Nishani dënon dhunën në Parlamentin e Maqedonisë, apelon për qetësi e maturi politike
Presidenti Nishani dënon dhunën e ushtruar në Parlamentin e Maqedonisë ndaj përfaqësuesve të zgjedhur si dhe bën thirrje për qetësi e maturi politike.
“Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani ka ndjekur me shumë shqetësim dhunën e ushtruar mbrëmë në Parlamentin e Maqedonisë, menjëherë pas zgjedhjes së Kryetarit të ri të Parlamentit me origjinë shqiptare, zotit Talat Xhaferri, si dhe shpreh keqardhjen për daljen nga kontrolli të kësaj situate nga forcat e sigurisë së Maqedonisë.
Presidenti Nishani dënon dhunën e ushtruar ndaj deputetëve të Maqedonisë, veçanërisht të atyre me origjinë shqiptare, dhe duke u uruar shërim sa më të shpejtë të lënduarve bën thirrje për qetësimin e situatës dhe kapërcimin e saj me maturi politike.
Presidenti Nishani përshëndet zgjedhjen e zotit Talat Xhaferri në postin e Kryetarit të Parlamentit dhe e konsideron këtë akt si një zhvillim shumë pozitiv për marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni që duhet mbështetur gjerësisht.
Presidenti Nishani vlerëson se tentativat për të inkurajuar dhunë e keqpërdorur marrëdhëniet ndëretnike duhen dënuar me forcë pasi nuk rrezikojnë vetëm stabilitetin dhe të ardhmen e euroatlantike të Maqedonisë, por edhe marrëdhëniet ndërshtetërore dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit në përgjithësi. Zbatimi i plotë dhe i shpejtë i Marrëveshjes së Ohrit, në të gjitha elementët e saj, do të ishte garancia më e mirë për harmoninë dhe bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoni”, thuhet në reagimin zyrtar të Presidentit të Republikës.