Ryan: Hetimet mbi ndërhyrjet ruse, të rëndësishme edhe për aleatët
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan thotë se një ndër arsyet përse Kongresi amerikan ka hapur një proces të plotë hetimor mbi rolin që mund të ketë luajtur Rusia në zgjedhjet presidenciale të 2016 është që të “parandalohen akte të ngjashme” në vende aleate të NATO-s dhe partnerë të tjerë të Amerikës.
Zoti Ryan i bëri komentet të shtunën në një konferencë të përbashkët shtypi me Kryministrin e Estonisë Juri Ratas gjatë vizitës së një delegacioni dypartiak në këtë vend aleat të NATO-s që është njëkohësisht një partner i fortë i Uashingtonit.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve tha se Rusia nuk arriti të ndikojë tek rezultati i zgjedhjeve, por shtoi se akte të tilla “nuk mund të tolerohen”.
Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë përgjegjësinë të informojnë mbi rezultatin e hetimeve vendet e tjera aleate si Estonia, ku gjatë viteve të fundit Rusia ka intensifikuar fushatën e dizinformimit. Edhe vende të tjera të Baltikut, Lituania dhe Letonia kanë përjetuar një shtim të propagandës ruse gjatë viteve të fundit.