Europa ime: Çfarë po bëjnë francezët me Europën?
Europa ndodhet në shtratin e operacionit, paralajmëron shkrimtarja kroate, Jagoda Marinic. Fitorja e kandidates, Marine Le Pen në Francë mund ta ndajë Europën mes për mes.
Të kujtojmë në këto ditë pranvere të mbuluara nga shiu krimbin e tokës. Ekziston kudo bindja se ai mund të rigjenerohet edhe pse ndahet në mes. Por nuk është kështu. Nëse i hiqet pjesa e pasme, krimbi i tokës mund ta rigjenerojë atë, ndërsa përpara ai mund të rigjenerojë vetëm katër segmente. Pika më e dobët është mesi i trupit të krimbit të tokës. Rigjenerimi këtu është më i vështirë. Pra nuk e ndan dot një krimb toke, e të thuash, se përfton dy të tillë të gjallëruar. Po të shfletosh librat e biologjisë, e kupton këtë.
Mund të pyesësh, se çfarë ka të bëjë kjo metaforë me Europën? Sa Europë mund të pritet nga Europa? Edhe sa kohë mund të pritet në shtratin e operacionit nga kjo Europë, mund të shpiken Europë të shpejtësisë më të lartë, më të ulët, e të sillemi sikur e kemi Europën ende para syve? Prej cilit segment është kjo Europë e parigjenerueshme më? Kjo fundjavë (23.04. zgjedhje presidenciale në Francë, shën. red) është vendimtare.
“Projekti i paqes” 70-vjeçar nuk u ka sjellë të gjithëve paqen
Marine Le Pen, maratonistja më e njohur e të djathtës europiane kërkon të ndajë në mes Europën si presidente e Francës. Frexit, largimi i Francës nga BE nuk është më një segment që rigjenerohet, por prerja në mes e Europës. Mund të zemërohesh si europiane, e të thuash si mund të më varet fati nga disa miliona francezë. Francezë, për të cilët ne nuk dimë asgjë, sepse nuk i njohim ata që vuajnë, ata nuk demonstrojnë, nuk udhëtojnë, nuk qëndrojnë në debatet televizive politike, nuk janë ata që hapin titujt e gazetave kryesore. Ne njohim vetëm rezultatet e sondazheve. Në një kohë që jemi një bashkësi të destinuar të kemi një fat.
Sigurisht në Europën liberale e dekadave të fundit nuk kanë përfituar të gjithë. Krahas kësaj është krijuar ndarja mes Veriut dhe Jugut të Europës, rinia jugore e ka humbur të ardhmen në statistikat e papunësia. Këto po i shkruaj në Istria. Përditë kaloj pranë një fabrike tekstili dhe dëgjoj histori se si një kohë në këtë fabrikë kishin gjetur punë 2000 vetë. Vende pune që tani gjenden diku në Kinë apo Indi. Gjenerata tjetër, fëmijët e punëtorëve të tekstilit kërkojnë punë në gastronomi. Më kujtohet një verë, kur nga politika dëgjoheshin zërat, se ky rajon i Europës në dekadat e ardhshme, do të lajë çarçafët e europianoveriorëve. Një deklaratë jo edhe aq premtuese për solidaritetin.
Më duket se njerëzit në Europë nuk i kanë kuptuar të përbashkëtat dhe me këtë edhe Europën. Europianët godasin elitat, por nuk e shohin fatin e përbashkët tek fqinjët. Europa – një projekt i madh i paqes. Këtë elita politike e thotë ende, vetëm sepse Europa nuk është gjithëbashkuar. Ka ende shumë për të bërë, për ta kuptuar kontinentin – ashtu siç është – kjo kuptohet më së voni tani, kur uniteti po lëkundet. Në Europë ka pasur luftëra, projekti i paqes, nuk u solli të gjithëve paqen. Jugosllavia mbeti jashtë tij, e aty pamë të provohet në format të vogël, atë që disa forca politike duan ta provojnë në format të madh. Në vend të thuhet një për të gjithë, duhet thënë: Ne për veten.
Pyes veten, nëse vullneti i popullit francez vërtet buron nga bindja se ai do t’i ketë punët më mirë, si „Grande Nation” i vogël në botë, apo një „Grande Nation” në një Europë të madhe – parë në planin global.
Ku është pushteti i të vegjëlve në kompleksin e BE?
Në Istria bisedoj me njerëz të gjeneratës sime, që e kujtojnë ende Jugosllavinë socialistë, por janë pjesë e turbo-kapitalizmit. Shpesh ata pyesin, se si do të ishin punët, nëse në Europë do të kishim një zë të përbashkët, e si rrjedhojë do të ishim më të fuqishëm, edhe më të vegjlit? Të shtrosh këtv pyetje të duket tani si një blasfemi, por dikush pas disa gotash me verë, më tha: „Si Jugosllavi do të kishim qenë në Europë dikushi. Si Jugosllavi do të kishim një treg me peshë. Tani ka secili të vetin. Këtë e donim vetë. E gjithçka po e blejnë investitorët.”
Në gazetat e mëdha kroate këto ditë lexon, se politikanët e korruptuar, sipas një studimi kanë më shumë shanse të zgjidhen me votë. Mendohej, se gjithçka do të bëhej më mirë, nëse „vetjakja” do të vendosej në qendër të veprimit. Por tani duket, se rrugët, imobiliet e rrënuara, spitalet, shkollat publike, pra ajo që i përket popullit, nuk janë patjetër në gjendje më të mirë. Premtimi për kujdesin ndaj vetjakes, nuk i vjen patjetër në të mirë interesit të përgjithshëm, por sigurisht “Homo Oeconomicus”, atij tipi të veçantë, që di të shfrytëzojë gjendjen në të mirë të tij. Ka pasur një kohë, kur asnjë të pasuri të kësaj bote nuk do t’i jepej një ishull për ta blerë si ishull privat, e aq më pak një Brad Piti.
Tani për vendin merren vendime nga jashtë, por dëgjon shumë pak për impulse strategjike në drejtim të Brukselit. Çfarë ka ndodhur me pushtetin e vendeve të vogla në kompleksin e pushtetit të BE? E çfarë do të ndodhë me vendet e mëdha të BE, kur të ndodhen nesër vetëm para Trumpit e Putinit për të negociuar? Do të ishte tragjike, sikur në Britaninë e Madhe, ashtu edhe në Francë, vetëm pas zgjedhjeve të kërkohej në internet për nocionin Europë. Ndoshta njerëzit mund të kërkojnë që para zgjedhjeve në internet nocionin e krimbit të tokës.
Jagoda Marinic është një shkrimtare kroato-gjermane, dramaturge e gazetare. Prindërit e saj kanë ardhur si emigrantë kroatë në Gjermani. Së fundi është publikuar romani i saj „Made in Germany- çfarë është gjermane në Gjermani?”