Albspirit

Media/News/Publishing

Kanuni i Labërisë, pasuri që vjen nga Iliria

Ja tezat e studiuesve të huaj që dëshmojnë se Labëria është aq e vjetër sa grekët e lashtë

Gjatë rrjedhave të historisë, në të gjitha malësitë shqiptare ka vepruar një e drejtë dokësore, pra një ligj popullor. Ato ishin një kompleks ligjesh të detyrueshme për tu zbatuar nga të gjithë bashkësitë, pavarësisht nga pozita dhe pozicioni shoqëror. Këto ligje njiheshin me emrin kanun. Kanuni është një kushtetutë e pashkruar.

Sipas prof.dr.Ismet Elezit mendohet që kanuni i Labërisë e ka zanafillën nga ilirët e lashtë. Këtë tezë e mbrojnë shumë studiues të huaj. Ai zbatohej në 165 fshatra të Labërisë dhe sigurisht në qytete si Vlora, Saranda, Gjirokastra, Tepelena dhe Delvina.

Kanuni i Labërisë përbëhej nga sanksionimi i etikës dhe vlerave morale si dhe parimet themelore juridike si mbrojtja e nderit, burrërisë, fisnikërisë, besës, mikpritjes, bujarisë dhe barazisë së njerzve.

Prof.dr. Elezi e vë theksin tek ngjashmëria që ka Kanuni i Labërisë me funksionimin e shoqërisë homerike që është kaq e njohur në veprat e Homerit dhe përkatësisht tek Iliada dhe Odiseu. Ka shumë ngjashmëri dhe me funksionimin e shoqërisë post-homerike. Në këto përfundime kanë dalë të gjithë vizitorët e huaj që vizituan vendin tonë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe gjysmën e parë të shekullit XX. Po në këtë përfundim ka dalë dhe studiuesi i famshëm japonez Kazuhiko Yamamato. Në librat e tij ai thekson tezën se struktura homerike është e përbërë nga besa, nderi, miku, gjaku dhe hakmarrja. Pra studiuesi japonez gjen shumë të përbashkëta, duke mbështetur tezën e hershmërisë së popullit shqiptar. Një tezë shumë e rëndësishme që del në përfundimin se popullsia shqiptare ka një histori zhvillimi dhe qytetërimi po aq të lashtë sa ajo e grekërve.

Kanuni i Labërisë mbart në vetvete norma shumë të lashta dhe me karakter primitiv. Ai është studiuar me shumë kujdes sepse përmban norma të së drejtës ilire, të rendit gjinor e farefisnor dhe më pas është pasuruar  me norma të të gjitha fazave që ka kaluar historia shqiptare nëpër shekuj.

Zakonet popullore u kthyen në norma juridike të pashkruara.

Në terma më të kuptueshëm ai përmbante fillimisht disa tabu, veprime që nuk duhet të kryheshin nga anëtarët e komunitetit, në asnjë rethanë. Ai shpjegon normat e moralit, norma që tregonin se kush ishte e mira dhe e keqja, si duhet të stimuloheshin veprat e mira dhe si duhet të luftoheshin të këqijat. Me kalimin e kohës të gjitha këto u kthyen në zakone të shqiptarëve.

Vendi ynë ka qenë një territor i pushtuar nga shumë invazorë të huaj. Si është e mundur që shqiptarët nuk zbatonin ligjet e pushtuesve?

Profesor Elezi e ka një përgjigje shkencore. Askush nga të huajt nuk arriti të impononte të drejtën e tij ligjore. Lebërit vazhdonin të qeveriseshin nga e drejta zakonore duke shpërfillur romakët, bizantët dhe turqit. E drejta zakonore asnjëherë nuk u asimilua nga të huajt.

Gojëdhënat popullore rrëfejnë se krijuesi i Kanunit të Labërisë ishte Papa Zhuli që ka jetuar në shekullin XI. Ai ishte një prift i Zhulatit dhe ka jetuar në kohën kur Shqipëria ishte nën pushtimin bizantin. Profesor Elezi ngul këmbë që e drejta zakonore është shumë më e vjetër dhe ndoshta Papa Zuli vetëm mblodhi atë që ishte trashëgimi e lashtë nga ilirët.

Dokumentet e para për Kanunin e Labërisë do të vinin në vitin 1492. Perandoria otomane do njihte Himarën si kryeqendrën e Labërisë. Udhëtarë të huaj të kësaj kohe si Lik, Liri, Hobhans dëshmojnë në veprat e tyre për një kod zakonor që ishte baza e qeverisjes së krahinës.

Në Kanunin e Labërisë ajo që të bën përshtypje është martesa. Sipas këtij kanuni martesa ishte monogame dhe egzogame duke i shpallur luftë çdo lloj martese tjetër. Një vend të rëndësishëm në Kanunin e Labërisë zinin normat e zhvillimit ekonomik të krahinës si dhe ndarja e sinoreve dhe pasurisë. Prona private, format e tjera të pronësisë, trashëgimia trajtohen gjerësisht. Gjithashtu  flitet dhe për sanksionet ndaj keqbërësve, atyre që shkelnin besën, marrëdhëniet në familje etj.

Please follow and like us: