Ilir Meta, profili i presidentit të ri të Shqipërisë
Karriera e gjatë politike e presidentit të ri të Shqipërisë është shënjuar nga përplasjet e forta me rivalët dhe akuzat për korrupsion.
Ilir Meta është padyshim një nga politikanët më aktivë dhe më polemikë në Shqipërinë e dy dekadave të fundit.
Ai lindi në vitin 1969 në një fshat të vogël në rajonin jugor të Skraparit dhe hyri në skenën politike në moshë të hershme duke arritur majën shpejt.
Meta u anëtarësua në Partinë Socialiste në vitin 1991, teksa kjo po përpiqej të reformonte dhe distanconte veten nga e shkuara komuniste. Një vit më pas, në moshën 23 vjeçare, ai u zgjodh deputet i Partisë Socialiste.
Meta është një nga më të rinjtë që iu bashkuan socialistëve në një kohë kur shumica e rinisë së vendit po reshtoheshin pas partive rivale të sapo-formuara si Partia Demokratike.
Megjithatë karriera politike e Metës lulëzoi ndërsa partia e tij dukej se po haste vështirësi.
Socialistët humbën zgjedhjet e 1992 ndaj demokratëve dhe Fatos Nano – lideri i atëhershëm i Partisë Socialiste – u dënua me 12 vjet burg në prill 1994 pasi u shpall fajtor për korrupsion dhe shkelje të keqmenaxhimit që dyshohej të kishte kryer gjatë tre-mujorit të tij si kryeministër në 1991.
Nano gjithnjë i mohoi akuzat, duke pretenduar se ishin të motivuara politikisht. Ai u lirua në 1997 pasi shleu tre vjet dënim si pjesë e amnistisë së urdhëruar nga Sali Berisha, që ishte atëherë president i Shqipërisë. Nano vazhdoi karrierën e tij politike dhe u lirua nga të gjitha akuzat.
Gjatë kësaj kohe, Meta punoi për të ngjitur shkallët e karrierës dhe u caktua zv.kryetar i Komisionit Parlamentar të Punëve të Jashtme në 1996.
Pasi socialistët fituan zgjedhjet e parakohshme të 1997, Meta u caktua Sekretar i Shtetit për Integrimin Europian. Ai u caktua zv.kryeministër dhe ministër i koordinimit të qeverisë në tetor 1998.
Vetëm një vit më pas, Meta fitoi nga përçarjet brenda partisë së tij se kush duhet ta pasonte kryeministrin e përkohshëm Pandeli Majko. Në nëntor 1999, vetëm 30 vjeç, Meta u bë kryeministër.
Përplasje me Nanon
Ai u rizgjodh kryeministër pasi socialistët fituan zgjedhjet në 2001 por u largua në shkurt 2002 pas mosmarrëveshjeve me Nanon – që ishte kryetari i partisë së tij – dhe mbështetësve të tij.
Në këtë kohë, partia vetë ishte e përçarë në fraksione të ndryshme ku mbështetës të Nanos e akuzuan kabinetin e ministrave për korrupsion. Meta e ricaktoi kabinetin por grupi i Nanos pretendoi se ai nuk mund të drejtonte një qeveri.
Meta tha se do të dorëhiqej nga qeveria pasi nuk pranonte presionin e kryetarit të partisë për caktimet e ministrave.
Pandeli Majko e mori sërish drejtimin si kryeministër i përkohshëm pas një votimi parlamentar. Nano shërbeu sërsish si kryeministër nga gushti 2002 – hera e tij e katërt në atë zyrë që nga rënia e komunizmit.
Nano, tani në krye të partisë dhe kryeministrisë, e caktoi Metën menjëherë si zëvënësin e tij dhe si ministër të jashtëm në përpjekje për të shëruar mosmarrëveshjen.
Megjithatë Meta dha dorëheqjen një vit më vonë pas Nano nuk miratoi një seri reformash në parti dhe qeveri të cilat ai i sugjeroi.
Meta, i cili gjatë viteve kishte krijuar një bazë solide mbështetësish brenda partisë, u përplas me Nanon në dhjetor 2003 në kongresin e partisë. Nano jo vetëm që refuzoi të kalonte çdo mocion të ngritur nga Meta, por gjithashtu bllokoi emërimin e çdo mbështetësi të tij në poste partiake.
I zënë ngushtë brenda partisë, Meta i dha Zërit të Amerikës në të njëjtin muaj: “Kongresi është një turp i madh historik dhe një njollë e zezë, jo vetëm për historinë e Partisë Socialiste por edhe për politikën e vendit”.
Meta dhe mbështetësit e tij, të vetëdijshëm se nuk kishin një të ardhme me socialistët, formuan Lëvizjen Socialiste për Integrim, LSI, në shtator 2004 – një lëvizje qe Meta e ka përshkruar si hapin më të rëndësishëm të karrierës së tij politike.
Manifesti i LSI u përqendrua te afrimi i Shqipërisë me anëtarësimin në BE dhe tërhoqi mbështetje shtesë nga intelektualë dhe grupet e zhgënjyera të vendit nga dy partitë kryesore post-komuniste: socialistët dhe demokratët.
Partia e sapoformuar fitoi vetëm pesë nga 140 vende në parlament në zgjedhjet e 2005. Pesë deputetë të LSI u ulën në opozitë pasi Partia Demokratike e Berishës formoi koalicion me parti të tjera.
Pakti me Ramën
Me zgjedhjen e Edi Ramës si liderin e ri të Partisë Socialiste në fund të 2005, lideri i LSI ia doli të rilidhej me partinë e tij të vjetër. Meta dhe Rama formuan koalicionin e tyre të parë përpara zgjedhjeve lokale në shkurt 2007.
Duke bashkuar forcat me socialistët në Tiranë – ku Rama fitoi mandatin e tretë si kryebashkiak – të dyja partitë fituan qytetet më të rëndësishme në vend dhe LSI mori 121,172 vota, barasvlershme me 9.2 për qind të votave.
Megjithatë koalicioni Rama-Meta u prish pasi socialistët dhe demokratët prezantuan reforma elektorale në nëntor 2008. Sistemi politik i Shqipërisë kaloi nga të qenët një përzierje e përfaqësimit direkt (100 deputetë) dhe proporcional (40 deputetë) në përfaqësim proporcional vetëm.
Nën sistemin proporcional të përfaqësimit të Shqipërisë, partitë prezantonin lista kandidatësh për 12 rajone. Numri i votave përcaktonte se sa vende në parlament do t’i jepeshin kandidatëve në listat rajonale.
Partitë më të vogla, përfshirë LSI-në e dënuan lëvizjen, duke pretenduar se do t’i sillte përfitime vetëm dy partive kryesore që kishin shumicën e votave në listat rajonale.
LSI dhe parti të tjera mbajtën një grevë urie në parlament, por reformat elektorale nuk u kthyen. Partia e Metës, tashmë pa një partner koalicioni, fitoi katër vende në zgjedhjet e 2009.
Pavarësisht se fitoi kaq pak vende, LSI u bë një vendimtar i befasishëm pasi demokratët fituan 70 vende kundër 66 vendeve të Ramës. Pasi mori miratimin e presidentit për të formuar një qeveri, Berisha dhe Meta ranë dakord për kushtet që i dhanë demokratëve të qendrës së djathtë një shumicë të vogël por të qëndrueshme.
Meta fillimisht shërbeu si zv.kryeministër dhe ministër i jashtëm por pastaj kaloi në zv.kryeministër dhe ministër të tregtisë, ekonomisë dhe energjetikës. Pozicione të tjera kabineti u mbajtën nga deputetë të LSI.
LSI formoi gjithashtu një koalicion me demokratët përpara zgjedhjeve vendore të 2011, por vetëm tre muaj përpara zgjedhjeve të 2013, formoi një koalicion surprizë me socialistët e Ramës.
Në këtë kohë, LSI mori 180,470 vota, të barasvlershme me 16 deputetë, ndërsa koalicioni i qendrës së majtë fitoi 83 vende nga 140.
Meta u bë kryetar i parlamentit dhe partia e tij mori pesë ministri. Të qenët kryetar i parlamentit nënkupton ndikim të konsiderueshëm, përfshirë drejtimin e seancave parlamentare, mbikëqyrjen e komisioneve dhe axhendave dhe aktivitete e iniciativave të tjera të brendshme dhe të jashtme.
LSI kishte arritur një ndryshim të madh duke krijuar një parti të tretë të suksesshme në një sistem politik që prej kohësh dominohej nga dy parti – një gjë që shumë kishin dështuar ta bënin më parë.
Përveç vlerësimeve, partia e Metës ka tërhequr shumë kritika për dyshime nepotizmi dhe korrupsion.
Akuza korrupsioni
Meta vetë është akuzuar për korrupsion shumë herë gjatë 25 viteve të fundit, megjithëse akuzat kundër tij gjithnjë janë rrëzuar.
Në janar 2011, ndërsa ishte në koalicion qeveritar me demokratët e Berishës, emisioni investigativ Fiks Fare i Top Channel, transmetoi atë që supozohet të jetë një bisedë e fshehtë mes Metës dhe Dritan Priftit, atëherë ministër i ekonomisë.
Video e shfaqte Metën duke folur me Priftin për të ndërhyrë në një tender publik dhe duke diskutuar ryshfete në lidhje me të. Të dy më pas u shfaqën teksa diskutonin për ndikimin e padrejtë në caktime publike për të favorizuar kandidatë të partisë LSI.
Menjëherë pas kësaj, rezultoi se video u publikua nga Prifti, i cili u hoq nga posti i tij ministror shtatorin tjetër. Meta më pas mori postin e tij.
Pasi video u publikua, Meta dha dorëheqjen nga qeveria pasi tha se ishte i hapur për hetim por iu referua filmimit sekret si “veprim i grupeve kriminale”.
Video shkaktoi protesta që u drejtuan nga Rama. Më 21 janar, protesta u kthye në e dhunshme dhe katër protestues u vranë dhe dhjetëra u plagosën nga Garda e Republikës.
Meta u akuzua për korrupsion në maj 2011 pasi Prokurori i Përgjithshëm hapi një investigim. Ai u përball me dy vjet burg dhe një gjobë prej 7000 eurosh nëse do të ishte fajtor.
Prokuroria e konsideroi videon origjinale dhe përdori dëshmi ekspertësh nga Amerika dhe Britania.
Megjithatë, Gjykata e Lartë e pastroi Metën në janar 2012 nga të gjitha akuzat, duke cituar mungesën e provave pasi tre ekspertë shqitparë – të punësuar nga gjykata – e deklaruan videon montazh.
Meta sërish përfundoi i akuzuar për korrupsion në shtator 2015, pas një investigimi të BIRN që zbuloi se një firmë ligjore që përfaqësonte firmën energjetike shqiptare OSHEE pretendoi se lideri i LSI kishte marrë ryshfet nga agjencia e mbledhjes së borxhit, Debt International Advisory, DIA.
Akuza u shfaq si pjesë e një mosmarrëveshje mes OSHEE dhe DIA që u paraqit në Qendrën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Vjenë në 2013. DIA ngriti padi kundër OSHEE, që atëherë zotërohej nga gjiganti çek i energjisë, CEZ.
Një mocion për të anuluar çështjen, ngritur gna qendra arbitrale nga avokatët e OSHEE Clifford Chance, pranon se Meta ishte një nga përfituesit e një pagese mashtruese prej 4.5 milionë eurosh nga CEZ Shpërndarje te DIA në 2010 dhe 2011.
Gjatë një seance parlamentare në tetor 2015, Meta sulmoi BIRN Albania dhe e denoncoi investigimin e BIRN si një konspiracion “mafioz” kundër tij.
Meta nuk u akuzua kurrë në lidhje me çështjen dhe nuk u përfshi në hetimin pasues të prokurorisë për DIA-n. Politikanët e opozitës kërkuan një hetim ndërkombëtar, kryesuar nga prokurorë të huaj, por ai nuk u ngrit kurrë.
Shqipëria fitoi mosmarrëveshjen në arbitrazh në procedurë teknike. Pronari i DIA-s, Kastriot Ismailaj që atëherë u akuzua nga prokuroria shqiptare për pastrim parash dhe mashtrim të lartë. Gjyqi i tij vahdon. Një nga drejtorët e DIA-s, Rebeça Gaskin Gain, mendohet të ketë bashkëpunuar me autoritetet dhe nuk u akuzua.
Ismailaj që atëherë u arrestua, u akuzua për pastrim parash dhe mashtrim të nivelit të lartë.
Në një intervistë për revistën Mapo, të publikuar në gusht 2016, Meta i përshkroi të gjitha akuzat me të cilat ishte përballur si të motivuara politikisht. Ai sugjeroi se kishte pasur një jetë të vështirë se shumëkush dhe se e kishte marrë veten shpejt, gjithashtu nuk i ishte trembur burgut kurrë.
“Nëse Fatos Nano [kryetar i Partisë Socialiste dhe ish-kryeministër] i lindur në mes të Tiranës e kaloi me sukses burgun politik, burgu do të ishte më i lehtë për mua, i lindur mes maleve dhe do të më motivonte të çoja më përpara LSI-në dhe të mbroja demokracinë e vendit tonë,” tha Meta.
Se çfarë mbart e ardhmja për këtë politikan të ri, por ende të rrahur mirë, tashmë që ai është zgjedhur president mbetet për tu parë.