Romeo Gurakuqi: Ortakëria që duhet ndalur
Qarku po vjen e mbyllet drejt dy njerëzve që tërheqin zvarrë mullirin qeverisës, mulli që në katër vite e ka destabilizuar, zhbalancuar, politizuar, kriminalizuar, kanabizuar Shqipërinë dhe ka nxjerrë rreth 450000 shtetas jashtë vendit, në një jetë e të ardhme të pasigurt. Përpjekja europiane përmes dy eurodeputetëve McAllister dhe Fleckstein për një zgjidhje të krizës ditën e martë, 25 prill 2017, thuhet se dështoi me sukses të plotë. Ndër të tjera, dorëzimi europianëve erdhi për shkak të metodës së gabuar të përdorur dhe përzgjedhur nga ata vetë, për të shëruar katrahurën autoritare, korrupsioniste dhe kanabiste në të cilën është vendosur Shteti i së Drejtës dhe Institucionet Demokratike: në vend të eliminimit të burimit të krizës negociatorët u dorëzuan dhe lanë në skenë sërish pronarët e mullirit të qeverisë, duke propozuar ndërrimin vetëm të disa prej mjeteve lëvizëse terminale, të urdhëruara e të bindura verbërisht, prej e ndaj tyre.
Nuk kuptohet arsyeja pse nogociatorët lanë mënjanë korrigjimin e thelbit të krizës, që në perceptimin tonë si qytetarë të këtij vendi, është në politikat destabilizuese dhe shformatuese të dy mullixhinjve të punizmit të reformuar. Ishte e nevojshme të ndërtohej një projekt-kompromis, i bazuar mbi parime të shëndosha ekuilibruese, brenda kufijve të legjitimitetit të afateve kushtetuese, logjikës pluraliste, me aktorë të rinj, jashtë politikës pozitare dhe opozitare, duke u shërbyer interesave të taksapaguesve shqiptarë dhe pritshmëri të publikut për stabilitet.
Përndryshe, me dorëheqjen e tyre në fillesë, ata sot i rihapën rrugën ardhjes në krye të Presidencës të Ilir Metës dhe riciklimin në Kryeministri të Edi Ramës. Nga publiku u konstatua me keqardhje se as palët e brendshme të ardhura në përfaqësim të opozitës, në Pallatin e Kongreseve, nuk paraqiten një road map hapash taktikë të shkruar dhe aktorësh gjegjës për t’i implementuar, me masat administrative dhe ligjore të garantimit të procesit zgjedhor, riformatimit të procesit të vetingut dhe ligjeve të bëra keq nga shkencëtarët e maxhorancës.
Një projekt i saktë politik dhe kushtetues i shkruar do t’u kishte hequr mundësinë militantëve qeveritarë t’i bijnë sërish borisë së vetingut dhe do të kishte dhënë versionin që Shqipëria duhet të aplikojë për riaxhustimin e Republikës dhe kthimin e jetës politike në një normalitet e në funksionalitet antikrizë. Ardhja dhe ikja për 35 minuta e negociatorëve europianë u përdor menjëherë nga qeveria si një nxitje për të proceduar planin e saj, do ta quaja ogurzi, të eliminimit të Opozitës reale, të përjashtimit dhe të nxjerrjes jashtë prej vendit politikëbërës, të Shqipërisë kundërshtare në pushtetit socialist, ish-punist.
(Mirëpo Populli i përjashtuar nga trajtimi i barabartë në Shtetin Shqiptar të kontrolluar nga Socialistët, e ka seriozisht Lëvizjen për Themelimin e Republikës së Re, bazuar në Liri, Drejtësi, Rend, Ligj, Punë dhe shpërndarje të drejtë të të mirave e shanseve që ofron shoqëria. Ajo pjesë e popullit as mund të prozhmohet dhe cenohet më, as mund të abuzohet me mbrojtje diletante dhe jo të plotë). Dy alibi po përdoren nga qeveria për këtë procedim extra demokratik:
1. Kalimi i afateve kushtetuese të zgjedhjeve, që ekziston vërtet si problem, por që me një procedurë votim elektronik dhe biometrik të sigurt, mund të kapen;
2. Ndalja e reformës në drejtësi dhe procesi i munguar i vetingut. Duke u mbajtur fort pas këtyre dy përrallave të zgjidhshme brenda natës kur ekziston vullneti, dy programatorët socialistë tashmë po vijojnë hapat e vet drejt procesit të krijimit të një sistemi që nuk arriti ta krijonte në dhjetorin 1990 dhe në janarin e vitit 1991 Ramiz Alia: po orvaten të shtrojnë procedurën legale të eliminimit të Opozitës e mirëfilltë ndaj Socialistëve të Rilindur dhe Riintegruar, përmes një ndarjeje pushteti mes tyre dhe manikinave rreth e qark oborrit të pushtetit. Alibia numër dy është Vetingu dhe Reforma në Drejtësi e stopuar. Është stopuar vërtet për shkak të mosdhënies së dakordësisë së opozitës në rrethanat e shmangies së frymës së korrikut të vitit 2016.
Të gjithë duhet ta kemi të qartë se Reforma është ndalur për shkak të përpjekjes së Edi Ramës dhe Ilir Metës për të ofruar në Organet e Vetingut, të gjithë punonjësit e dy zyrave juridike të Parlamentit dhe Qeverisë, dhe të dikastereve të tyre vartësisë, duke përjashtuar nga procesi, akademikët e pakontrollueshëm dhe të diplomuarit në jurisprudencë nga vendet e OECD.
Drejtësia që ata po orvatën ta ribëjnë me vetingun e njerëzve të tyre nuk do jetë e ndryshme nga fryma e politikës penale që ata promovuan dhe shtynë në këto katër vite, përkundër kartës së lirive: nga viti 2013 ata kanë çuar në galerë çdo hajdut që ka vjedhë edhe një pulë të vetme, ndërkohë që kanë lënë të lirë të gjithë gangsterët që do vjedhin votat e tyre, të gjithë ata që me falimentimet me hile, kanë shkatërruar dhe po shkatërrojnë ndërkohë familje të tëra shqiptarësh nën mbrojtjen e Edi Ramës.
Të falimentuarit e tyre, grabitësit e shkathët të fondeve publike, mospaguesit e taksave të shtetit me procedurë të inspiruar nga Lordi i Thesarit të pushtetit, bankierët e rinj të kastës off shore në pushtet, që po shkatërrojnë ndërmarrje dhe po pastrojnë paratë e politikanëve, të gjithë ata që bëjnë vetëm zhvendosje pasurie dhe pastrojnë paratë e drogës, të cilën e lejuan anekënd pushtetarët, do të kenë me drejtësinë e re të vetinguar në selitë e PS dhe LSI, garancinë e një procesi të qetë të hajdutërisë së Shqipërisë së varfër dhe fondeve të buxhetit të shtetit, koncesioneve që nuk ndalen, edhe në të ardhmen.
Jemi në hapat e një çimentimi të një rrethi autoritarist të hajdutërisë me ndërlidhje familjare puniste, i cili, në qoftë se nuk ndalet sot, nesër do t’i peshojë Shqipërisë gjatë. Jemi në rastin e dy politikanëve kalimtarë të Tiranës që kërkojnë të bëhen të përjetshëm dhe t’ua hajnë edhe nja 25 vite të tjera jetën shqiptarëve, me soj sorollopin e tyre të pangimë. Ata banojnë në botën e fantazisë politike të rrënimit të popullit opozitar, të Shqipërisë së thjeshtë që kurrë s’ka qenë bastion i tyre, as mbështetëse e pushtetit dhe parasë së përjetshme për kastën e dukshme dhe të padukshme që i mban gjallë dhe i urdhnon.
Rreth tyre janë mbledhur, përveç kumaria e ish-Ministrisë së Brendshme të Ramiz Alisë, edhe turmat e servilëve, interesaxhinjëve, që i duartrokasin dhe i mbrojnë publikisht, pavarësisht se edhe ata i shohin me sy dhe i përflasin budallalleqët dhe krimet e tyre kombëtare e shtetërore. Është Kodi i Ambicjes së Ringjalljes dhe Përjetë- simit të Sistemit të ish- Nomenklaturës.
Ata po guxojnë deri në paftyrësi dhe krim, për të fituar pushtetin e përjetshëm të një kaste krejt të ngushtë, që do të rrethohet përjetësisht me një trashëgimi servilash dhe servitorësh, që marrin mbetjet e shfrimeve të tyre financiare. Hapi i parë i ambicjes së tyre prej parvenysh, të ngritur nga asgjë në zotërues pasurish të pamata, të deklaruara në formularin gjegjës të Ganiut që s’bzan, por të paarsyetuara nga të ardhurat legale, është ndërtimi i Formës së Opozitës Fasadë, që nuk do ishte më përfaqësuesja reale e kundërshtisë pa kompromis ndaj sistemit të tyre, por mikluesja e kunorës së pushtetit të mbyllur ndër getot e pasurisë së shfrenuar.
Dhe forma është gjithshka dhe kjo opozitë formale do të shitet njëlloj në Europën që nuk e din nga t’ia nis me djajt e kuq të këtij vendi. Rregullat e makiavelizmit të elitës politike të Tiranës, të përsosura nga binomi i tërheqësve të mullirit qeverisës aktual, nuk kanë asnjë shembull të ngjashëm. Rreth tyre, një dorë ziliqarësh pranë pushtetit, me ambicie të pafre, mbjellin përçarje, justifikojnë çdo shkatërrim të kuadrit institucional demokratik e pluralist të vendit, “argumentojnë” përjashtimin e Opozitës nga sistemi. E gjithë kjo lëpirje, e vullnetshme dhe e urdhnueme nga zyra kryeministrore e propagandës, është e lidhur me instinktin që u tregon servitorëve, rrugën drejt ndejes pranë parasë dhe ballove me maska dhe viza të bardha të pushtetit.
Këto tregtarë të helmit, që kanë hyrë në strofkën e ndyrë të mendimit sofist, që shitet për të tharë trurin e njerëzve të varfër të një shoqërie që nuk mendon, mbetën pjesë e institucionalizuar e një propagande që dhunon fjalën e lirë, mendimin intelektual dhe andrrën e gjithë shqiptarëve për të ndërtuar një Arbni, ku të gjithë mund të gjejnë një strehë të qetë, të dashur dhe të sigurt në paqe. Kësisoj, shoqëria është dorëzuar në fatin e vet. Sot, në qoftë se Opozita nuk rrethon Parlamentin, Ilir Meta do bahet President, pa kaluar në Veting dhe pa dhënë asnjë shpjegim mbi pasurinë e krijueme.
Shërimi i plagëve shoqërore po u mbetet në dorë sharlatanëve, që thojnë që janë burra shteti reformatorë, e në fakt ata janë ca meshkuj të rrethuem nga entourage robsh që tallen me gjërat serioze dhe që orvatën të bëjnë të pamundurat, si të vërteta. Paraja është diviza që i udhëheq ata. Vizat e bardha në strofullat e natës, janë stimuli që i nxjerr ata jashtë arsyes elementare për të menduar sadopak për njerëzit e thjeshtë. Këto janë fjalët që zgjidhin çdo enigmë të ngërçit të krizës së sotme. Etja për paranë e shtetit të shqiptarëve, atë që qarkullon përmes tokës së këtij vendi në një mijë forma, ka imponuar që burracakëria dhe poshtërsia të bëhen metodë pune e politikës, që po lejon sot ndotjen e institucionit të Kreut të Shtetit.
Shumë shqiptarë të thjeshtë, më 23 qershor 2013, me Edi Ramën menduan se do të merrnin një pushtet popullor të lirë për të gjithë dhe sot, shumë nga këta 1 milion shqiptarë, me shuplaka që duartrokasin tanimë njëlloj si në kohën e Dullës, atit të lig të socializmit, kanë lejuar ndërtimin e një pushteti absolut të mbështetur nga Policia Politike e Shtetit dhe Trafikantët e Drogës, që i kanë kthyer bulevardet e Shqipërisë në sheshe të larjeve të hesapeve. 80 familje në këtë vend janë pasuruar përmes grabitjes së pasurisë publike, 5 % e popullsisë së këtij vendi është përforcuar edhe më tej në këto katër vite në kontrollin e 95% të pasurisë së shqiptarëve.
Për t’i liruar vendin këtyre në tokën amë, mbi dy milion shqiptarë nuk mund të vijnë, sepse hapësira jetësore këtu është zënë. Emigrantët madje nuk do të lejohen as të votojnë, sepse përndryshe, skema e mbajtjes së pushtetit, mullixhinjve u bie. Edi Rama duhet të japë dorëheqjen, pikërisht për këtë çimentim të oligarkisë dhe krimit, mbasi nuk arriti të marrë spaletën që populli mendoi t’i jepte këtij reformatori të rremë dhe deformativ. Pavarësisht se ai nuk ia ka arritur të realizojë të gjitha dëshirat e tij të çmendura për çimentim total, ai ka bërë mjaft për t’u zbuar nga karrigia kryeministrore dhe për t’i hapur rrugën një qeverie tranzitive, që do të rikompozojë në ligj dhe rend Republikën dhe të drejtat e Sovranit.
Edi Rama dhe Ilir Meta kanë humbur legjitimitetin me kohë. Sot duhet të ishte dita e rënies së tyre pa kthim. Ata hoqën dorë nga gjithshka e ndershme për hir të pushtetit dhe parasë dhe krijuan një sistem të gënjeshtërt, abuziv dhe autoritar. Koha nuk punon më për ata dhe për këdo që kërkon t’i imitojë. Mirëpo e drejta e një Shqipërie të pastër, duket se do të vonojë, në kushtet e një populli të vendosun në rresht në Shqipni. Në qoftë se ata do të vazhdojnë të jenë serish aktorë të politikës së socialistëve shqiptarë, e ardhmja e social– demokracisë shqiptare do të jetë në duart e manipulatorëve dhe komprometuesve të idealeve të së majtës europianiste shqiptare.
Socialdemokracia, njëlloj si liberaldemokracia jo komuniste e tradita konservatore progresiste, janë pjesë e spektrit të pandarë të hapësirës politike shqiptare dhe fusha e konkurrencës politike mes tyre duhet të jetë e pastër në qershorin dhe shtatorin 2017. Në qoftë se bashkarisht ata nuk shkëputen nga aliazhet antishtet, edhe sistemi jonë demokratik do vijojë krizën vetëshkatërrimtare. Sot publiku ka momentin për t’i ndalur. Nesër do të jetë vonë dhe e vështirë./Panorama/