Albspirit

Media/News/Publishing

Autostradat, dy nyjet që do të bashkojnë Shqipërinë me Maqedoninë

Autoritetet në Shkup vazhdojnë t’i zvarrisin punimet në ndërtimin e autostradave moderne që lidhin Maqedoninë me Kosovën dhe Shqipërinë.

Derisa Kosova zhurmon me punimet e vazhdueshme për autostradën ‘Arbën Xhaferi’, pala maqedonase ende nuk ka filluar hisen e saj, ndonëse bëhet fjalë për një gjatësi prej vetëm 13 kilometrash, shkruan Konica.al

Hiç më mirë nuk janë as punimet në projektin strategjik të quajtur ‘Korridori 8’, një autostradë moderne që përshkon një hark prej Shkupit, Ohrit, Strugës deri në Qafë Thanë.

Vitin e kaluar, Qeveria e Maqedonisë është zotuar për ndërtimin e autostradës Gostivar-Kërçovë, që vlerësohet si jetike për realizimin e projektit strategjik që i vë kapakun lidhjes horizontale ballkanike që fillon prej Durrësit e mbaron në Varna të Bullgarisë.

Projekti i autostradës Gostivar-Kërçovë synon që të kryqëzohet edhe me ‘Rrugën e Arbrit’, duke e thyer izolimin e Dibrës, që e afron edhe me Shkupin edhe me Tiranën.

Në zgjedhjet e vitit 2014, BDI pati premtuar ndarjen e 900 milionë eurove për ndërtimin e rrugëve që do të shkurtojnë largësinë me Shqipërinë dhe Kosovën.

Në projeksionet e ardhshme infrastrukturore autostradat Kërçovë-Strugë dhe Gostivar-Qafë Thanë, akset rrugore Kërçovë-Strugë-Ohër, Strugë-Qafë Thanë dhe Trebenishtë-Strugë, janë vlerësuar si arteriet ekonomike e kulturore të lidhjes me Shqipërinë.

Përndryshe, i ashtuquajturi Korridiori i Tetë vlerësohet si një nga lidhjet më të rëndësishme të Ballkanit, që do t’i lidh brigjet e Adriatikut me ato të Detit të Zi.

Rëndësia e kësaj rruge është që përshkon qindra e qindra kilometra nëpër vendbanime shqiptare, që mund të rezultojë me zhvillimin e tyre.

Korridori në fjalë, sipas projeksioneve, fillon nga Durrësi, nyjëtohet në Rogozhinë për të vazhduar më pas në Elbasan. Prej Qafës së Thanës vazhdon për në Strugë, duke u kyçur menjëherë në autostradën Ohër-Kërçovë, dhe më pas në pjesën e dytë Tetovë-Shkup, për të vazhduar drejt Kumanovës.

Please follow and like us: