Albspirit

Media/News/Publishing

Ligjvënësit amerikanë njoftohen për situatën rreth Koresë së Veriut

Ligjvënësit nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve, morën njoftime të jashtëzakonshme të klasifikuara nga administrata amerikane të mërkurën.

Ata që ishin të pranishëm patën mundësinë t’i bëjnë pyetje ekipit të sigurimit kombëtar të presidentit dhe të mësojnë rreth “gamës së gjerë të opsioneve për të mënjanuar këtë kërcënim” nga Koreja e Veriut, të cilin një zyrtar i lartë i administratës e përshkroi gjithashtu si “shumë të rëndë”, që vjen nga regjimi brutal dhe i paparashikueshëm i Kim Jong Un-it.

Të 100 senatorët u mblodhën pasdite në ndërtesën e zyrës së ekzekutivit, pranë Shtëpisë së Bardhë, për një takim të udhëhequr nga sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis, Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, Drejtori i Zbulimit Kombëtar, Dan Coats dhe shefi i shtatmadhorisë, Joseph Dunford.

Presidenti amerikan, Donald Trump, gjithashtu ishte i pranishëm për një kohë të shkurtër në takim, duke e quajtur atë një ngjarje shumë të rëndësishme.

“Ishte një konferencë qartësuese në të cilën ishte e dukshme se sa shumë mendohet e planifikohet rreth mundësive ushtarake nëse kërkohet një gjë e tillë, dhe një strategji diplomatike që më hapi sytë dhe që është proporcionale ndaj kërcënimit”, u tha gazetarëve pas takimit senatori demokrat, Chris Coons, njëherësh anëtar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë.

Përpara se të pranishmit të shkonin drejt Capitol Hillit për një diskutim të ngjashëm, ku u ftuan të gjithë 431 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve, një deklaratë e përbashkët e lëshuar nga Tillerson dhe Coats paralajmëroi se ata “mbeten të përgatitur për të mbrojtur veten dhe aleatët e tyre”,nëse diplomacia dështon për të ndalur përpjekjet e Koresë së Veriut për zhvillimin e armëve të shkatërrimit në masë.

Udhëheqësi i shumicës republikane të Senatit, Mitch McConnell, tha se paparashikueshmëria e Koresë së Veriut e bëri atë të kërkojë nga presidenti që të informojë senatin në përbërje të plotë.

“(Ai) e ka bërë të qartë se një Kore e Veriut që është e armatosur me një raketë bërthamore, një aftësi që ata ende mbetet ta testojnë, është e papranueshme për ne dhe kërcënon interesat tona jetike të sigurisë kombëtare”, tha McConnell.

Kryetari i Komitetit për Shërbimet e Armatosura të Senatit, republikani John McCain, bëri komente të ngjashme, duke përshkruar një Kore të Veriut të aftë për sulme bërthamore si një kërcënim me përmasa historike.

“Unë mendoj se situata në një aspekt është po aq e rrezikshme sa ishte edhe kriza e raketave kubane”, tha ai për shërbimin serb të Zërit të Amerikës. “Por ka edhe një aspekt tjetër për këtë, dhe kjo është se Kina mund ta përmbajë Korenë e Veriut. Me fjalë të tjera, kjo nuk është vetëm një çështje e konfrontimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut. Kinezët mund të kontrollojnë – dhe e kontrollojnë – ekonominë e Koresë së Veriut. Presidenti Trump ka krijuar një marrëdhënie me udhëheqësin kinez dhe kështu që të paktën mund të dihet se ky opsion është i mundshëm”, tha McCain.

Më vonë gjatë ditës, të mërkurën, nënpresidenti amerikan, Mike Pence, sekretari i shtetit Rex Tillerson dhe sekretari i mbrojtjes, Mattis, informuan anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve për më shumë se një orë.

“Ne duhet të ndërmarrim një veprim të bashkërenduar,” u tha gazetarëve më pas kryetari i komitetit të Kongresit për punë të jashtme, Ed Royce, republikan nga Kalifornia.

Royce tha se komiteti i tij do diskutojë mundësitë në javët e ardhshme, duke përfshirë nevojën për sanksione financiare kundër Koresë së Veriut.

“Nëse ka një rrugë diplomatike, ajo kalon përmes Kinës,” tha Adam Schiff, një demokrat në Komitetin e Zbulimit “Ne duhet të bindim Kinën se ne duhet të ndërmarrim hapa për të mbrojtur veten dhe aleatët tanë në mungesë të një veprimi më të fuqishëm nga Kina për të ndikuar në fqinjin e saj”.

Schiff tha se përfaqësuesit e administratës së Trump-it ishin të thellë dhe të të vëmendshëm në trajtimin e pyetjeve nga anëtarët e Kongresit. Por ai kërkoi një qasje të kujdesshme nga Shtëpia e Bardhë derisa ecën përpara.

“Unë do të këshilloja administratën të jetë shumë e kujdesshme në çdo përllogaritje,- kemi të bëjmë me një regjim të çoroditur, një udhëheqës të ri dhe të papërvojë që vret edhe anëtarët e familjes së tij dhe mendoj se qasja më e mirë për administratën është që të ushtrojë trysni maksimale mbi Kinën si dhe Korenë e Veriut, por ndryshe “të ecin me butësi dhe të mbajnë një shkop të madh me vete”, tha Schiff.

“Ka shumë besim tek zyrtarët e administratës në pozitat kryesore. Ata e dinin se për çka po flisnin, ata ishin të bashkërenduar dhe bënë një punë të mrekullueshme”, tha Mac Thornberry, një republikan nga Teksasi.

Please follow and like us: