Realizimi i veprave të mëdha, opera, balete, simfoni, vepra me pjesëmarrje të gjerë kanë qenë dhe mbeten gjithmonë sfida dhe suksese të institucionit të Operës. Pavarësisht problemeve, ngjarjeve, vështirësive të shumta të tranzicionit e më pas të stinëve të ngarkuara, këto inciativa përbëjnë dhe momentet më të rëndësishme për artistët e stafet drejtuese ndër vite. Nga “Karmina Burana”, Simfonia e 9 e Beethovenit, Opera “Toska”, “Aida” e shumë të tjera, apo dhe baleti i shfaqur ditëve të fundit, historiku i teatrit është pasuruar ndjeshëm , dhe të gjitha këto ngjarje të rëndësishme për skenën tonë kanë marrë vëmendjen duke u bërë pjesë e debatit të medias dhe publikut.
Vendosja në skenë e këtij baleti, në një teatër që ngjan me “universitetet në distancë “ për shkak të zhvendosjes së studiove, pra gjithë institucionit në lëvizje, përbën një vlerë të shtuar. Përtej, salla e e Pallatit të Koncerteve, ndonëse jo tërësisht e përshtatshme ofron madhështinë dhe mundësinë për spektatorë më të gjerë, më shumë madhështi se ajo që prej kohësh ish vjetëruar në Teatrin që po i nënshtrohet rikonstruksionit. Në media, në statuset e shkruara kupton vëmendjen maksimale kur një eveniment i madh dhe i kuptueshëm siç është baleti ngjitet në skenë. Teksa lexoja në rrjetet sociale e më gjerë kritikën e rradhës , u binda dhe njëherë se shfaqjet e mëdha e të suksesshme, aktivitetet e vështira për tu realizuar, janë gjithmonë të parat që vihen në shënjestrën e kritikës tonë të munguar, që flet rrallë dhe e nge zërin më shumë kur gjithçka është madhështore. Nga njëra anë duket se vendosja e veprave të tilla në skenë arrin synimin kryesor, shndërrimin në aktivitete për një publik të gjerë. Vëmendja e madhe që tregohet, salla e mbushur me spektatorë dëshmojnë se vepra e mundimi për ta realizuar ja arrijnë qëllimit. Ana tjetër e medaljes, ajo që më shqetëson është fakti se sa herë kemi të bëjmë me vendosje shqiptare, artistë shqiptarë që guxojnë, kritika çuditërisht është rigoroze, kërkohet maksimumi , madje absurd më duket krahasimi me atë që është bërë në të shkuarën , me atë që në të shkuarën njërëzit e mëdhenj të artit kanë bërë në Shqipëri. Kemi gjithmonë një referencë të shkuar, ndërkohë jetojmë në një kohë të sotme që është ndryshe nga e shkuara, ku asgjë nuk mund të krahasohet. Diskutimi apo debati se dikur kishte art të vërtetë, se shkolla e artit ishte më e mirë, se jepnin mësim muzikantë që ishin të rëndësishëm duket se fillon sërish duke ngatërruar sistemet, kohët , fiksuar pas një të shkuare që në mendjen e të gjithëve është caktuar pasdyshim si e lavdishme, duke harruar se çdo kohë ka specifikat e saj të pakrahasueshme. Me të njëjtin mendim takohemi sa herë guxohet për të bërë diçka të re, për të sjellë diçka ndryshe, për të guxuar dhe kontribuar për ta sjellë gjithçka në përshtatje me kohën.
Në këtë frymë do ndalesha në disa kritika që sot lexova në statuse apo media. Kështu dikë e shqetësonte pastërtia në ambientet rrotull Pallatit të Kongreseve, gjë që mu duk pa lidhje me baletin. Dikë tjetër e shqetësonte zhurma e publikut, ku gjallëria dhe entuziazmi si në asnjë shfaqe tjetër kanë qenë gjithmonë prezente në balete. Një pjesë e madhe e njërëzve që vijnë për të parë baletin kanë një lidhje me protagonistët, është si traditë një mbështetje që u bëhet interpretuesve në këtë zhanër, tërësisht e vakët në koncerte e aktivitete të tjera. Me eksperiencën e dikurshme në pultin e orkestrës , midis spektatorit, dirigjentit dhe balerimit të gjitha këto më duken pjesë të atmosferës , të cilën vështirë e arrimë në të tjera aktivitete. Baleti shqiptar nuk ka qenë asnjëherë sallë biblioteke për të shijuar në qetësi , është përjetuar si një shfaqje e lirisë me një lloj frymëzimi dhe entuziazmi të përhershëm . Nëse ndalemi tek pjesa tjetër për të cilën diskutohet , koncepti koreografik, mendoj se ata që e vënë në skenë baletin nuk mund ti fajësosh, apo ta marrësh venien në skenë si një mangësi , apo të presësh që ato të jenë dakort me kritikën. Ata e kanë ndërtuar të tillë me koshiencë sepse e gjykojnë, e ndiejnë të tillë dhe mundohen ta realizojnë të tillë. Flasim për çështje gustosh , mendojnë në thyejnë traditën për të sjellë diçka ndryshe, duke dashur të shfaqin dy tablo të dy eksperiencave të ndryshme. Edhe Koncerti i Vjenës apo të tjera aktivitete botërore sot i konceptojnë ndryshe aktivitetet, një pjesë e madhe e operave , baleteve shfaqen në skenë me skenografi, koreografi të ndryshme. Janë dy elementë të rëndësishëm që sjellin ndryshim dhe e përshtasin veprën në kohën e sotme. Kur kritikojmë nuk mund të kritikojmë konceptet apo shijet. Mendoj se ka gjithmonë një bllokim , dilemë, sa herë guxohet për diçka të re. Me skepticizëm kërkohet doemos tradita e të shkuarës.
Patjetër duhet guxuar, edhe me koston e debatit. Në të kundërt çdo gjë duhet të jetë e pandryshuar si më parë. Nisur dhe nga teknologjia e sotme, fakti se përballemi me realizime nga më të përsosurat nëpër botë, bën që dhe realizmet tona të synojnë drejt më të mirës. Nëse dje gjërat realizoheshin mirë, sot duhet të përballen me më të mirat të cilat vijnë tek ne thjesht me një klikim. E përtej klikimit ata që realizojnë vepra të tilla janë shqiptarë vendi që jetojnë, përpiqen e sfiliten në kushtet që padyshim nuk krahasohen me Teatrot në botë. Sigurisht, vepra të tilla përbëjnë vështirësi dhe dilema dhe për teatro të shteteve të fuqishme. Mendoj se realizime të tilla në skenën tonë nga artistët tanë që janë pjesë e këtij realiteti dhe vështirësive, për të qenë të sinqertë janë padyshim suksese, madje heroike do i quaja.Nuk më shqetëson dikush që kërcen me pantallona teritali në skenë, si dikush komentonte, ato janë pjesë e konceptimit të shfaqjes. Më shqetëson mentaliteti shqiptar që skenografët, koreografët dhe gjithë ata që guxojnë në këtë vend komentohen se nuk kanë të njejtin vizion të kohës së “teritalit shqiptar”… Përsa i përket orkestrës, për humor do thosha se mund të kish ndonjë problem në pultin e tetë ose të nëntë, diku në faqen 256 … Për gjithë ata që do kërkojnë të gjejnë pultin e 8 ose të nëntë pas këtij shkrimi, kam vetëm një koment: Sikur të gjithë ata që komentojnë e debatojnë për baletin, flas për ata që shikimin e shfaqjes e kanë për pasurim CV, të përpiqeshin aq sa muzikantët e këtij vendi në profesionet e tyre, padyshim që Shqipëria do ishte më mirë.