Sekretari Mattis në Izrael dhe Katar
Zhvillimet në Siri dhe Irak ishin tema qendrore e diskutimeve të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes James Mattis në turneun e tij në Lindjen e Mesme. Sot ai ishte në Qatar për takime me Emirin dhe zyrtarë të lartë të vendit. Kjo është ndalesa e fundit e Sekretarit Mattis në turneun e tij në disa vende të rajonit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carla Babb po udhëton me sekretarin dhe përgatiti kronikën.
Siria dhe Iraku janë përparësitë kryesore në bisedimet me udhëheqësit e Katarit, ndalesën e fundit të turneut të Sekretarit Mattis, vendi ku ndodhet baza më e madhe ajrore amerikane në Lindjen e Mesme. Zoti Mattis u takua me Emirin e Katarit, një takim me qëllim për të “përforcuar marrëdhëniet” mes vendeve, tha ai.
“Marrëdhëniet ose përmirësohen ose dobësohen, dhe unë jam i përkushtuar për t’i përmirësuar nga ana jonë” tha Sekretari amerikan.
Një vend i vogël por strategjik në Gjirin Persik, Katari luan një rol të rëndësishëm në politikën rajonale. Atje ndodhet baza ajrore Al-Udeid, ku ndodhen 10 mijë trupa amerikane.
Para se të mbërrinte në Katar, Shefi i Pentagonit ishte në Izrael, duke shënuar udhëtimin e parë në këtë vend nga një anëtar i kabinetit të administratës Trump dhe udhëheqësit izraelitë ishin të entuziazmuar të lavdëronin ekipin Trump për qëndrimin e ashpër ndaj Sirisë dhe Iranit.
“Unë mendoj se ky është një ndryshim i mirëpritur, një ndryshim strategjik i udhëheqjes amerikane dhe politikës amerikane” tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Zoti Mattis theksoi nevojën për të mposhtur Shtetin Islamik…dhe ballafaqimin me aktivitetet iraniane…të cilët ai tha se vazhdojnë të kërcënojnë Izraelin dhe fqinjët e tij me raketa balistike…përmes aktiviteteve detare…dhe përmes agjentëve të tjerë si Hezbollah, një organizatë terroriste që po ndihmon Presidentin sirian Bashar al-Assad të qëndrojë në pushtet.
“Unë mendoj se është e rëndësishme t’i kujtojmë vetes se nëse njerëzit e mirë nuk punojnë së bashku, atëherë njerëzit e këqij mund të bëjnë shumë dëm në këtë botë. Dhe ne jemi të përkushtuar ta ndalojmë atë dhe të bëjmë çfarëdo qoftë për të siguruar paqen dhe lirinë për brezin e ardhshëm” tha sekretari Mattis.
Udhëheqësit izraelitë shprehën mbështetjen e tyre ndaj sulmit të fundit raketor amerikan kundër një aeroporti ushtarak sirian për përdorimin e armëve kimike nga Assadi mbi civilët.
Sekretari Mattis i tha gazetarëve të premten se Siria ka lëvizur mjetet ushtarake që kur goditja amerikane shkatërroi rreth 20 aeroplanë ushtarakë sirianë.
“Pa dyshim ata kanë shpërndarë aeroplanët e tyre gjatë ditëve të fundit” tha ai.
Gjatë vizitës pesë ditëshe në Lindjen e Mesme, zoti Mattis zhvilloi takime zyrtare edhe në Arabinë Saudite dhe Egjipt.