Kryeministri sulmon me emra gjyqtarët: Gjon, Hysen, Tomë, do t’ju ndëshkojë Vetingu
Kryeministri Edi Rama i cili flet çdo ditë për reformën në drejtësi dhe vetingun me sa duket ka në mendje disa emra gjyqtarësh që kërkon ti largojë dhe nuk heziton ti përmendë edhe publikisht.
Gjatë një aktiviteti për arsimin profesional ai tha se “I pari është Vetingu! Pa bërë një drejtësi të besueshme nuk thithim dot investimet e huaja”, tha Rama, ndërsa vijoi: “Vjen investitori i huaj dhe i del para një Gjon, një Hysen, një Tomë dhe ju thotë prit se këtu jam unë!”
Më pas ai solli në vemendje rastin e një toke në bregdet që kishte planifikuar ti jepte një investitori të huaj por që gjykata vendosi tia kthejë ish-pronarit.
“Konkretisht ishte një investim strategjik në turizëm që do na sillte 1 200 të punësuar. Ishte një pronë e ushtrisë por që e kishim kaluar për zhvillime strategjike. Dhe kur ishim gati të nënshkruanim marrëveshjen del një Tom-Hasan-Gjin dhe thotë jo nuk ështe e shtetit na heq 500 ha tokë”. Kush e ndëshkon këtë? E ndëshkon ligji i Vetingut. Kështu këto Tom-Hasan-Gjin do të pastrohen me votimin e ligjit”, deklaroi Kryeministri.
Por kush janë tre gjyqtarët që Rama kërkon ti kthejë në personifikim të së keqes dhe korrupsionit në drejtësi?
Gjin Gjoni i akuzar edhe herë të tjera nga e majta si gjyqtar pranë familjes Berisha. Po kështu është përfolur shpesh edhe pasuria e tij. Gjoni është anëtar i KLD-së.
Tom Ndreca, gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Ndreca është gjyqtari i kolegjit zgjedhor që dha vendimin në favor të Bashës në zgjedhjet lokale të 2011 dhe ku Rama rezultoi humbës.
Hysen Saliko, gjyqtar i Apelit në Vlorë, ish-anëtar i KLD. Emri i tij përmendet për herë të parë nga Rama dhe është pikërisht gjyqtari që ka në gjykim çështjen e pronave në bregdet që kryeministri pretendon se është e shtetit.