Albspirit

Media/News/Publishing

Bëj durim i tepelenti im, Qazim Shemaj!

Petrit Ruka

Më në fund e ndave mendjen dhe ike vëllai im në këtë ditë të bukur prilli. Mes përmes luleve dhe për këtë e ke vetë fajin. Ishe marrë gjatë me prillin, nga që poezia jote ishte e prilltë. Ia mbathe për atje, në prillet e Qesaratit tënd ku “manushaqet rriten sa t’i korrësh me drapër.”
Ti e pate shkruar këtë varg, që u bë i famshëm në ato vite dhe që ende e kujtojnë të gjithë si një gjetje të mrekullueshme. Ike prillërisht. E si mund të vdisje ti i brishti, i papërsëritshmi në poezi, fjala vjen në dhjetor? Ti poeti i rrallë, që Dritëroi ta pati quajtur poezinë qumësht vjeshte…
Jam ende i tronditur. Shumë të tjerë po shkruajnë për miqësinë me ty. Po unë, unë nga t’ia nis? Unë që të kam njohur e jetuar me ty prej 40 e ca vjetësh. Si t’ia bëj të shpreh një jetë të tërë me ca rreshta të shkretë, kur kam mijra e mijra orë rinore të pagjuma, të lëna atje në Tepelenen tonë e më pas këtej nga na hodhi fati.
Është krejt e kotë. Më duhet të të përcjell njëherë nesër për Andej me një grusht dhe, të mbledh veten e pastaj të shkruaj.
Do të të shkruaj një letër tjetër vëllai im, pas asaj që të shkruajta para 30 e ca vjtetësh, duke përdorur Vjosën, që dy fshatrat tanë kishin në mes, si një postiere të vjetër. Një letër të gjatë malli dhe lotësh. Dhe, në se, edhe ajo nuk do të mjaftoj, bëj durim e më prit edhe pak sa të bëhemi sërish bashkë, si atëhere, 20 e ca vjeçarë, duke folë deri në mundim për magjinë e fjalës e poezinë buzë Vjosës.
Janë mijra vende që dhembin sot aty në Tepelenën tonë, ku kemi ecur krah për krah…
Vjosa me siguri ka sot aromën e shpirtit tënd kur kalon pranë shtëpive tona ku lindëm.
Ajo ishte motra jonë e madhe kur ishim të vegjël. Pastaj e dashura e parë…
Sot qan si nëna jonë humbjen tënde!
Do të të shkruaj, Qazim!
Bëj durim i tepelenti im.
Hë për hë, lexoje sot edhe njëherë letrën time të parë që të pata nisur dikur nga fshati im në Qesarat dhe që ty të pëlqente aq shume, i miri im…

O ATDHE I DASHUR, PSE KAQ MONOTON?!

Letër Qazim Shemës, mësues në Qesarat.

Nën dritaren time kalon Vjosë e lodhur,
Dal t’i them dy fjalë për ty, si letër,
Ku bën kthesë në Qesarat tek izba jote,
Le t’i bier me vrap postier-e vjetër.

Dal e rri mes natës po s’gjej fjalë,
Që të gjitha fjalët janë të lashta,
Nuk e di se ç’drapër ua korri kallinjtë
Ah, or mik, u mbetet vetëm kashta…

Mbi pasqyrë të lumit hedh një kopje
Të fytyrës sime – hartë dëshpërimi,
Ti mos u tromaks tek shikon vetveten
Ti mos thuaj: “o zot, u mbyt Qazimi….”

Si dy pika ujë na na ngjan krejt jeta,
Nesër që të dy do spjegojmë përemrat,
Një fabrikë i bën dërrasat ku do shkruajmë,
Një turjelë i mbush me vrima zemrat.

Bangat, lapsat, dhe vetminë e fshatit.
Nga një breg në tjetrin Vjosa i kopjon,
Ah, ç’po biem dëshmorë të Mërzisë
O Atdhe i dashur, pse kaq monoton?!

Turan, Tepelenë

Please follow and like us: