Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Islami: Synimi i Ramës për elemiminin e LSI…

Rama përmes detyrimit të Metës për tu bërë president ka një qëllim. Ky që do të lexoni më poshtë nuk është mendimi im për qëllimin e Ramës por thjesht qëllimi i vërtetë i Ramës. Objektivi i tij i maskuar.  Synimi i tij i vërtetë.

Rama ka si objektiv të ri synimin e tij të vjetër apo qëllimin makiavelik që e mundon prej shumë kohësh, ti heqë LSI mundësinë të jetë faktor përcaktues apo sic thuhet ndryshe mundësinë të jetë king-maker. Madje ta largojë nga peisazhi politik dhe ta absorbojë apo edhe deri ta eleminojë si forcë politike. Sepse LSI/Meta është pengesa kryesore e Ramës dhe e vetmja që e pengon momentalisht për të qeverisur me “dorë të fortë”, i vetëm dhe pa bezdisjen që i shkakton një aleat në koalicion drejt një qeverisjeje autoritare, hibride, korruptive, kriminale.

Rama ka gjykuar se ky është momenti i volitshëm për të hequr qafe LSI/Metën, pasi ka “spastruar” PSSH nga të gjithë kundështarët , apo më saktë të gjithë ata që kanë pasur një histori në PSSH, kanë pasur një eksperiencë partiake apo qeverisëse, që zotëronin kapacitet e vlera. Tani i vetmi “armik” që e ka besdisur vazhdimisht por që tani mund të kthehet në faktor i humbjes së pushtetit në një moment të caktuar do të ishte vetëm LSI/Meta.

Rama ka llogaritur se tani kur opozita kryesore mund të mbetet jasht parlamentit për shkak të zgjedhjeve eventualisht moniste, qoftë edhe për disa muaj pra të përkohshme, është momenti i përshtatshëm për të hequr qafe LSI/Metën sepse LSI pa opozitën prezente në parlament s’mund të jetë king-maker sepse king-maker mund të jesh vetëm kur të paktën ka tre lojtarë kryesorë reale dhe jo me një opozitë fasadë kur vetë Rama programon të ketë mbi 80 deputetë. Dhe këtë mundësi për ta kthyer pesiazhin parlamentar me një PS, maxhorancë e vetme dhe super e madhe prej 80 deputetësh, me LSI detyrimisht në opozitë “fasadë” dhe disa copëza opozitare putiniste ia dha vetë Meta pasi u zbyth duke pranuar të futet në zgjedhje pa opozitën, pra në mënyrë figurative pranoi të bëhej bashkëpunëtor për të vrarë eventualisht pluralizmin duke u vetëvrarë në hapin tjetër sci ndodh në sistemet autoritare me bashkëpuntorin më të ngushtë.

Rama prej kohësh ka ndërtuar një projekt jo thjesht për të mos ndarë pushtetin me LSI/Metën por për ta hequr qafe përfundimisht, dhe jo thjesht jo si faktor përcaktues por si subjekt politik. Cadra e opozitës dhe dobësia e LSI, por mbi të gjitha paaftësia nga lodhja e Metës e ndihmuan Ramën të fillonte zbatimin e projektit të tij për eleminimin e LSI përmes rehatimit/pensionimit në presidencë të Metës. E thënë më shkoqur, LSI/Meta e lodhur nga betejat disa vjecare mes dy partive kryesore e vecanërisht nga makinacionet makiavelike të Ramës dhe “obeze” nga pushteti i gjatë, nuk kishte më as fuqi dhe as nerva të sakrifikonte për të mbrojtur së bashku me opozitën zgjedhjet e lira e të ndershme nga beteja me krimin, korrupsionin dhe kanabisin, sidomos në përballje në rrugë. Kështu Meta iu dorëzua Ramës që ka vetëm një objektiv të ruajë karriken e tij të kryeministrit.  Aq më tepër që Rama së bashku me disa “mercenarë” të “kanabis-deplomacisë e kërcënonin prej kohësh Metën me burg-vetingun.

Rama sapo ka hedhur hapin e parë duke e tërhequr LSI në zgjedhje pa opozitën dhe duke e detyruar/joshur Metën të “struket” në zyrën e Presidentit të zhveshur tërësisht nga kompetencat, një proces që kishte ndodhur gjatë periudhës 2013-2017 edhe me ndihmën e vetë LSI. Meta është detyruar të zgjedhë mes “mbrojtjes plot sakrifica” të zgjedhjeve të lira e të ndershme së bashku me opozitën, ndoshta edhe një betejë të gjatë në rrugë dhe kalimit në “opozitë fasadë” në parlamentin farsë të dalë nga zgjedhjet pa PD dhe opozitën reale duke u detyruar/joshur ndërkohë Metën me postin e Presidentit. Pra Meta mes Ramës që i kërkoi të shkonin në zgjedhje pa opozitën dhe Bashës që i kërkon zgjedhje të lira e të ndershme me qeveri teknike, pa Ramën kryeministër, zgjodhi Ramën. Sipas tij zgjodhi të keqen më të vogël për vetën e tij e partinë e tij por të keqen e madhe për pluralizmin dhe stabilitetin e vëndit.

Rama pasi u bind se Meta mes tij dhe Bashës, apo më saktë mes opsionit të zgjedhjeve pa opozitën dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme me një qeveri pa Ramën kryeministër zgjodhi opzionin e Ramës, i dha Metës edhe goditjen vijuese fatale. Kështu Rama e detyroi Metën të zgjidhte mes zgjedhjeve të parakohshme ose postit të presdentit. Në mënyrë figurative mund të thuhet se Rama programoi që “vrasjen” e LSI/Metës ta realizonte për të qënë i sigurtë me dy plumba ose më saktë plumbi i vetëvrasjes së Metës duhet të kalonte në të dy anët. Meta i lodhur, i drobitur, dhe i mbetur vetëm e pranoi edhe këtë variant.

Rama do ta trajtojë LSI në fushatën e zgjedhjeve farsë, nëse ato do të mund të zhvillohen sipas objektivit të Ramës, si opozitë. Kudo, publikisht e haptas apo në mbledhjet e forumeve elektorale të PS, LSI e kandidatët e saj do të konsiderohen nga të gjithë kandidatët e PS si opozitë dhe kundërshtare e vetme e PS që duhet rrudhur në maksimum. Sa më shumë të rrudhet LSI në këto zgjedhje farsë aq më i shpejtë do të jetë fundi i saj në hapat e mëtejshëm. Edhe nga formula matematike e sistemit zgjedhor, LSI ështe e defavorizuar duke konkuruar e vetme në zgjedhje, gjë që Rama me mashtrime e detyroi LSI/Metën duke mos e lejuar të rregjistrohej si koalicion me PS, gjë që LSI/Meta e dëshëronte duke ditur shumë mirë këtë hile të Ramës.

Rama gjatë fushatës elektorale do të demotivojë shumë nga nga kandidatët e LSI/Metës ose do të bëjë diversion me disa prej tyre me tezën se “LSI do të jetë në opozitë”, dhe “nëse dëshëroni të mbeteni në pushtet bashkohuni me PS e abandoni LSI” aq më tepër që Meta e zgjodhi të ardhmen e tij. Rama do të përhapë brënda LSI (diz)informimin se  ky është fundi politik i LSI/Metës, prandaj bashkohuni me PS nga e cila keni dalë. Dhe nëse një pjesë e vogël do ti rrezistojë këtij diversioni, atëhere në prag të zgjedhjeve që do të pasojnë zgjedhjet farsë, Rama do ti kërkojë “qëndrestarëve të LSI”, duke i kërcënuar njëkohësisht se “ata nuk mund të jenë më king-maker” e ndërkohë Meta është në presidencë, të bashkohen në të Majtën e Bashkuar, një projekt për të absorbuar tërësisht e përfundimisht LSI.

Meta nuk është ende shah-mat. Meta e di këtë dhe e mendon pa asnjë dyshim. Ai e ka ende të mundur zgjidhjen që kalon përmes sakrificave për zgjedhje të lira e të ndershme, vetëm me pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje. Kjo është një mundësi plot sakrifica, vështirësi, betejë e gjatë dhe përballje e mundishme, por jo vetëm e moralshme, e ndershme dhe parimore por e vetmja që mund të shpëtojë LSI nga rrudhja, absorbimi dhe eleminimi, madje duke i shërbyer edhe të “pastrohet” e lehtësohet nga viruset e pushtetit të gjatë, duke mbetur eventualisht një subjekt politik i rëndësishëm dhe eventualisht edhe king-maker. Përndryshe ky do të ishte fillimi i fundit politik të LSI/Metës dhe njëkohësisht i realizimit të synimit të Ramës. /SYRI.net/

Please follow and like us: