Kriza politike, përfundon takimi i ambasadorëve me partitë e vogla
Ambasadori i SHBA-së Donald Lu, ajo e Bashkimit Europian Romana Vlahutin si dhe kreu i prezencës së OSBE, Bernd Borchardt kanë thirrur sot në një tryezë diskutimi partitë e vogla për të gjetur rrugën për daljen nga kriza politike.
Takimi ka zgjatur një orë dhe temë e diskutimit mes ambasadorëve dhe partive të vogla ishte kriza politike në vend. Takimi i tyre vjen pas dështimit të negociatave edhe pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve.
Deputetja Mesila Doda ka folur pas takimit me ambasadorët. Ajo tha se me ambasadorin e OSBE-së nuk ka pasur një bisedë miqësore, pasi sipas Dodës, ai ka deklaruar se mospjesëmarrja e opozitës do të jetë një problem, por do të jetë një fjali në raportin e OSBE-ODHIR.
“Unë pata një bisedë jo shumë miqësore me ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri, i cili ka deklaruar se mospjesëmarrja e opozitës do të jetë një problem, por do të jetë një fjali në raportin e OSBE-ODHIR. Ndërsa ndryshimi i kodit dhe kërkesa për të dhënë më shumë transparencë, administrim dhe numërim të gjithë partive parlamentare në zgjedhje, ky po do të ishte një problem shumë i madh dhe ODHIR këtë nuk do të lejonte. Kinezerira të tilla nuk e ndihmojnë procesin”, u shpreh ajo.
Gjithashtu Doda tha se PDIU ka votuar pro Metës si president.
“Ne kemi dhënë firmat për kandidaturën e zotit Meta, ne kemi firmosur për të”, bëri me dije Doda.