Shumica qeverisëse po përpiqet ta emërojë në mënyrë klandestine Presidentin e ri të Republikës. Me disa hapa formalë, që janë nul në aspektin e veprimit procedural, Publiku po përpiqet të vendoset para faktit të kryer, të emërimit të më të përzgjedhurit, prej mbetjeve të PPSH, pa i dhënë kohën dikujt që i takon, të pyesë Gjykatën Kushtetuese, nëse është e mundshme që raundet e zgjedhjes së Presidentit të zhvillohen si procese false, pa subjekte, pa aktorë dhe pa proces votimi.
Manovra tashmë e vendosur në veprim, është tregues se ekipi politik qeverisës vazhdon me këmbëngulje të paepur, me ligësi dhe cinizëm, procesin e shmangies së plotë të prejardhjes dhe fillesës së pushtetit dhe organeve të tij, nga Sovrani, nga Kushtetuta dhe në përputhje me Frymën që ajo prodhon. Sovrani, nga burim fillestar i legjitimitetit, tashmë është kthyer në një vëzhgues i pafuqishëm, para Vullnetit, Llogaritjeve të Padukshme të Zotave të Qeverisë së fëmijëve të punistëve të dikurshëm.
Procedura dhe Transparenca e procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës nuk i përket ma Syrit të Publikut, por mbetet e drejtë ekskluzive e Kalimtarëve të Qeverisë Socialiste, e Drejtuesve të korporatave politike dhe financiare të fëmijëve të servitorëve të ish- Bllokut, dhe diktatit të tyre të dhunshëm. Republika tashmë edhe në formë, pa maska, është një sundim i hapur dhe i qartë i oligarkive partiake të Qeverisë, të cilat nuk kanë as respektin minimal ndaj publikut, i cili kërkon me të drejtë për t’i dhënë hapësirën reale për garë personaliteteve të botes shqiptare, për postin më të lartë të drejtimit të Shtetit.
Nga mënga e drejtuesve të Konsorciumit Qeverisës, në djegie të etapave të procedurës, në dhunim të Kushtetutës, e cila imponon procedurë reale joformale, po përgatitet të dalë Kreu i fundit i Republikës që po bie. Një numër të krekosurish bosh, që ua kanë bërë terr jetën shqiptarëve prej 27 vitesh, por presin përfundimin e përllogaritjes së kokës së rënduar të Edi Ramës, dhe bishtnimet e ligëta të Ilir Metës.
Ajo që më bënte më shumë çudi deri dje ishte pozicioni i disa anëtarëve të koalicionit opozitar. Disa prej tyre shpreheshin: “S’kemi punë me këtë proces, ai i përket Edi Ramës dhe Ilir Metës”!!! Vërtet?! Nuk është kjo një çështje publike e interesit parësor, që Opozita duhet domosdoshmërisht ta ndalë, me çdo çmim dhe çdo kosto, mbasi përbën një puç me veshje kushtetuese ndaj stabilitetit të vendit?!
Për fat të mirë sot, Kryetari i Opozitës, zoti Lulzim Basha, u ka kërkuar aktorëve qeverisës të puçit antikushtetues ta ndalin komplotin e tyre dhe të kryejnë me konsensus procesin e transferimit të pushtetit te qytetarët, duke bërë një amendim kushtetues, përmes të cilit, Presidenti i Republikës të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Propozimi i Bashës u përshëndet nga Kreu i LIBRA-s, zoti Blushi, i cili ftoi opozitën që të japë firmat e duhura që vendi të shkojë njëkohësisht në zgjedhje parlamentare dhe presidenciale, kurdo që të arrihet marrëveshja, në mënyrë që populli të bëjë zgjedhjen e tij të lirë.
Pyetja që shtrohet është: Çfarë do të duhet të përmbajë ky amendim? Së pari, kjo kërkon riformulimin nga e para të nenit 87 të Kushtetutës, mbi zgjedhjen e Presidentit të Republikës, me dy raunde, drejtpërdrejt nga populli; pjesërisht ndryshimin e nenit 86, pikës 2, që ka të bëjë me moshën e kandidatit, e cila duhet të pësojë një ngjitje prej së paku 5 vitesh (45 ose 50 vjeç). Amendimi i dytë mendoj se do të duhet t’i përkasë nenit 92 të Kushtetutës, që ka të bëjë me kompetencat e Presidentit. Një President i zgjedhur nga populli, duhet të ushtrojë pushtete më të mëdha në sistem, kuptohet brenda kornizave që e lejon doktrina për një Republikë Parlamentare, dhe nuk mund të jetë edhe më tutje një kryetar shteti ceremonial. Është më se e nevojshme që Presidenti i Republikës të shndërrohet në një organ monokratik, të paanshëm dhe apolitik, që nuk do të ushtrojë vërtet funksione aktive të qeverisë, por do të ketë detyrën për të vëzhguar mbi të gjitha pushtetet, për të respektuar ekuilibrat e parashikuar nga Kushtetuta në mes organeve të ndryshme të Shtetit, me qëllim që ngjarjet autoritariste, sikurse këto që po ndodhin me Edin Kryeministër, që nuk pyet për Ligjin, të mos përsëriten më në të ardhmen. Një President me pushtete të tilla, nuk do të lejojë më që qeveria të mbivendoset mbi institucionet e pavarura dhe do të verifikojë dhe kontrollojë parimet dhe vlerat themeltare të sanksionuara nga dokumenti themeltar i shtetit.
Thënë ndryshe, në riformulimin e nenit 92, Presidentit të Republikës mund t’i jepet e drejta ekskluzive, që pas konsultimit të Kryeministrit dhe Kryetarit të Opozitës, të shpallë zgjedhje e reja dhe të përcaktojë kohën e mbledhjes së parë të punimeve të Parlamentit. Presidenti i ri nuk mund të jetë më një President që hesht me Kushtetutë, kur vendi digjet nga partitë politike të privatizueme, por një institucion që mund t’i dërgojë mesazhe Kuvendit dhe të ndë- rhyjë në krizë deri në shpërndarjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja. Pra, Ai duhet të ketë të drejtën që në rast krizash, të thërrasë në rrugë të jashtëzakonshme, ose të shpërndajë Kuvendin. Një pozicion më të madh garantist mund të marrë institucioni i Presidentit të Republikës edhe në sistemin gjyqësor, në procesin e Prigjimit, në Këshillin e Lartë Gjyqë- sor dhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duke shërbyer si kundërbalancues, i rolit absolut dhe të pajustifikuem demokratikisht, që Reforma në Drejtësi u ka dhënë partive parlamentare, që funksionojnë si piramida politike me struktura amorfe dhe të korruptueme.
Lë të shërbejë gjetja e një zgjidhjeje të arsyeshme, politike dhe konstitucionale, mbi procesin e amendimit të Kushtetutës në kreun përkatës dhe emrin e Presidentit të ri të Republikës, si një hap i parë për zgjidhjen e krizës garantiste të arbitrit të procesit zgjedhor dhe procesit të pastrimit të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë, nga kapja prej politikës dhe konsorciumit kanabist.