Plani serbo- rus për destabilizimin e Kosovës
Agjenturat e huaja, e kanë gjetur mënyrën se si t’i shtrijnë rrënjët e tyre në Kosovë. Një ndër është edhe agjentura ruse, përfaqësuesit e të cilës, herë herë nuk ngurojnë të përfshihen në punët e Kosovës, madje në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kështu, pak ditë më parë, Andrej Lisovoj, shef i Zyrës diplomatike ruse në Kosovë, në mes të tjerash, ka thënë se Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë, duhet të themelohet sa më shpejt, që është e mundur me mirëbesim në mes të palëve dhe se bashkëpunimi mes komunave në Kosovë nuk duhet të politizohet. Këtë deklaratë ai e ka bërë në konferencën “Bashkëpunimi në mes të komunave”, në Mitrovicë. Në rrethanat, kur Rusia nuk e njeh shtetin e Kosovës, si dhe lobon kundër njohjes së Kosovës, pyeytja shtrohet se sa mund të merren parasysh deklaratat e një zyrtari rus?
Qeveria fajëson listën serbe
Ndërkaq, Qeveria, fajtore për zvarritjen e procesit të Asociacionit, bën listën serbe, e cila së fundmi i është kthyer institucioneve. Këshillitari politik i Kryeministrit Faton Abdullahu, ka sqaruar se nuk kanë mundur që të vazhdojmë me këtë proces tash sa kohë, për shkak se përfaqësuesit e komunitetit serb patën zgjedhur të mos ishin aktiv në institucionet qeverisëse. Sipas tij. kjo e ka dëmtuar dhe stagnuar drejtpërsëdrejti këtë proces të rëndësishëm.
Abdullahu, ka treguar se Kryeministri Mustafa, më herët e ka ftuar listën serbe, që t’i kthehet institucioneve të Kosovës dhe bashkë me ta të fillohej nga puna në këtë projekt. Por, sipas Abdullahut, duket se ata nën ndikimin e qendrave të tjera jashtë Kosovës, nuk e kanë kuptuar seriozitetin dhe konstruktivitetin e qasjes së Qeverisë së Kosovës në këtë drejtim. “Parimisht Qeveria e Kosovës është për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Jemi të obliguar për këtë në forma të ndryshme. Pos tjerash këtë e shohim si vazhdim të përpjekjes për begatimin e kualitetit të jetës së qytetarëve të komunitetit serb, por edhe si vazhdim i përpjekjes për shtrirjen dhe forcimin e institucioneve tona në çdo cep të vendit tonë ”, është shprehur këshilltari politik i Kryeministrit,
Plani serbo -rus
Në kndvështrimin e politologut Mentor Tahiri, ndikimi rus nuk mund të evitohet tërësisht, për shkak të lidhjeve serbo-ruse. “Përkundër faktit se Federata Ruse nuk ka njohur asnjëherë shtetësinë e Republikës së Kosovës, për shkak të afërsisë që rusët kanë me autoritetet në Beograd, e rrjedhimisht me këtë edhe me strukturat politike serbe brenda Kosovës, ndikimi rus në Kosovë nuk mund të evitohet krejtësisht. Kjo mund të mos jetë pjesë e një agjende zyrtare serbe e as ruse, por lidhjet “vëllazërore” serbo-ruse e mbajnë këtë ndikim gjithmonë të gjallë. Të kujtojmë se edhe Plani Ahtisaari, me anë të cilit u zhbllokua rruga drejt pavarësisë së Kosovës, ishte në masë të madhe një kompromis, i cili u dashtë t’i përshtatej edhe disa kërkesave ruse. Fatkeqësisht as pas kësaj, nuk pati asnjëherë një rol konstruktiv të Rusisë karshi Kosovës”, është shprehur Tahiri.
Por, sipas të njëjtit, autoritetet e Kosovës e kanë në dorë që t’i shpërfillin tërësisht deklaratat e zyrtarit rus Andrej Lisovoj. “Natyrisht, autoritetet e Kosovës, mund edhe të shpërfillin plotësisht një deklaratë si kjo që erdhi nga shefi i Zyrës diplomatike ruse në Kosovë, megjithatë duhet të krijohet një pasqyrë e saktë e situatës, të njihet realiteti i koordinimit politik serbo-rus, e konform me këtë të krijohet një strategji për t’iu kundërvënë të njëjtit. Prandaj për Kosovën janë skajshmërisht jetike lidhjet me aleatët perëndimorë. Rreshtimi i qartë i Kosovës në kuadër të botës perëndimore jo vetëm deklarativisht por edhe me politika konkrete, assesi nuk guxon të vihet në rrezik, siç ndodhi tani me disa veprime të autoriteteve të Kosovës. Situata e sotme globale gjeo-politike, është jashtëzakonisht komplekse, andaj asnjë veprim i autoriteteve të vendit, nuk guxon të neglizhojë mirëmbajtjen si dhe forcimin e mëtutjeshëm të lidhjeve me perëndimin. Rusia e ka parësore në politikën e saj të jashtme, që të krijojë hapësirë veprimi në cilindo shtet, në të cilin bashkërendimet me perëndimin në çfarëdo mënyre hasin në pengesa.
Serbo-rusët kanë politizuar Asociacionin
Ndërsa ka komentuar deklaratën e zyrtarit rus, analisti Driton Tali, ka bërë përgjegjës Presidentin Hashim Thaçin dhe Kryeministrin Isa Mustafa. “ Po agjendës ruse i ndihmojnë kreatoret e Zajednicës d.m.th. z Hashim Thaçi dhe z Isë Mustafa, të cilët na sollën dhe po e mbrojnë me çdo kusht Zajednicën. Megjithatë unë mendoj se deklaratat e z Lisovoj duhet të merren parasysh sepse e betonon [politikën dashakeqe të Serbisë, por assesi të biem pre e dëshirave të tyre, qoftë të Rusisë apo Serbisë. Gjykata Kushtetuese ka dhënë verdikt që dmth, se Zajednica nuk mund të bëhet sipas mënyrës së tyre, (z. Thaçi dhe z. Mustafa), por ajo duhet të shndërrohet në një Asociacion konform Kushtetutës, pra të ngjashme me atë ekzistuesen që e kemi. Sigurisht , se ne do ta politizojmë Zajednicën e z. Thaçi dhe z. Mustafa, sepse është kreaturë politike në esencë e jo kulturoe apo sportive. Prandaj, z. Lisovoj i duhet thënë se s’ka se si mos të politizohet Zajednica, sepse Serbia e ka politiziuar së bashku me juve rusët”, është shprehur Tali.
Fuqia destabilizuese e Rusisë
Ndërsa, analisti politik Fadil Lepaja, ka konstatuar se çdo deklaratë që nuk nxit konflikte dhe që kërkon përafrim në mes komuniteteve dhe integrimin e komuniteteve brenda sistemit kushtetues në Kosovë, është e mirëseardhur. “Shikuar për nga forma, deklarata e zyrtarit rus, nuk bie ndesh me politikat europiane dhe insistimet e saj për të ecur më përpara me asociacionin. Vetë prezenca e zyrës ruse, edhe përkundër mosnjohjes formale të shtetit të Kosovës, tregon për interesimin rus për marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë dhe përafrimi me qëndrimet europiane është mesazh i mirë. Sidoqoftë , çdo deklaratë që nuk nxit konflikte dhe që kërkon përafrim në mes komuniteteve dhe integrimin e komuniteteve brenda sistemit kushtetues në Kosovë, është e mirëseardhur, dhe mbetet të shpresojmë se kjo është një politikë afatgjatë.
Në parim, ne duhet të përcjellim mesazhet e diplomacisë ruse , nëse jo për asgjë tjetër atëherë për shkak të ndikimit që kanë te serbët e Kosovës, por edhe të potencialit (de)stabilizues të një fuqie si Rusia”, ka deklaruar Lepaja. Sipas të njëjtit, Rusia e ka tashmë të qartë orientimin plebishitar të qytetarëve të Kosovës drejt BE, dhe civilizimit perëndimorë dhe nuk besoj se kanë kurfar iluzionesh për të ardhmen, prandaj çfardo deklarimi paqtues, është i mirëseardhur. “Asociacioni është edhe obligim i Qeverisë së Kosovës dhe deklarimi se asociacioni duhet ” të themelohet sa më shpejt që është e mundur me mirëbesim në mes të palëve dhe se bashkëpunimi mes komunave në Kosovë nuk duhet të politizohet nuk përmban asgjë malinje në vete”, është shprehur me tej Lepaja.