Rama kujton autoqefalistët shpëtimtarë kundër greqizimit të ortodoksisë shqiptare
Kryeministri Edi Rama shkruan me përulje për të Përnderçmin At Naum Cere, “ndoshta i dyti shqiptar ortodoks i dorëzuar prift ortodoks në diasporë, pas Fan Stilian Nolit”
Denion Ndrenika
Kryetari i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama ka nderuar patriotët autoqefalistë dhe ka kujtuar muajin e Auqefalisë së Kishës Ortodokse të Shqiptarëve.
Në rubrikën “AMARCORD” në profilin e tij në rrjetin shoqëror fejsbuk kryeministri kujton prillin kur ortodoksët morën “Tomosin” nga Patriarkana Ekumenike në Kostandinopojë (Stamboll).
Zoti Rama shkruan me përulje për të Përnderçmin At Naum Cere, “ndoshta i dyti shqiptar ortodoks i dorëzuar prift ortodoks në diasporë, pas Fan Stilian Nolit”.
Autoqefalia me veprën madhore të Imzot Fan Stilian Nolit u fitua pas viteve të tëra lufte dhe pune, humbjesh njerëzore dhe ekzekutimeve të klerikëve shqiptarë ortodoksë nga grekët dhe kisha greke dhe për ta shpëtuar ortodoksinë nga ndikimi greqizues.
Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqiptarëve e udhëheq kleriku i lartë grek Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe Tërë Shqipërisë, Hirësi Anastas Janullatosi.
Më poshtë postimi i kryeministrit Edi Rama:
AMARCORD
Në muajin kur duhet të kremtojmë 80 vjetorin e shpalljes botërisht të autoqefalisë kanonike të Kishës ortodokse në Shqipëri, nëpërmjet tomosit patriarkal të Shenjt. Tij Patrikut Beniamin I, duhet po ashtu të ndjejmë një krenari dhe mirënjohje të thellë e të përligjur ndaj etërve klerikë e laikë të kësaj autoqefalie.
Një prej tyre është padyshim ndoshta i dyti shqiptar ortodoks i dorëzuar prift ortodoks në diasporë, pas Fan Nolit, i miri, i dituri, i urti, i Përnderçmi At Naum Cere, nga Rehova e Kolonjës, bir shpirtëror i Malit të Shenjtë (Athos), ikonograf i shkëlqyer i shkollës së piktorit Andrei Roublev të Moskës, patriot i përkushtuar, i cili abetaren dhe tekstet liturgjike shqip i përhapi deri në Irkutsk dhe Vladivostok.
Kur mbylli sytë, i pikëlluar, artizani i madh i autoqefalisë, Imz. Noli, shkruajti këto fjalë: “At Naum Cera mbetet gjithnjë shqiptar, i kthjellët dhe kombëtar i palodhur… Më pëlqente të shkoj mbrëma të gjata me të duke shkëmbyer ëndrat tona”
I përjetshëm kujtimi ?