Albspirit

Media/News/Publishing

Xhaferi: Fajtorë janë Gruevski e Presidenti, javës tjetër qeveria

Kryetari historik shqiptar i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, i zgjedhur dje në një seancë të jashtëzakonshme në një lidhje telefonike për Report Tv dënoi dhunën, ndërsa për përplasjen fajësoi Presidentin dhe partinë e Gruevskit.

“Ditën e djeshme ishte seanca konstituive, shumica vendosi që të pranojë vullnetin e qytetarëve.

Përgjegjës janë ata që kanë motivuar një reagim të tillë të qytetarëve. Ata qytetarë nuk i duan të mirën Maqedonisë, ishin të motivuar nga partia e Gruevskit.

Fajtori kryesor është Presidenti Ivanov, i cili ka uzurpuar funksionet me sjelljet e tij, ai ka inskenuar situata të paqena.

Ajo krizë e ngritur nga Ivanov dhe përfaqësues të partisë së Gruevskit solli reagimin e djeshëm.

Përgjegjësi ka ministria e Brendshme, pasi policia nuk ka qenë në lartësinë e duhur.

Sot situata është e qetë dhe po punohet për t’u kthyer normaliteti” tha ai.

Talat Xhaferi deklaroi se pas dhunës dje në parlament ministria e Brendshme reagoi me vonesë duke evakuuar deputetët.

“Deputetët e lënduar, mes tyre edhe Sela është jashtë rrezikut për jetën.

Situatë e vështirë. Veprimet e mbrëmshme do të kenë pasojat e veta. Ne u evokuam menjëherë dhe nuk ishim më në rrezik” deklaroi ai.

Por cili do të jetë aksioni i ri politik i shumicës së re maqedonase?

“Presidenti duhet të japë mandatin për qeverinë e re. Shumica ka 67 deputetë dhe prandaj ai duhet ti japë mandatin Zaevit dhe në ditët në vijim duhet të jetë seanca për qeverinë e re.

Parlamenti i ka të gjitha mundësitë për të vepruar për formimin e qeverisë së re dhe parlamenti në këtë mënyrë ka pikënisje ligjore për të hyrë në procedurën e zgjedhjes së qeverisë së re edhe nëse nuk jepet mandati.

Javës tjetër do të vazhdojmë me veprimet e duhura për ta zbatuar në praktikë” deklaroi ai.

“Nuk dua ta krahasoj këtë situatë me 2001, pasi kjo është krizë politike, që ka eskaluar.

Nuk besoj që kriza politike të shndrrohet në krizë ndër etnike, shqiptarët nuk do të bien pre e provokimeve”.

Nga dhuna e djeshme dje në Kuvend mbetën 102 të plagosur, 70 qytetarë, 22 policë dhe 3 deputetë.

Mes të dhunuarve ishin lideri i opozitës Zaev dhe deputeti shqiptar, Zela.

Please follow and like us: