Albspirit

Media/News/Publishing

Enton Abilekaj: E gjithë skena për Gramoz Ruçin

 

Nuk mund të gjenin aktor më të mirë. I lashtë aq sa të mos ia kthejnë fjalën as komunistët, serioz aq sa të fshehë një marrëveshje imorale, i rreptë sa të besohet se nuk bëhen më “lojëra”. Gramoz Ruci ishte aktori perfekt për filmin e fundit të dyshes Rama-Meta.

Po mos ishte propozimi i grupit parlamentar të PS, pra i Ramës, të gjithë do ta kishin besuar që kishte dalë për “të folur troç”. Se gënjeshtrat e Gramozit janë më të besueshme se ato të Ramës e të Metës, gënjeshtrat e Gramozit vijnë nga kohëra të tjera, kur nuk bëhej shaka me sekretarin e partisë.

Ja ku i bëri presion Metës, ja ku e fali Ramën meqë nuk tha as po as jo për variantin reaksionar të zgjidhjes që ofruan gjermanët. Është nxehur shoku Gramoz? Nuk duron dot më lojërat e çadrës?

Aktrimi ishte i përkryer, por propozimi i Edi Ramës që artikuloi, ia hoqi solemnitetin. Nuk i ka ecur kurrë me kryetarët. Ia kanë prishur gjithmonë solemnitetin duke e detyruar të komunikojë vendimet e tyre.

Ishte vendimi i grupit të PS që të mos e shtynte më, ta paralajmëronte LSI që mund ta zgjedhë Presidentin edhe vetëm? Ishte rebelim i grupit ndaj Ramës? Apo Rama e nxiti për t’i bërë presion Metës? Asnjëra nga këto. Ishte vendim i Metës, që PS ta detyronte të merrte Presidencën.

Prandaj i duhet kërkesa e grupit, interpretimi i Gramoz Rucit dhe recitimi i përjavshëm i Edi Ramës. Meta, paska qenë duke bindur shqiptarët që di të bëjë punën e Presidentit, kur të gjithë mendonin se po kërkonte një zgjidhje të përgjegjshme. Nesër, bashkë me ambasadorët, ata do t’i japin zgjidhje situatës.

Rama kryeministër me votim, Meta President me votim, zgjedhje nuk do të ketë. Partitë e vogla janë të lutura të hyjnë në votime dhe ta lënë PD jashtë. Kush tjetër më mirë se Gramoz Ruçi mund ta ngrinte siparin e këtij vendimi.

A nuk kishte votime pluraliste edhe në kohën kur shoku Gramoz ishte yll në ngjitje? Kandidatët e Partisë së Punës konkurroheshin fort nga kandidatët e Frontit Demokratik. Në fund fitonin të gjithë, përveç shqiptarëve.

Please follow and like us: