Pieter Feith: Në Shkup po luhet me zjarrin
Pieter Feith: Nacionalistët maqedonas po luajnë me zjarrin. Mos e dhëntë Zoti, por hapi i ardhshëm që mund të imagjinoj është të rroken armët si në 2001.
“Nacionalistët maqedonas po luajnë me zjarrin”, paralajmëron njeriu që dikur ndihmoi të shmangej zhytja e vendit fqinj në luftë civile.
Pieter Feith ishte përfaqësuesi i NATO-s në negociimin e marrëveshjes së paqes, që i dha fund muajve të tërë përplasjesh të armatosura mes forcave maqedonase të sigurisë dhe guerrilasve shqiptarë në vitin 2001.
Ndërhyrja e tij u konsiderua e vyer asokohe, por pas zhvillimeve të fundit, Feith sheh sërish rrezik.
“Mos e dhëntë Zoti, por hapi i ardhshëm që mund të imagjinoj është të rroken armët si në 2001-shin, e nëse kjo ndodh do të gjendemi shumë shpejt në prag të një lufte civile”, ishte komenti i tij për Reuters.
Diplomati holandez ka shërbyer ndër të tjera edhe si i dërguar i BE-së në rajon dhe aktualisht është këshilltar i lartë pranë Institutit Europian të Paqes, i cili mbështet ndërmjetësimin e bllokut dhe përpjekjet për zgjidhje të konflikteve.
Feith shkon deri aty sa të sugjerojë që Brukseli, jo vetëm të marrë në konsideratë vendosjen e sanksioneve, si ndalimi i udhëtimit apo masa financiare që të shënjestrojnë drejtpërdrejt udhëheqjen e VMRO-së, por edhe të mendojë bllokimin e procesit të aderimit të Maqedonisë për t’i dhënë fund këtij ngërçi të rrezikshëm.
Zhvillimet e dhunshme të së enjtes i vunë në lëvizje demokracitë perëndimore. Pas sulmit në Parlament, të cilin e konsiderojnë të organizuar, BE, NATO, SHBA dhe OSBE sqaruan përmes një deklarate të përbashkët se presin hetim sa më të shpejtë për këto vepra kriminale dhe nxjerrjen e autorëve përpara drejtësisë, ndërsa këmbëngulin që gjykatat të veprojnë në mënyrë të pavarur.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup pohoi se krijimi i qeverisë së re, konfirmimi i Talat Xhaferit si kryeparlamentar dhe zbardhja e dhunës së të enjtes do të jenë pjesë e rëndësishme e axhendës se zëvendësndihmës Sekretarit të Shtetit për Europën dhe Euro-Azinë, Hoyt Brian Yee, gjatë vizitës së këtij të fundit në Maqedoni.
Yee planifikon takime intensive me të gjithë udhëheqësit e partive politike parlamentare, e ka ndërmend të bisedojë nga afër edhe me presidentin Gjorge Ivanov./politiko.net