Qua Vadis Shqipëri? Negociata pa rezultat
Maxhoranca pranon formulën europiane, opozita kushtëzon dialogun me qeveri teknike dhe paralajmëron fillimin e mosbindjes civile.
Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian David McAllister (Partia Popullore Europiane) dhe Raportuesi për Shqipërinë i Parlamentit Evropian Knut Fleckenstein (SPD), ndërmjetësues të përzgjedhur nga BE për të ulur palët në tryezën e bisedimeve, janë larguar nga Tirana në mëngjesin e sotëm ( 26 /04/2017) për në Bruksel pa asnjë rezultat për zgjidhjen e krizës politike, rikthimin e PD në Parlament dhe pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet parlamentare të18 qershorit.
Deklarata e europarlamentarëve
Në vend të një konference shtypi në orët e vona të mbrëmjes
së djeshme, delegacion i BE në Tiranë ka dalë me një deklaratë në emër të dy ndërmjetësuesve. “Dy europarlamentarët paraqitën propozime për të ardhmen që përfshinin pika mbi dekriminalizimin, luftën kundër lëndëve narkotike, masa teknike për përmirësimin e kryerjes së zgjedhjeve dhe masa për ndërtimin e besimit politik. Ata propozuan gjithashtu ide për diskutim mbi datën e zgjedhjeve dhe ndryshime të mundshme parazgjedhore në strukturat e qeverisë për të ndërtuar besim afatgjatë tek sistemi. Nga ana e maxhorancës pati dakordësi mbi pikat e propozuara me kusht që vettingu të votohet në parlament. Partia Demokratike iu përmbajt pozicionit të saj për emërimin e një kryeministri teknik dhe miratimin e një sistemi elektronik votimi për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme” bën me dije kjo deklaratë.
Oferta ndërkombëtarë përjashton qeverinë teknike
Thelbi i propozimit të dy ndërmjetësuesve europianë McAllister dhe Fleckenstein: riformatim i qeverisë Rama për të rritur besimin e opozitës dhe shtyrjen e zgjedhjeve në 16 korrik. Riformatimi i qeverisë parashikonte ndryshimin e ministrave të qeverisë Rama në 4 ministri që do t’i përcaktonte opozita. Por jo dorëheqjen e Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike. Këto në këmbim të kthimit të opozitës në Parlament, plotësimit të strukturave të Vettingut me anëtarët nga opozita dhe konstituimi i tyre.
Propozimi i formatuar si një draft marrveshje opozitë –qeveri përmbante tri pika kryesore: ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe të kryetarit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, që do t’i përkiste opozitës; shkarkime në nivel të lartë të drejtuesve të policisë; kriminalizimin, pra dënimin si vepër penale, të shit-ble
rjes së votës, të cilat u pranuan nga kryeministri Rama dhe kryetari i Parlamentit Meta.
Pas “po” së se maxhorancës David McAllister filloi bisedimet me PD. Por pa asnjë rezultat. Bisedimet dolën pa sukses. Draft-marrëveshja europiane u refuzua dhe si kusht i vetëm për pranimin e saj mbeti doreheqja e kryeministrit Rama, krijim i një qeverie teknike dhe më pas ulja në tavolinën e bisedimeve mes qeverisë teknike dhe opozitës. Burime nga PD pohuan për Deutsche Wellen, se Basha u kërkoi dy ndërmjetësuesve shtyrje të zgjedhjeve deri në fund të këtij viti dhe një qeveri pa Edi Ramën.
Kryetari i PD deklaroi mbrëmë para protestuesve se “dy përfaqësuesit europianë bënë përpjekje për të kontribur në një zgjidhje reale të krizës politike. Për fat të keq përpjekja e dy ndërmjetësuesve europianë nuk pati sukeses. Kjo sepse Edi Rama refuzon qeverinë teknike si zgjidhjen e vetme për të krijuar kushte dhe premisë të barabarta për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Përshkallëzimi i protestës?
Pas tri ditësh, të shtunën më 29 prill, skadon shtyrja e afatit që Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ((KQZ) pranoi të bëjë për t’ i dhënë mundësinë e fundit PD për t’u regjistruar dhe marrë pjesë në zgjedhje. Dështim i uljes në tavolinën e bisedimeve të palëve, me ndërmjetësimin e McAllister dhe Fleckenstein, lë të kuptohet se PD nuk do të regjistrohet dhe nuk do të marrë pjesë në zgjedhje. Përkundrazi u paralajmërua përshkallëzimi i protestës me fillimn të hënën, më 1 maj, të mosbindjes civile dhe bojkoti përfundimtar të parlamentit.
“Kusht i pa tjetërsueshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme është qeveria teknike dhe ne do ta vazhdojmë betejën tonë të pandalshme. Javën tjetër do të nisim mosbindjen civile në të gjithë Shqipërinë”, tha Basha mbrëmë para protestuesve brenda ҫadrës.
Nuk ka ende qëndrime të grupit të moderuar brenda PD që janë “pro” kthimit në parlament dhe as takime të forumeve të larta të PD si Këshilli Kombëtar apo Kryesia e demokratëve për një vendim lidhur me mosmarrjen pjesë në zgjedhje dhe bojkotin përfundimtar të Parlamentit.
Në KQZ janë regjistruar 33 parti për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Mes tyre LSI dhe parti të djathta opozitare, plus partinë e re opozitare jo të djathtë LIBRA e deputetit socialist Ben Blushi. Subjektet politike kundërshtare për të patur garë egzistojnë. Mosmarrja pjesë e PD në zgjedhje do të thotë që forca më e madhe opozitare në 25 vjet post-komunizëm e vetënxjerr vehten nga skena politike pasi në Parlamentin që do të dalë nga zgjedhjet e radhës ajo, me zhvillimet e deritanishme, rezulton që nuk do të jetë e përfaqësuar.
Për pasojë skena politike e Tiranës do të ketë shans të rikonfigurohet me protagonistë dhe aktorë të rinj. Mungesa e PD në Parlamentin e ardhshëm nuk do ta bëjë atë pjesëmarrëse as në strukturat e vettingut, ku ajo ka me ligj ka 50 përqind të anëtarëve në të gjitha komisionet. Radikalizimi i qëndrimeve të PD parathotë edhe mundesi për destabilizim gjatë procesit zgjedhor dhe vështirësi për zhvillimin e tij në terren./DW/