Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Zheji: Kur rresht llogjika, hyn në lojë forca. Duhen ndaluar përplasja dhe viktimat

Me sa duket jemi në Fund! Llogjika dhe urtësia kanë dështuar deri tani. Po i vjen rradha përplasjes, në rrugë apo kudo qoftë. Me 24 Prill, Opozita ka kërkuar nga mbështetësit e saj, që të bllokohen akset kryesore të Vendit dhe të zbritet në rrugë, për të kërkuar me protest, që të dëgjohen dhe të merren parasysh kërkesat e tyre.

Askush nuk do ta dëshironte këtë gjë dhe pasojat që kjo përplasje sjell. Kryeministri u nxitua të nxjerrë në foltore, zv drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zotin Qato. Me një fjalë posaçërisht kërcënuese për protestuesit. Përmëndi filmime dhe nënkuptoi arrestime, sepse protesta do të trajtohet si e paligjshme.

Thuhet se dikur Lenini, pasi bërë një marrëveshje me borgjezinë, fill pas Revolucionit të Tetorit, sepse Rusia e asaj kohe po vdiste për bukë deklaroi: “Çdo kompromis vjen era mut! Por është i nevojshëm për Rusinë!”

Kjo shprehje e famshme, nga njeriu i Revolucionit më të famshëm në Botë, që ndryshoi përfundimisht Botën, për 100 vitet në vazhdim, duhet ndoshta rikujtuar sot, në Shqipëri, ky fshat i egër i Botës së madhe. “Kompromisi” vjen erë të keqe, kur je në situatë radikale, por ndoshta bën mirë për shqiptarët, sepse zjarret dhe përleshjet e vitit 1997 apo të 21 janarit të vitit 2011, e zbythin Shqipërinë, përsëri 10 vite pas.

Kryeministri ynë, nuk tërhiqet nga pushteti dhe ka edhe ai, “hallet” dhe “arësyet” e tij. Sepse ka frikë nga miqtë e “fortë”, që e ndihmojnë të rrinë në pushtet. Sepse nëse ikën nga pushteti, ata e rrzikojnë më shumë se të gjithë.

Sipas parimit të xhunglës, nëse ai që prin lukuninë e ujqërve plagoset ose dobësohet, ujqërit e shqyejnë dhe zgjedhin një kryetar lukunie tjetër.

Por gjithësesi, Paqja dhe Arësyeja, Marrëveshjet dhe tryezat, janë më frutdhënëset nga të gjitha, pamvarsisht se “kompromisi mund të vijë era mut”, si ka thënë Vladimir Iliçi Lenini, 100 vjet më parë.

Mos ia jepni këtë “alibi” kryeministrit, Opozitarë, protestoni por vetëpërmbahuni, sepse kjo është shumë e rëndësishme. Rama do të kishte dëshirë që Opozita të degradonte në veprimet e rrugës dhe të dërgonte në Europë, kartolina të shëmtuara “destabilizuese”, pikërisht atë që ka frikë më shumë se kurrë sot BE, që është sot një shtet federal më i dobët se asnjëherë. Më i përçarë se kurrë më parë.

Por edhe “superpolicët” që fabrikoi me pathos Rilindja, duhet të mbajnë siguresat e mbërthyera dhe shkopinjtë në brez, sa më shumë që të jetë e mundur. Shkarpat janë të thata dhe zjarri merr flakë shumë shpejt.
Trafikantët e drogës, do të jenë padyshim më të fituarit nga një përplasje e ashpër popull-qeveri, nëse ajo ndodh.

Please follow and like us: