemi i drejtësisë. 

Ata sot e përbuzin aspiratën e popullit për të jetuar në një shtet me drejtësi, punë, mirëqenie. Sepse drejtësia që kërkojnë dhe meritojnë shqiptarët, mund t’i ndëshkojë ata vete, për pune të liga e mirëqenie te pajustifikuar nga puna. 
Ata e dine se populli pret të votoje në 18 qershor dhe nuk mund t’i votoje ata që e pengojnë Vetingun t’i hapë rrugë drejtësisë që kërkon populli. Prandaj edhe pikërisht pse nuk duan Vettingun e drejtësinë që ai sjell, nuk duan as që të dalin përpara gjykimit te popullit me vote. 

Kjo është politika e përbuzjes që nuk e ka lënë Shqipërinë të behet zonja që ëndërronin rilindasit. Shteti që ëndërronte Ismail Qemali dhe eterit e pavarësisë. Vendi që ëndërronin heronjtë e luftës. Atdheu i përbashkët që ëndërronin ata që punuan apo ata qe u persekutuan, për gjysme shekulli diktature. “Shqipëria si gjithë Europa” që ëndërronin studentet e dhjetorit ‘90. Kjo është politika e përbuzjes që partinë e lindur nga ëndrra për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, e ka katandisur sot në shëmbëlltyrën e makthit nga drejtësia, nga zgjedhjet, nga Shqipëria që duam – me shtet, pune, mirëqenie. 
Kjo është politika e përbuzjes, që ka shpërthyer në sharje, kërcënime e shpifje të padëgjuara qysh prej vitit ’97 për Amerikën, Europën, Gjermaninë e tërë miqtë e Shqipërisë me radhe! 
Fjalori më i ulet i rrugës është ngritur ne tribunën më të lartë politike të opozitës, në tribunën e Partisë Demokratike. E cila për fatkeqësinë e te gjithë atyre që e linden, e rriten, e besuan me vote,  është katandisur sot në një mishërim të përbuzjes ndaj vetë zgjedhësve te saj; ndaj çdo demokrati e demokrateje, njeriu te zakonshëm të këtij vendi, qe me shume se partinë do drejtësinë. Më shumë se Saliun, do shtetin e së drejtës, për vete e për familjen e vet. Më shumë se postin e Lulëzimit në krye te PD-së, do PD-në për të qenë zot në shtëpinë e tij të legalizuar, në tokën e tij te regjistruar, në atdheun e tij të çliruar nga kthetrat e gjykatësve e prokuroreve të korruptuar. Të cilët, Saliu e Lulëzimi, duan t’i mbajnë në punë, duke bllokuar rrugën e drejtësisë, rrugët e Shqipërisë, çdo rrugë që u sjell shqiptarëve më shumë punë e mirëqenie, nëse së bashku ne pushojmë nga puna armiqtë e këtij populli, qe sundojnë në Pallatin e Drejtësisë. 
U them sot te gjithëve ju, te gjithë shqiptareve pa dallim, po në radhe të parë te gjithë demokrateve të thjeshtë, te gjithë atyre qe janë shqiptarë kuqezi, përpara se sa te jene blu ne kahjen e tyre politike: Mos i jepni asnjë shans politikës që perbuz drejtësinë. Mos i jepni asnjë mbështetje politikaneve që kane frike nga drejtësia. Mos i jepni asnjë të drejtë të bllokojnë rrugën tone, kujtdo qe nuk e do Shqipërinë shtet, sepse nuk do drejtësi në Shqipëri. Nuk do barazi para ligjit ne Shqipëri, sepse nuk do te përgjigjet para drejtësisë si i barabarte me të tjerët. Nuk do zgjedhje ne Shqipëri, sepse nuk do ndëshkim me vote për bllokimin e rrugës së drejtësisë. 
Mos i jepni asnjë shans atyre qe janë të lidhur si mishi me thoin, me pengmarrësit e Pallatit te Drejtësisë. Kush është ende i papune, ka të drejtë të jetë i mërzitur, i pakënaqur, madje edhe i revoltuar me mua e me qeverinë tone, po nuk mund e nuk duhet të shkelë ligjin, duke bllokuar rrugën për të mbajtur në punë gjykatësit e prokurorët e korruptuar. Sepse sa me shume te rrinë ata në pune, aq me e vështire është të bëjmë drejtësinë që duam dhe te rrisim me tej ekonominë, punësimin, mirëqenien për të gjithë.
Kush është ende i varfër, ka të drejtë të  ketë gjithë inatin e botës me mua e me qeverinë tonë, po nuk mund të shkelë ligjin, duke bllokuar rrugën për t’i dale në krah atyre që janë gati, të na rindajnë për së gjalli me Europë, Amerikën, Gjermaninë, me tërë botën vetëm e vetëm që të mos lejojnë rilindjen e drejtësisë ne këtë vend. Sepse sa me shume miqtë e partneret tanë te goditen padrejtësisht prej tyre, aq me shume vështirësohet lufta jone kundër varfërisë e korrupsionit. 
Kush është shqiptar jo vetëm ne pasaporte, po edhe në zemër e në mendje, dhe me te drejtën e tij nuk e do këtë qeveri e nuk me do mua për kryeministër të Shqipërisë, duhet të refuzojë sidoqoftë, të bëhet mercenar i politikes se përbuzjes për Shqipërinë, duke bllokuar rrugët ku qarkullojnë njerëzit e këtij vendi, fëmijët, nxënësit, punonjësit, të sëmuret, sipërmarrësit, të mirat materiale qe furnizojnë përditë me gjak ekonominë tonë. 
Policia e shtetit nuk paguhet për te liruar rrugët nga qytetaret e manipuluar prej politikes se përbuzjes, po për të qene në krah të çdo qytetari; për te mbrojtur çdo njeri ne këtë vend nga keqberesit; per te garantuar rend e siguri per te gjithe.  Ata qe ftojnë njerëzit të bllokojnë rrugët, duan te na kthejnë ne te tatëpjetën e rrëmujave e te konflikteve, vetëm e vetëm sepse janë gati t’i vene përsëri flaken Shqipërisë, që të mos ndizet drita e drejtësisë në këtë vend! Qe te mos hapen kapakët e rëndë të zullumeve e të krimeve të pandëshkuara! Që të mos shpëtoje më në fund ky popull nga zgjedha e kulturës së pandeshkueshmerise së njerëzve të veshur me pushtet e të zhytur në para të zeza. 
Por njëkohësisht, Policia e Shtetit ka për detyre të dokumentojë çdo shkelje të ligjit dhe të çojë përpara drejtësisë këdo qe e shkel ligjin! A ia vlen te përfundosh në bankën e të akuzuarit, për te mbrojtur politikane e gjykatës të korruptuar? A ia vlen të akuzohesh si keqbërës i popullit e i vendit tënd, për t’i zënë rrugën e drejtësisë qe të duhet ty dhe familjes tënde, duke mbrojtur ata që s’duan te ketë drejtësi as për ty, sepse i friken si djalli temianit drejtësisë mbi ta? A ia vlen te paguash ti, njeriu i zakonshëm, për dëmin që ata duan t’i shkaktojnë Shqipërisë, vetëm e vetëm që mos përgjigjen para drejtësisë për demet që të kane shkaktuar edhe ty ne 25 vjet pa shtet, pa drejtësi, pa ndëshkim? 
Unë them jo! Megjithatë secili përgjigjet për vete dhe për secilin ligji thotë fjalën e tij. Ajo qe unë di me siguri është se politika e përbuzjes ndaj popullit, po përpëlitet ne Çadrën e Frikës nga Drejtësia, duke synuar destabilizimin qe nuk do ta arrije dot kurrë. Sepse Shqipëria qe duam, është një Shqipëri me shtet dhe kush ngre dorën kundër shtetit apo Policisë së Shtetit, nuk ka asnjë shans të fitojë mbi interesin e Shqipërisë e të popullit të saj. 
Drejtësia në Shqipëri ka vonuar shumë, po ja shikojeni nuk ka harruar dhe sot ajo është tek pragu i derës sonë. Te cilën do ta hapim, do apo s’do Partia Demokratike, në 18 qershor. Dhe s’ka Çadër e forcë mbi këtë toke, ta ndaloje drejtësinë të hyje në Shqipëri pas çerekshekulli bllokade kundër drejtësisë! ​
Please follow and like us: