Sonila Meço: Patriotizmi ynë…
Sepse po të kish qënë Shqipëria lokomotiva e proceseve transformuese të Ballkanit… Po të kish mundur Shqipëria të ndërtonte profilin e një shteti ballkanik modern, me ekonomi të qëndrueshme buzë detit, puthur nga dielli, me shqiptarë të mirarsimuar…
Po të kish mundur Shqipëria të krijonte një hapësirë të përbashkët ekonomike, kulturore me shqiptarët e Ballkanit… Po të kish mundur Shqipëria të varej e qetë përmbi burimet e veta, pa lëshuar organet jetike tek Eurokratët dhe koncensionet me adresë offshore…
Po të kish mundur Tirana zyrtare e jo zyrtare të shndërronte në energji krijuese patriotizmin e shpalosur gjithë krenari rrjeteve sociale, pas ndeshjeve të futbollit a himnit në ngritje trofesh sportivë…
Po të kish mundur Tirana zyrtare mos kalbej në korrupsion, vjedhje, bastisje të vetvetes… Nuk do mund të na bënte për të qarë barcoleta që qarkullon sot nëpër Europën plakë se Shqipëria do anëtarësohet në BE kur presidencën e BE-së ta ketë Turqia.
Nuk do ngjanim patetikë me zemëratën për pamjet e rënda të parlamentit në Shkup, kur po na merret peng jeta në Tiranë.
Nuk do shanim e mallkonim BE, OSBE e çdo mëkëmbës autoriteti ku jemi ofruar me vullnet të plotë duke falur sovranitet. Sovranitet për të cilin simbolikisht 105 vjet krekosemi, si për një dëshirë e jo realitet. Ndërsa nuk kemi mundur të bëjmë shtet për asnjë shqiptar, kudo merr frymë, jeton, punon. O patriotizëm që nuk po strehon dot në mirëqënie shqiptarët! Faji ynë që s’dimë të të rreshtohemi vullnetarisht, por veç me komandë?