Albspirit

Media/News/Publishing

Reshat Kripa: Ku po shkon Shqipëri?

Në këto ditë ku ndjehet ende atmosfera pashkëve më vjen parasysh thirrja që Jezusi i drejtoi Shën Pjetrit kur ai braktisi Romën nën presionin e paparë të kundërshtarëve të krishterimit. Jezusi iu shfaq atij dhe i thirri: Quo vadis? (Ku shkon?). Dhe Shën Pjetri  u kthye përsëri në Romë ku edhe u martirizua. Kjo thirrje më del parasysh sot dhe dua t’ia bëjë Atdheut tim dhe në mënyrë të veçantë gjithë personaliteteve shqiptare. Përse ua drejtoj këtë pyetje biblike?

Për çdo ditë në organet e shtypit të shkruar dhe në mediat audiovizive nuk shohim gjë tjetër veçse figurat e atyre që kanë mundur të ngjiten në shkallët më të larta të politikës shqiptare. Këto figura zenë më shumë se 50% të programeve të shtypit dhe të medias audiovizive.. Ndaj edhe unë dua të drejtoj thirrjen biblike:

“Ku shkon Shqipëri? “

Sot mundësitë e informacionit janë të pakufishme. Kështu edhe unë kam mundësinë të ndjek informacionet edhe nga media të huaja. Po përqëndrohem vetëm  në ato të shtetit fqinj, Italisë. Në  të gjitha emisionet e organizuara nga Rai Uno apo Mediaset nuk shoh që në më të shumtin e programit të tyre  ta zënë figurat politike, kryeministri apo opozita. Besoj se në një linjë me këto duhet të jenë edhe kanalet e mediave  të shteteve të tjera perëndimore. Përse kjo nuk ndodh në vendin tonë? Mund të mos kem të drejtë por mendoj se një gjë e tillë ndodh pasi në Shqipëri vazhdon ende mentaliteti komunist dhe kjo gjë ka verbuar edhe personalitetet e larta që mendojnë se duke u shfaqur sa më shumë në shtypin e shkruar apo në median audiovizuale ia rrisin më shumë vlerën vetes së tyre. Në të vërtetë, me këtë mënyrë ata janë bërë të bezdisshëm, madje do të thoja të padëgjueshëm., pasi i kanë tejkaluar kufijtë e një paraqitje normale. Unë nuk arrij të kuptoj se si vetë ata nuk  mundin ta kuptojnë një gjë të tillë..

Këto ishin mendimet e mia për figurat e larta politike por nuk janë vetënm ata. Nëpër organet e shtypit apo medias audiovizive lexojmë dhe shohim për çdo ditë faqe të tëra ku personazhe janë  po ato figura, po ata individë që i kemi parë dhe dëgjuar me qindra herë gjatë këtyre njzetegjashtë viteve pas përmbysjes së sistemit komunist që të grihen ca djathtas dhe ca majtas për çështje të ndryshme që në të vërtetë ndofta nuk i interesojnë askujt prej atyre që nuk janë verbuar nga propaganda e kohës. Kështu dëgjojmë dhe shohim  po ato figura analistësh dhe opinionistësh dhe habere të tilla si, për shembull, për një analist që paska denoncuar babanë e tij apo për një shkrimtar të dëgjuar që megjithëse paska qenë me funksione të larta, çuditërisht,  na paska qenë i përndjekur politikë, madje duke na i tejkaluar edhe neve që i hoqëm mbi shpinat tona tmerret e atij regjimi.

Nuk e di nëse të sipërpërmedurit përfitojnë ndonjë honorar nga organet ku ligjërojnë apo shkruajnë pasi jetojmë në sistemin kapitalist ku çdo gjë çmohet me pagesën përkatëse. E them këtë pasi personalisht nuk kam përfituar asnjë honorar, megjithëse gjatë këtyre 26 viteve kam botuar mbi 300 shkrime në shtypin e shkruar dhe mediat audiovizive, kam dhënë në to mbi 14 intervista të ndryshme dhe kam marrë pjesë në mbi 15 biseda të ndryshme në TVSH. Ora News, Planet, Shijak Tv, Top Chanel, Scan, NTV e të tjera.

“Ku shkon Shqipëri?”

Një ditë isha ulur në një bar dhe po pija kafe. Në krye të sallës ishte një televizor i madh. Kamarieri me pultin në dorë ndërronte stacionet njëri pas tjetrit. Një kanal transmetonte një intervistë me një drejtues të pozitës. Një tjetër një bisedë me një  të opozitës. Një i tretë një takim me një ish-informator të Sigurimit të Shtetit që kërkonte të na mbushte mendjen  me “heroizmat” e tij. I katërti një debat midis disa opinionistëve të njohur, që nuk ka ditë të mos i shohim nëpër ekranet e ndryshme. I pesti një takim me një drejtues të partive të vogla të pakicës, ndërsa i gjashti atë me një drejtues  të partive të vogla të shumicës.

