Albspirit

Media/News/Publishing

Çfarë tregon zgjedhja e Ilir Metës dhe a e zhduk PD?

Fitim Zekthi

Zgjedhja e Ilir Metës President i republikës është thjesht një akt apolitik, dëshmi e një karikature të madhe që vizatohet prej kohësh. Këtu nuk ka asnjë arsye nga askush për t’u ndjerë keq. Ky është potenciali apo kapaciteti që ka politika shqiptare për t’u ofruar zgjidhje gjërave. Ka vetëm arsye për të shpjeguar shtysat e këtyre akteve dhe pasojat e tyre mbi mbi krizën politike në vend. Në vitin 2013, kur u nënshkrua koalicioni Rama – Meta në datën 1 prill, pas një shpërthimi të fuqishëm në rrjetet sociale të bazës apo militantëve socialistë kundër paktit me atë që ata e quanin shkakun e “vrasjeve të 21 janarit”, “njeriu me bllok”; kundër paktit që  “shiti” gjakun e katër të vrarëve, Rama u shpreh se “ky koalicion do të bënte të mundur Rilindjen, do të bënte të mundur vënien në vend të drejtësisë për të vrarët, amaneti i të vrarëve do të çohet në fund vetëm nga ky koalicion etj”.

Pra, koalicioni u quajt i domosdoshëm për një qëllim dhe ide të madhe. Edhe në këto momente, kur Ilir Meta bëhet president dhe rithemelohet koalicioni PS-LSI, jemi përpara justifikimit për “Shqipërinë që duam”, për të jetësuar Rilindjen, për të futur LSI-në në zgjedhje, respektuar kushtetutën, bërë vettingun etj etj. Marksistët, komunistët, e majta, i kanë urryer gjithmonë argumentet morale. Ata i kanë quajtur ato ‘idealiste’ dhe ‘të parëndësishme’ në një realitet ku zhvillimet politike dhe intelektuale përcaktohen nga forcat materiale. Idetë dhe teoritë etike për marksistët janë mjete për të arritur qëllimin. Idetë që mundësojnë apo afrojnë arritjen e qëllimit, revolucionit, janë të mira dhe ato që nuk e afrojnë janë të këqija ose të dëmshme. Ata mendojnë se kanë gjetur zgjidhjen fundore, dhe kështu që çdo mjet është i justifikuar. Çdo lloj kostoje, edhe njerëzore, është e justifikuar.

Historiani i famshëm marksist, një nga njerëzit më me ndikim në gjithë mendimin e së majtës perëndimore shekullin e kaluar, Eric Hobsbawm, është shprehur se, “në qoftë se socializmi do të ishte i vërtetë, atëherë edhe vdekja e qindra milionë njerëzve është e lejuar”. Sociologu Ted Goertzel i Universitetit Rutgers thotë se këtë moral të së majtës e përdor gjerësisht edhe terrorizmi.

Kaq sa i takon justifikimit; sa i takon domosdoshëmrisë së koalicionit apo domosdoshëmrisë (pavarësisht moralit) së zgjedhjes së Ilir Metës President në këtë rast. Ndërkohë për të kuptuar mënyrën se si forca të tilla sillen kur marrin pushtetin, Jean Claude Paccito, një politolog i Universitetit Paris IX,  I gjurmon rrënjët e tyre, rrënjët e së majtës, që prej periudhës termidoriane të Revolucionit francez. Kjo periudhë nis me rënien e Robespierit dhe kulmon me Direktoratin, një koalicion i çuditshëm që kishte brenda terroristë, ish-terroristë, zhirondinë etj. që i bashkonte armiqësia ndaj Robespierit.

Në fakt, vëren Paccito, koalicioni bashkohej edhe nga objektivi i përbashkët që kishin grupet  e ndryshme që gjendeshin aty: fitorja dhe interesi. Ky koalicion nuk mendonte më për të krijuar njeriun e virtytshëm, por për të përfituar nga marrja e pushtetit pas revolucionit. Historianët François Furet dhe Denis Richet thonë në librin “Revolucioni francez” se koalicioni i ri i së majtës donte vetëm para dhe kënaqësi në çdo aspekt. Republika spartane që ëndërruan revolucionarët para se të merrnin pushtetin u shndërrua në republikën e pallateve dhe të kostumeve elegante. Nis lidhja e papritshme e së majtës me financat. Jean Claude Paccito thotë se ky koalicion harroi çdo ide mbi botën e re që do të ngrinte, mbi barazinë, lirinë, vëllazërinë dhe u fokusua vetëm te përfitimi, pasuria dhe pushteti. Kjo e majtë tashmë ishte gati të bënte gjithçka për të ruajtur pushtetin, edhe grushte shteti siç edhe bëri, intriga, shitje të çdo lloj interessi dhe blerje të çdo lloj interesi, etj.  Paccito thotë se këto tipare që janë në rrënjë të së majtës gjenden sot te çdo e majtë në botë, në forma të caktuara, sigurisht jo aq brutalisht sa atëbotë. Këto gjetje të Paccito-s  përshkruajnë saktësisht koalicionin që ndërtoi Rama në 1 prill, mënyra si qeverisi për katër vjet, emërimin e Metës nga Rama President dhe atë çfarë pritet të sjellë qeverisja e tyre. Kësisoj nuk ka ndonjë gjë për tu habitur dhe as për tu ndjerë keq.

Në lidhje me  pasojat që do të ketë zgjedhja e Ilir Metës president mbi krizën politike në vend, duhet thënë se ajo vetëm e fryn atë pasi përmes një akti karikaturesk apolitik një koalicion qeveritar shtyhet të futet në zgjedhje në mes të krizës. Opozita duket do të vijojë protestën dhe kërkesat e saj do të jenë po ato. Futja e LSI-së në zgjedhje me PS-në dhe PDIU-në së bashku me Blushin, Topin dhe Bojaxhiun nuk do të ndihmojë për asgjë në zgjidhjen e krizës.

Kjo mund të realativizojë, dobësojë LSI-në, por nuk do të bëjë dot diçka tjetër. Me sa duket zgjidhja që i dha krizës koalicioni PS – LSI ishte futja e njëanshme në zgjedhje, duke shpresuar tashmë vetëm në një gjë: në legjitimimin e zgjedhjeve nga prania e LSI dhe në zhdukjen e PD-së, pra opozitës. Budallallallëqet se PD do të zhduket mund të jenë vetëm shajni parazgjedhore ndonëse kanë nisur të artikulohen edhe nga analistë apo edhe politikanë më shumë si presion, si dëshirë dhe aspak si analizë.

Në Francë, para ditësh, kishte zgjedhje dhe partia e djathtë “Bashkimi për Republikën” dhe Partia Socialiste dolën partia e tretë dhe e katërt, me 6% dhe 19% secila. Një rënie e frikshme. Shumë studiues po flasin për këtë rënie, gati zhdukje, sidomos të PS-së që shkoi në 6%. Bruno Cautrès, nga Qendra për Kërkime Politike në Sciences Po thotë se besimi politik në Francë ka rënë tmerrësisht te të gjitha partitë, sidomos te PS dhe te Republikanët. 89 % e të pyeturve si votues të PS-së  thonë se “të zgjedhurit nuk e vrasin mendjen për njerëzit”, 67%  e të pyeturve si votues të të djathtës thonë se të zgjedhurit e “kanë mendjen vetëm tek punët e tyre dhe interesat e tyre”.

Pra, kjo ka qenë arsyeja pse gati u shfaros PS dhe e djathta tradicionale. Në Shqipëri votuesit e PD-së (rreth 600 mijë syresh) nuk janë më shumë të mërzitur me partinë e tyre se sa janë votuesit e PS-së (600 mijë syresh). Në qoftë se do të flisnim për zhdukje në këtë kuptim, më afër do të ishte PS ndoshta.
Rémi Lefebvre, profesor në universitetin e Lille-ës  që flet për PS-në në Francë si një parti në prag të zhdukjes thotë se ajo ka një gërryeje prej vitesh. Në vitin 2006 ajo kishte 280 mijë anëtarë, në vitin 2016 ajo kishte vetëm 86 mijë anëtarë thotë ai. Partia e kandidatit Fillon, Bashkimi për Republikën, kishte 370 mijë anëtarë në vitin 2006 ndërsa në vitin 2016 kishte 238 mijë.

Pra, thotë professor Lefebvre, duhet një humbje e tillë e besimit nga votuesit, dhe një gërryeje e tillë në anëtarësi, që të kemi këtë gati zhdukje të PS-së. Partia Demokratike në Shqipëri pikën më të ulët e kishte në vitin 2013 ndërsa në vitin 2015 pati një rritje të lehtë. Nuk duket ndonjë humbje e veçantë e besimit tek ajo nga votuesit e saj, dhe as ndonjë gërryerje në anëtarësi. Në rastin e PS në Francë, rënia ishte në masën e gati 350%.  Edhe rasti i zhdukjes së PASOK-ut është po i njëjtë me atë të Partisë Socialiste franceze: braktisje e votuesit për të njëtat arsye.

Cilët anëtarë apo votues të PD-së do të votonin Topin apo Bojaxhiun dhe do të dënonin Bashën për protestat dhe bojkotin, cilët anëtarë dhe votues të PD-së do të votonin Blushin dhe do të dënonin Bashën për çadrën apo për kërkesat për qeveri teknike? Në këtë kuptim çdo diskutim serioz mbi krizën duhet të ketë një konstante: pjesëmarrjen e PD-së në zgjedhje.

PD do të jetë aty, mund të margjinalizohet, mund të radikalizohet, mund të frustrohet, mund të arrestohet, por kurrsesi zhduket. Pushteti mund  të vijojë ndjekjen e traditës së vjetër të së majtës me justifikime dhe me luks e pallate derisa të shkatërrohet. Kështu ka ndodhur gjithnjë.

Please follow and like us: