Albspirit

Media/News/Publishing

Phillips: SHBA duhet të angazhohen më shumë me Ballkanin

Eksperti i çështjeve ballkanike, David Phillips, thotë se Rusia po përpiqet ta fusë Ballkanin brenda sferës së saj të influencës, prandaj Shtetet e Bashkuara duhet ta shtojnë angazhimin e tyre në këtë rajon, ku ende ka vende me demokraci të brishtë. Zoti Phillips është Drejtor i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia të Nju Jorkut dhe ka shërbyer si këshilltar i çështjeve të jashtme për Departamentin e Shtetit gjatë administratave Clinton, Bush dhe Obama.

Zëri i Amerikës: Prof. Phillips, vendet e Ballkanit po përjetojnë përherë e më tepër tensione sociale: Maqedonia po përjeton një krizë politike dhe një rritje të tensioneve ndëretnike; Bosnje-Hercegovina përballet me një sërë problemesh që burojnë nga kushtetuta e vendit; Shqipëria ndodhet në mesin e një krize politike. A mendoni se situata mund të dalë jashtë kontrollit dhe rajoni të priret drejt një vale të re pakënaqësish sociale dhe dhune?

David L. Phillips: Sigurisht, që ka shumë mundësi që rajoni të priret drejt një vale pakënaqësish sociale, në një masë të madhe, ngaqë udhëheqësit politikë nuk kanë të treguar se janë të aftë që t’i udhëheqin këto vende gjatë tranzicionit të tyre. Por ka edhe faktorët ë jashtëm që nxisin mungesë stabiliteti dhe ato duhen marrë në konsideratë.

Zëri i Amerikës: Në këtë kontekst, a mendoni se përpjekjet e kohëve të fundit të Rusisë për të patur ndikim tek këto vende do të materializohen? Në një artikull të botuar kohët e fundit ju thoni se fronti i parë i Luftës së Ftohtë të Rusisë është Ballkani. A mund të na jepni më shumë detaje për këtë?

David L. Phillips: Ato janë materializuar tashmë, Rusia, në mënyrë sistematike, është duke mbështetur regjime anti-perëndimore, duke u përpjekur të minojë ndikimin amerikan; synimi i Rusisë është t’i errësojë sytë e Perëndimit, për të penguar rrugën e integrimeve euroatlantike në vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më në fund, për të kthyer mbrapsh statusin e Kosovës si një shtet sovran e i pavarur.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit, si kryeministri i Shqipërisë edhe Presidenti i Kosovës, kanë bërë deklarata, duke aluduar për një bashkim të mundshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës, në se zbehen shanset e anëtarësimit të këtyre vendeve në BE. Cili është komenti juaj?

David L. Phillips: Kjo është një Shqipëri normale, tashmë ka çështje që i lidhin të dy vendet; në se shqiptarët duan të bashkëpunojnë më nga afër, ata duhet ta bëjnë këtë. Dështimi i BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën ka ngritur çështje serioze nëse Europa dëshiron t’i integrojë territoret shqiptare, apo dëshiron t’i përjashtojë ato. Nëse do t’i përjashtonte, atëhere territoret etnike të shqiptarëve të të bashkohen, për t’u shërbyer interesave të tyre kombëtare dhe për të mbrojtur sigurinë e tyre të përbashkët…Objektivi i Rusisë është të provokojë një konflikt në mes Serbisë dhe Kosovës dhe pastaj ta përdorë atë konflikt si pretekst që Moska të demonstrojë forcë në rajon. SHBA mund ta parandalojë këtë përmes një angazhimi më të thellë diplomatik dhe komercial me Kosovën dhe me Shqipërinë. Populli serb nuk duhet të mashtrohet, Rusia nuk po vepron në interes të tij, por vetëm për interesat e veta të ngushta, duke e përdorur atë që të fillojë një luftë me Kosovën dhe ta përdorë këtë si një pretekst që Rusia demonstrojë forcën e saj në rajon.

Zëri i Amerikës: Kriza dy-vjeçare në Maqedoni ka hyrë në një fazë të rrezikshme. A mendoni se ky vend do të jetë i aftë të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme ndaj tensioneve etnike atje?

David L. Phillips: Problemi nuk janë tensionet ndëretnike, problemi ka të bëjë me qeverisjen dhe dështimi i maqedonasve për të respektuar rezultatin e zgjedhjeve, për të formuar koalicione dhe për të shkuar në një drejtim nga i cili të përfitojnë të gjithë, për të çuar përpara interesat e të gjithëve në Maqedoni. Qeveria e Maqedonisë ka dështuar për t’i shërbyer interesave të qytetarëve, ka polarizuar shqiptarët etnikë dhe ka krijuar një situatë të rrezikshme, që bën të mundur fragmentimin dhe konfliktin. Është koha kur udhëheqësit politikë në Maqedoni duhet t’i lenë mënjanë interesat personale dhe provinciale dhe t’u shërbejnë interesave të shtetit, të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit, që u siguron të drejta pakicave, dhe të ndalojë minikonfliktet, që janë duke rrezikuar të çojnë në një degjenerim më të madh të Maqedonisë.

Zëri i Amerikës: Koalicioni i partive politike në Maqedoni perceptohet si një kërcënim nga disa politikanë në Maqedoni. Një grup i quajtur “Për një Maqedoni të bashkuar”, e akuzon kryeministrin e Shqipërisë fqinjë, Edi Rama, si autorin e vërtetë të idesë së koalicionit. Ju si mendoni?

David L. Phillips: Koalicioni u krijua nga partitë shqiptare në Maqedoni, ashtu siç u krijua VMRO jashtë vendit. Pati një takim në Tiranë, ku u diskutuan interesat e përbashkëta të partive shqiptare. Ideja se kjo mund të jetë një farë strukture e huaj ose se synon të dëmtojë sovranitetin e Maqedonisë, është më tepër një justifikim i politikanëve të Maqedonisë, të cilët dështuan të trajtojnë problemet thelbësore të vendit për mirëqeverisjen, të drejtat dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit që parashikon plotësimin e nevojave të pakicave.

Zëri i Amerikës: Serbia ka qenë një aleate tradicionale e Rusisë, madje tani po merr edhe ndihmë ushtarake nga Rusia. Ndërkohë, vendi kërkon gjithashtu lidhje më të ngushta me BE-së. Cili do të ishte komenti juaj?

David L. Phillips: Nuk mund t’i ketë të dyja. Nuk mund të ketë baza ushtarake me pajisje të dhuruara nga Rusia; nuk mund të mirëpresë një bazë spiunazhi në Nish, ndërkohë që Beogradi thotë se dëshiron lidhje më të afërta me BE-në. Do të duhet të zgjedhë si kujt do t’i qëndrojë besnike. Nëse dëshiron integrimin evropian, atëherë duhet të demonstrojë vlera evropiane dhe të ndjekë kushtet e anëtarësimit. Nëse dëshiron të jetë pjesë e orbitës së Rusisë dhe ta lejojë veten të manipulohet nga Moska, e cila kërkon të ushqejë konfliktin me Kosovën, atëherë do të jetë zgjedhja e tyre politike. Interesat e Serbisë gjenden në Perëndim dhe së toku me Evropën. Presidenti i zgjedhur Vuçiç duhet ta pranojë këtë gjë, dhe në vend që t’i bindet Putinit, duhet të dalë në mbrojtje të interesave të Serbisë dhe ta zhvendosë vendin më pranë institucioneve euro-atlantike.

Zëri i Amerikës: Në një artikull të kohëve të fundit, ju thoni se “SHBA duhet t’i përgjigjen agresionit të Rusisë, duke intensifikuar kontaktet e tyre ekonomike dhe diplomatike. Kjo mund të ndihmojë në stabilizimin e shteteve me demokraci të brishtë në Ballkan përmes kooperimit për sigurinë, që synon parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe për t’iu kundërvënë terrorizmit.” Si e shikoni ju rolin e Shteteve të Bashkuara në Ballkan?

David L. Phillips: Shtetet e Bashkuara e kanë neglizhuar Ballkanin gjatë viteve të fundit të administratës Obama. Megjithatë, kjo nuk i zhvlerëson marrëdhëniet shumë të ngushta ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe SHBA-së, ndërmjet shqiptarëve dhe amerikanëve në veçanti. Nëse Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që rajoni të jetë i qëndrueshëm, duhet të angazhohen me to më nga afër. Por, ekziston një shqetësim i madh, të cilin nuk mundet ta neglizhojmë. Rusia po luan një lojë të pandershme. Po mundohet të provokojë një konflikt ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si një pretekst që Rusia të projektojë forcën ushtarake në rajon. Shtetet e Bashkuara duhet ta parandalojnë këtë zhvillim, duke u angazhuar në këto vende, duke u treguar se qëndron pranë tyre. Afritë dhe çështjet që shqiptarët kanë të përbashkëta janë një bazë krejt normale për marrëdhënien ndër-shqiptare, që shtrihet përtej kufijve të tanishëm ligjorë.

Please follow and like us: