Albspirit

Media/News/Publishing

Gëzuar përvjetorin President Thaçi

Suzana Tahiri
24 prilli është një ngjarje e shënuar për Kosovën, pasi presidenti i saj Hashim Thaçi kremton përvjetorin e lindjes. Presidenti i shtetit më të ri europian i përket atij brezi të ri politikanësh që bëri epokë falë traditave familjare, historisë së gjatë të qëndresës së popullit shqiptar jo vetëm në Kosovë, por në krejt Ballkanin.
Aktiviteti politiko-ushtarak i Hashim Thaçit nis në vitet nëntëdhjetë kur merr pjesë aktivisht në organizimin e lëvizjes studentore dhe pastaj emigron në Zvicër duke u anëtarësuar në Partinë Popullore. Ka qenë ky formacion politik me legjendarin Adem Jashari që mori vendimin e madh për themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Hashim Thaçi ishte drejtues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ngarkuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK. Në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën, të mbajtur në Rambuje të Francës, (6-22 shkurt 1999), Thaçi ishte kryesues i Delegacionit të Kosovës, ku pas nënshkrimit të palës shqiptare, iu hap rruga ndërhyrjes ushtarake të NATO-s për çlirimin e Kosovës. Në mars 1999 Thaçi ishte Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës (Qeveria e Unitetit).
Si Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, ai udhëhoqi negociatat me faktorin ndërkombëtar dhe është nënshkrues i Marrëveshjes për Transformimin e UÇK në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Në tetor 1999 themeloi Partinë e Progresit Demokratik të Kosovës (PPDK), ndërsa në Kuvendin e Parë Zgjedhor (2000), Thaçi zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK). Hashim Thaçi u rizgjodh kryetar i PDK edhe në 2002 dhe 2005. Në disa legjislatura të Kuvendit të Kosovës është zgjedhur deputet dhe lideri politik me numër më të madh të votave në zgjedhjet parlamentare të viteve 2007 dhe 2010 në Kosovë.
Pas fitores së PDK në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, ai u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, më 9 janar 2008. Më 17 shkurt 2008, Kryeministri Thaçi në Kuvendin e Kosovës lexon deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ndërsa pas votimit nga ana e deputetëve të deklaratës, Kryetari i Parlamentit e shpall Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik, ku më pas të gjithë deputetët prezent e nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë. Në zgjedhjet e parakohshme më 12 dhjetor 2011 fiton PDK dhe përsëri rizgjedhet kryeministër për mandatin 2011-2014.
Aktualisht Hashim Thaçi është president i Kosovës duke e udhëhequr këtë vend drejt perspektivës së qartë euro-atlantike. I urojmë jetë të gjatë presidentit të republikës më të re në Europë.
Please follow and like us: