Koço Kokëdhima: Rënia e zgjedhjeve
Vendi është zhytur në një krizë të rëndë politike. Opozita është në rrugë. Ajo nuk është regjistruar dhe nuk paraqiti kandidatë për zgjedhjet e 18 qershorit. Zgjedhjet e datës 7 maj në Kavajë nuk mund të zhvillohen normalisht. Kavaja është në prag të një konfrontimi të madh. Bashkë me zgjedhjet e Kavajës janë hedhur në erë edhe zgjedhjet e përgjithshme të 18 qershorit. Vendi po shkon drejt kaosit dhe destabilizimit.
Pasojat e kësaj situate janë shumë të rënda për çdo ditë që kalon dhe për cdo ditë që vjen. Lidershipi i qeverisë u përpoq të manipulonte haptazi opinionin publik me javë të tëra. Duke mohuar të vërtetën dhe situatën reale politike, e la dhe po e zhyt edhe më thellë vendin në thonjtë e një krize të papreçedentë. Edhe në krizën e përgjakshme famëkeqe të piramidave financiare të 1997-ës, Shqipëria arriti asokohe të mbajë zgjedhje gjithëpërfshirëse. Ai thotë se “krizë ka vetëm PD-ja”, “vendi nuk ka krizë”, “nuk më shqetëson fare fakti se opozita do jetë në rrugë dhe jo në parlament në 4 vitet e ardhshme”, “vdektë çadra”, “zgjedhjet e Kavajës do bëhen në 7 maj”, “zgjedhjet e 18 qershorit nuk vihen në dyshim, do bëhen fiks në 18 qershor”, “shihemi pas katër vitesh” e të tjera broçkulla si këto. “Zgjidhja” ka paralajmëruar opinionin publik dhe të majtën jo vetëm për faktin se këto deklarata i bëjnë njerëz që nuk shikojnë më larg se hunda dhe karrikja e tyre, por edhe për rrezikshmërinë e madhe të këtyre qëndrimeve e vlerësimeve politike.
Dua t’u rikujtoj edhe një herë liderëve politikë të papërgjegjshëm dhe dritëshkurtër të Shqipërisë se zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë, se zgjedhjet e 18 qershorit kanë rënë dhe se ato në asnjë rast nuk do prodhojnë dot as institucione legjitime dhe as stabilitet. Shqipëria po shkon drejt një situate kritike. Rama mendon dhe tenton që të rindërtojë me ca nga këto partizat e shportës së koalicionit të tij, një grup që do bëhet opozita farsë dhe e emëruar e vendit. Dhe ky do shkojë në parlamentin e ardhshëm si “sulltani i vogël” përballë kësaj opozite të sajuar. Ai është betuar se në katër vitet e ardhshëm do të përfaqësojë edhe elektoratin e opozitës reale, e cila nuk do marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit.
Ndjej vërtet keqardhje për këta aleatët e vegjël të cilët, të rraskapitur nga dështimi i tyre shumëvjeçar, të lodhur nga zhgënjimet dhe të ndjerë të përdorur nga kalorësit e pushtetit, mendojnë se ju ka ardhë rasti në dorë dhe mundësia që të përfitojnë tani që “Komanda Supreme e Rilindjes” po i bën copë zgjedhjet, opozitën dhe Shqipërinë. I ftoj të gjithë të gjykojnë situatën me gjakftohtësi dhe të mos bëhen pjesë e lojërave të errëta për pushtet që rrezikojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin e vendit.
Në vitin 1991 në Shqipëri u vendos pluralizmi, por jo demokracia. Në këto 26 vite në vendin tonë ka sunduar një regjim hibrid, i korruptuar deri në palcë, i cili ka inkriminuar në çdo qelizë shtetin dhe shoqërinë, një regjim antipopullor, i pashpirt dhe i bazuar te tutkunët, të paaftët, servilat, mafiozët, horrat dhe maskarenjtë; rregjimi i partitokleptokracisë. Tani, pas 26 vitesh, jo vetëm që nuk ka asnjë shpresë për të vendosur demokracinë e ëndëruar, por Edi Rama po zhduk edhe të vetmen arritje madhore të sistemit politik aktual, po shkatërron e varros edhe pluralizmin politik të institucionalizuar. Largimin e opozitës nga parlamenti i ardhshëm, ai e konsideron të ligjshëm! Ky është një gabim tragjik i kryeministrit. Është e vërtetë se politika mishërohet në ligjet që bëhen, por është arsyetim i cekët të thuash se ligjet prodhojnë politikën. Ai ka përgjegjësi politike, morale, shtetërore dhe qytetare. Nuk mund të justifikohet se ia lejon ligji të lërë jashtë zgjedhjeve 40 për qind të shqiptarëve. Këtë ai e bën vetëm për interesa personale.
Disa herë ai ka mbrojtur me kokëfortësi interesin dhe pushtetin personal në dëm dhe në injorim të interesit të së majtës dhe të interesit të popullit. Në vitin 2009 ai refuzoi koalicionin me LSI dhe i dha edhe 4 vite të tjera pushtetin Berishës vetëm sepse kërkonte më shumë pushtet personal. Për të njëjtën arsye në vitin 2011 Rama e çoi në humbje Partinë Socialiste në zgjedhjet për bashkinë e Tiranës. Ata që arsyetonin me logjikë të ftohtë e dinin se Rama do e humbiste betejën, por ai i shkoi me kokëfortësi deri në fund idesë së tij, sepse nuk e mendonte dot veten asnjë ditë pa pushtet. Edhe sot ai, me kokëfortësi është duke e çuar vendin drejt konfliktit dhe destabilizimit vetëm, sepse nuk pranon ta zgjidhë këtë krizë me mjete politike…
***
…Zgjedhjet e 18 qershorit po dështojnë. Ato nuk mund të jenë zgjedhje të lira e të ndershme, as gjithëpërfshirëse e të paqta. Ky është një dështim edhe për ambasadorët e vendeve tona partnere, të cilët kanë luajtur një rol të madh në zhvillimet tona politike. Ata e dinë shumë mirë se Shqipëria qeveriset nga njerëz të korruptuar e të inkriminuar të cilët janë arrogantë, brutalë e mizorë me qytetarët shqiptarë, por servilë e të përunjur ndaj diplomatëve të huaj. Këta diplomatë është dashur të ushtrojnë ndikimin e tyre pozitiv për reformën zgjedhore dhe për pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve në Shqipëri. Kjo nuk ndodhi. Ndodhi e kundërta. Qeveria dhe ambasadorët e përbuzën totalisht dosjen e zgjedhjeve dhe atë të reformës zgjedhore. Kjo është e paimagjinueshme. Kujt i intereson që ky vend të vazhdojë të lëngojë në thundrën e këtyre regjimeve të korruptuara sepse nuk bën dot zgjedhje të lira e të ndershme?! Populli shqiptar ushqen ndjenjat më të larta të miqësisë, respektin, dashurinë dhe mirënjohjen më të thellë për SHBA-të dhe për popujt e BE-së. Me zemër, vullnet dhe vetëdije të thellë kombëtare, historike, kulturore e politike, shqiptarët kanë zgjedhur si orientim final për të ardhmen e tyre integrimin e plotë e përfundimtar në aleancën e NATO-s dhe në BE. Unë jam i sigurtë se partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë nuk kanë nevojë për servilë të korruptuar e të inkriminuar në politikën dhe në qeverinë e Tiranës. Përmbushjen dhe mbështetjen e interesave të ligjshme të partneriteteve tona strategjike, do e kishte për nder dhe privilegj çdo pushtet, zyrtar i lartë dhe institucion në Shqipëri. Unë besoj se kuotimi i servilizmit të përdalë të qeveritarëve tanë të korruptuar dhe të inkriminuar ndaj ambasadorëve dhe interesave të huaja, nuk është as në shërbim dhe as në interes të partneriteteve tona strategjike. Përkundrazi, është në dëm të tyre dhe në dëm të popullit tonë. Nuk i ndihmojnë punët e popullit tonë deklaratat e liderit të koalicionit të majtë kur thotë se unë, (nënëkuptoni atë) nuk e lexoj kushtetutën, ose kur thotë se unë i firmos në të bardhë ndryshimet e kushtetutës dhe këtë letrën e bardhë të firmosur ja jap ta shkruajnë partnerët tënë ndërkombëtarë. Të njëjtat deklarata ka bërë kryeministri ynë edhe për kodin zgjedhor, infrastrukturën dhe reformën zgjedhore, ekonominë kriminale të marijuanës etj. Këto nuk tregojnë përkushtim për zhvillimin e interesave të partneriteteve strategjike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kjo është një kartë që politikanët e Tiranës e luajnë për t’u shitur këtu si të përzgjedhurit e fuqive më të epërme të kohës dhe për ta përdorë këtë kartë si alibi për të përligjur paudhësitë, tradhëtitë dhe punët e mallkuara që bëjnë në drejtimin e vendit. Keta zyrtarë të lartë janë të marrë e të poshtër që na kujtojnë të gjithëve për budallenj. Qytetarët dhe zgjedhësit shqiptarë nuk e pëlqejnë dhe e refuzojnë protagonizmin e papërligjur të ambasadorëve që as nuk janë të zgjedhur dhe të ngarkuar nga populli shqiptar për të luajtur atë rol që luajnë shpesh herë, në tejkalim flagrant e të plotë të vijave të kuqe që përcakton konventa e Vjenës për sjelljen dhe veprimtarinë e diplomatëve të huaj në vendin pritës dhe as nuk duhet të ndërhyjnë në punët e brendshme të Shqipërisë. Ambasadorët e huaj nuk zgjidhen nga populli shqiptar, as nuk përfaqësojnë interesat e shtetit shqiptar domosdoshmërisht, në qëndrimet që mbajnë. Ata nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për dështimet tona. Ambasadori i OSBE-së, zoti Borchart duhet të na thotë se si mund të shkojë Shqipëria në Europë me këto zgjedhje ku dy partitë e mëdha vjedhin dhe shqyejnë votat e partive të tjera?! Standardet e zgjedhjeve shqiptare nuk janë të pranueshme në asnjë vend demokratik të botës. Ç’mendon OSBE për këtë? Ka ndonjë përgjegjësi ajo? Misioni i OSBE/ODIR-it nuk është investuar dhe nuk ka luajtur rolin e duhur për pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve në Shqipëri. Kudo në vendet e Lindjes kishte probleme me zgjedhjet, por kudo këto probleme u zgjidhën. Edhe në Ballkan asnjë vend nuk ka problem me zgjedhjet. Shqipëria është i vetmi vend në kontinent ku vidhen zgjedhjet. Ambasadori i OSBE-së do të vlerësohesh shumë në rast se në vend të mbështetjes për justifikimet e qeverisë, ai do ndihmojë që të bëhet reforma zgjedhore dhe sivjet në Shqipëri të zhvillohen zgjedhje vërtet të lira e të ndershme dhe gjithëpërfshirëse. “Zgjidhja” edhe një herë e fton Ramën që të tërhiqet, të mos jetë më problemi, por të bëhet pjesë e zgjidhjes. Ne i kërkojmë që të bëhet reforma zgjedhore, të shtyhen zgjedhjet për në vjeshtë, të sigurohet infrastruktura zgjedhore me elementët dhe teknologjitë që do të garantonin pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve, të zëvendësohet administrata zgjedhore partiake me administrimin shtetëror të zgjedhjeve dhe të merren të gjitha masat ligjore që do garantonin një herë e përgjthmonë zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri. Në të kundërt Rama do të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë për pasojat që mund t’i vijnë vendit dhe qytetarëve nga kjo krizë. E majta, përpara Ramës, ka ditur t’i zgjidhë krizat me mjete politike efikase dhe jo me kokëfortësi. Në 8 vitet e qeverisjes së kaluar të Partisë Socialiste, katër herë u ndryshua qeveria e saj me qeveri dhe kryeministra të tjerë të së majtës. Edhe sot kjo është plotësisht e mundur. Partia Socialiste mund të krijojë një qeveri të shumicës së majtë që garanton besim dhe zgjedhje të lira e gjithëpërfshirëse në vjeshtë, zgjedhje që do i mundësonin të majtës të qeverisë edhe katër vite të tjera në paqe.
*Fjala e botuesit, me shkurtime, mbajtur dje në një aktivitet të Lëvizjes ‘Zgjidhja’ në Korçë.