The Economist: Reforma në drejtësi përfundon me sukses dhe Shqipëria do të marrë ftesë për të hapur negociatat
Economist Inteligence Unit (EIU), një njësi e “zbulimit” e revistës prestigjioze “The Economist”, në raportin për tremujorin e parë 2017 për Shqipërinë ka dhënë një prognozë pozitive, jo vetëm për ekonominë e vendit, por kryesisht edhe për situatën politike.
Analistët e EIU vlerësojnë se koalicioni aktual qeverisës, që përbëhet nga Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, është në një pozicion të fortë për të mbajtur pushtetin pas zgjedhjeve të ardhshme të qershorit 2017.
Duket që kjo analizë është bërë para se të përfundonte afati i regjistrimit në KQZ të koalicioneve, por ndoshta ajo merr në konsideratë një bashkëpunim të ardhshëm paszgjedhor midis dy forcave të majta politike shqiptare.
Nga ana tjetër, “The Economist” nuk mungon ta vejë theksin edhe në perspektivën e reformave të ndërmarra nga shteti shqiptar. Kështu, Economist Intelligence Unit pret që reforma në drejtësi të përfundojë me sukses, madje me shumë gjasa brenda vitit në vazhdim.
“Pas reformës së sistemit të drejtësisë, Shqipëria do të marrë shpejt një ftesë për të hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian, por kjo nuk pritet të ndodhë para fundit të vitit 2017, ose edhe më vonë se kaq”.
Por EIU beson se qeveria, gjatë një periudhe të shkurtër kohore do të pezullojë konsolidimin fiskal. Kjo lidhet me periudhën përpara zgjedhjeve parlamentare, çka është bërë tashmë traditë nga të gjitha qeveritë shqiptare, megjithatë ajo do të vazhdojë të nxisë rritjen ekonomike.
Ekonomia
Natyrisht, vëmendja kryesore e raportit të Inteligjencës i kushtohet situatës në ekonominë shqiptare. Sipas raportit, rritja ekonomike në vitin 2016 është përshpejtuar në 3.2%.
Ky vlerësim, në fakt, është më i ulët se ai i qeverisë dhe institucioneve shqiptare, por edhe FMN, apo BE, etj, të cilët për vitin 2016 kanë deklaruar rritjen prej 3.46%. Ndërkohë, për vitin 2017, EIU pret që rritja të përshpejtohet në 3.5%, si rrjedhojë e interesave më të ulta të borxhit publik dhe përmirësimit të aktivitetit të brendshëm, tendencë kjo, që do të vijontenë vitin 2018 në 3.6%.
EIU pret që inflacioni të rritet në muajt e ardhshëm, si rezultat i një kombinimi të çmimeve më të larta ndërkombëtare të energjisë dhe rritjes së kostove të importit, duke reflektuar pasojat e një dollari më të rivlerësuar amerikan dhe një rritje në kërkesën e brendshme.
Rritja e pensioneve dhe pagave të sektorit publik, si dhe rritja e pagave minimale përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, do të përforcojnë presionet inflacioniste.
Si rezultat i këtyre zhvillimeve, EIU parashikon që në vitin 2017, inflacioni mesatar do të kthehet qendrueshëm brenda intervalit të synuar të BSH, për herë të parë që nga viti 2012.
Në krahasim me raportin e e kaluar, EIU ka rritur parashikimin për inflacionin, nga 2.3%, në 2.6%. Kufijtë e preferuar nga Banka e Shqipërisë për këtë tregues janë nga 2 deri në 4 për qind.
Sipas analistëve, deficiti i llogarisë korente të Shqipërisë pritet të zgjerohet më tej, në 12% të PBB-së në 2016, nga 10.7% në vitin 2015, kjo, si rrjedhojë e rritjes së importeve.
Po kështu, EIU mban parashikimin që në 2017-n ky deficit do të zgjerohet edhe më tej, në 12.6% të PBB-së, teksa çmimet e naftës do të rimëkëmben.
Duke pasur parasysh të dhënat më të fundit mbi performancën fiskale, EIU mban parashikimin se deficiti buxhetor në vitin 2017 do të ndryshojë pak, në 2.4% të PBB-së, përpara se konsolidimi fiskal të rifillojë në 2018, duke e ngushtuar deficitin buxhetor në 1.4% të PBB-së.
Shifra këto jashtëzakonisht të lakmueshme për të ulur borxhin e lartë publik të vendit.