BE njeh zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryetar Parlamenti
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini dhe komisioneri për zgjerim, Johannes Hahn kanë dënuar dhunën në Parlamentin e Maqedonisë dhe e kanë vlerësuar pozitivisht zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar të Parlamentit. Në deklaratën e përbashkët të Mogherinit dhe Hahn thuhet:
“E dënojmë fuqishëm sulmin e sotëm që po vazhdon mbi anëtarët e Parlamentit në Shkup. Aktet e dhunës në Parlament janë plotësisht të papranueshme dhe bëjmë thirrje për qetësi dhe përmbajtje. Ministria e Brendshme dhe policia duhet të garantojnë sigurinë në Parlament dhe për anëtarët e tij.
Demokracia duhet të zbatohet. E vlerësojmë pozitivisht zgjedhjen e Talat Xhaferrit si kryetar të Parlamentit, siç është njoftuar. Bashkimi Evropian është i bindur se dialogu politik në institucione është e vetmja rrugë përpara dhe iu bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë që të respektojnë Kushtetutën e vendit dhe të veprojnë në frymën e parimeve demokratike, mirësjelljes. Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë është vend kandidat dhe Bashkimi Evropian është i gatshëm që të punojë me Parlamentin në reformat e nevojshme për të shtyrë vendin përpara në rrugën e tij evropiane”.