I ngrati barist nuk dinte se në cilin stacion ta linte. Klientët, të djathtë dhe të majtë,

kërkonin secili kanalin që i përshtatej ideve të tij. Ndërkohë dëgjoj një zë tenori që foli:

– E di ç’ke more djalë, më mirë ktheje nga ndonjëri nga stacionet muzikore. Boll i kemi dëgjuar ato kambana të vjetëruara. Sido që të jenë, ato vajzat që këndojnë dhe kërcejnë pothuajse nudo, janë njëqind herë më mirë se pallavrat e tyre.

Baristi e dëgjoi dhe e vendosi përfundimisht televizorin në kanalin që transmetonte muzikë. Unë hodha vështrimin nga personi me zë tenori dhe njoha një mikun tim. I fola dhe ai erdhi.

– Kaq poshtë paske rënë, or mik, – i thashë – sa qënke katandisur të dëgjosh më mirë ato këngë që nuk dihet se kush i ka shkruar dhe cilit vend i përket, sesa debatet politike?

Miku buzëqeshi hidhur nën mustaqet që i lëviznin të nervozuara dhe u përgjigj:

– Për një gjysmë shekulli nuk dëgjuam gjë tjetër veç politikës. Nuk dëgjuam veç për Enverin dhe Partinë. Ka njëzetegjashtë vjet që ata u përmbysën dhe politika vazhdon të mbizotërojë në ndërgjegjen e njerëzve. Vazhdon të flitet, njësoj si atëherë, me elozhe për drejtuesit e partive. Në shërbim të kësaj janë vënë të gjitha organet e informacionit. Ato janë në garë me njëra-tjetrën se kush do të transmetojë ose do të shkruajë më shumë për ta. Jemi lodhur me këtë zhurmë propagandistike. Nuk durojmë dot më.

Heshti. Edhe unë nuk e ngacmova më tej. Nuk doja ta acaroja më tepër. Fjalët e tij bënë që mendimet e mia të fluturonin larg, në atë kohë kur njeriu nuk ishte njeri, kur personaliteti i tij pothuajse kishte rënë për tokë.

Para syve më dilnin ato ditët e viteve të kaluara, kur nëpër rrugët e qyteteve tona buçisnin zërat e “intelektualëve të shquar” që çirreshin sa dëgjoheshin gjer në kupë të qiellit:

“Lini zyrat burokratë, merrni rrugën për në fshat!“ ….A thua të kishin me të vërtetë aq dëshirë për të shkuar në fshat? Dhe ku? Në fshatin socialist që prodhonte grurë por hante misër. A mos vallë ishin zhveshur nga çdo ndjenjë personaliteti? Nuk e di nëse e kujtojnë ndonjë herë atë periudhë, kur sistemi i kishte shndërruar në kameleonë që nuk guxonin të shprehnin asnjë mendim, përndryshe do të përfundonin atje ku shkuan shumë të tjerë, në hapsanat e panumërta.

Para syve më dilnin disa filma, prodhime të kinostudios “Shqipëria e re”, ku çdo intelektual i shkolluar në Perëndim ose çdo  misionar  i  besimeve  fetare,  duhej  të  ishte patjetër “armik i popullit“. Për çudi këta filma i shoh të shfaqen ende nëpër ekranet e disa televizioneve.  Dëgjoj  dhe  disa  prej  krijuesve apo interpretuesve  të  tyre  të  mburren  me  këto  prodhime, ashtu siç mburren edhe disa krijues të këngëve apo shkrimtarë të realizmit  socialist  me  veprat  e  tyre  standarde  që,  në  më  të  shumtën  e rasteve, nuk kishin asnjë vlerë.

Këto skena sillja ndër mend në ato çaste që përmenda më lart. I kujtoja dhe mendoja:

– Vallë këta politikanë dhe intelektualë, a kanë sy të shohin të vërtetën? Apo nostalgjia e së kaluarës ua ka verbuar ato dhe nuk i lë të shohin realitetin ndryshe që ka filluar të lulëzojë në vendin tonë? Si nuk kanë kurajo qytetare të hedhin poshtë atë pjesë të jetës së tyre që sistemi ua shkatërroi?

Në këto çaste më kujtohen fjalët e Hamletit që ia drejtoi nënës së tij, mbretëreshës Gertrudë:

  • O nënë, hidhe poshtë gjysmën e keqe të zemrës dhe rro me gjysmën tjetër më të mirë.

Fatkeqët. Siç duket nuk u ka mbetur asnjë gjysëm tjetër e mirë. Në sytë e mi më duken si liliputë mjeranë që zvarriten për të gllabëruar një post ose për të fituar pasuri. Atëhere i dhashë të drejtë mikut. Ai më pa që po mendohesha dhe më tha:

– Mos u mendo fare. Do të të them diçka. Neve na i mori hakun vetë Enver Hoxha. Ai i qëroi të gjithë ata që na vranë neve. Sikur të kishte jetuar edhe ato pesë vjet, deri në  90-tën,  me siguri do t’i kishte qëruar të gjithë dhe do të kishim shpëtuar prej tyre.

Këto më bënë që para syve të më dilte thirrja e famshme biblike dhe në analogji me të unë dua të thërras:Ku shkon Shqipëri? Kur do të shkëputesh nga mentaliteti  komunist  që  të  ka mbërthyer dhe të ka zënë frymën? Deri kur kështu?

Please follow and like us: