Albspirit

Media/News/Publishing

Shuhet në moshën 67-vjeçare liriku i shqipes, Qazim Shemaj

Qazim Shemaj, i njohur për vargjet e tij lirike, por dhe për lidhjen e ngushtë me letërsinë ruse, prej së cilës ka sjellë në shqip vargje të poetëve të mrekullueshëm të kësaj kulture, është ndarë nga jeta në moshën 67-të vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Ikja e tij është një humbje për letrat shqipe, të cilat humbën një prej dashnorëve të fundit jo vetëm të përkthimit por edhe poezisë.

Shemaj i përket asaj plejade shkrimtarësh që karrierën e tyre e ngritën para viteve 90-të, duke u përballur përmes krijmtarisë me soc-realizmin. Emri i tij figuron në një pjesë të rëndësishme të prodhimit letrar pas viteve 80-të, duke qenë një zë i njohur jo vetëm i poezisë por edhe i kritikës letrare. Ai lindi më 5 mars 1950 në fshatin Qesarat të Tepelenës. Shemaj u diplomua në Universitetin e Gjirokastrës në degën e Gjuhë Letërsisë. Ai gjithashtu mori më pas një diplomë pasuniversitare në degën e Kritikës letrare në këtë Universitet. Ai punoi si mësues fillimisht në shkollë e më pas si zëvendës lector në Universitetin Eqrem Cabej. Që nga viti 1986 ai ka qënë redaktor i Revistës ‘Hosteni’ dhe i gazetës ‘Drita’. Shemaj është themelues dhe redaktor i revistës letrare ‘Mjelma’ dhe ‘Kacamici’, të dyja revista për fëmijë. Ai ka krijuar dhe një revistë letrare ‘AG’ si dhe është autor i disa librave. Ai është autor i disa përmbledhjeve me lirika. Për krijmtarinë e tij janë shprehur autorë si Dritëro Agolli, Sadik Bejko, Perikli Jorgoni, Bedri Dedja, Nasho Jorgaqi, etj. Dy vjet më parë më 17 nëntor 2015, me rastin e 70-vjetorit të krijimit të Shoqatës së Miqësisë “Shqipëri-Rusi”, Rusia do ta nderonte me Medaljen e Artë që mban emrin e Pushkinit me motivacionin “Për besnikëri ndaj fjalës dhe punës” për meritat e tij në popullarizimin e literaturës ruse në Shqipëri”.

Please follow and like us: