Rrezik përplasjeje nga hegjemonia socialiste
Zgjedhja e presidentit të ri vulosi kalimin e të gjithë pushteteve majtas. Në këto kushte duhet të funksionojë mirë sistemi demokratik, se ndryshe tendenca natyrale e popujve për ekuilibrim do pasohet më përmbysje të dhunshme. Këtë leksion e kemi mësuar nga historia e tre dekadave tona të fundit.
Në vitin 1996-7 të djathtët u tregon të pangopur në akumulimin e pushtetit, morën një mazhoritet absolut në parlament dhe rizgjodhën për një mandat të dytë presidentin e tyre. Brenda disa muajve i humbën të gjitha pushtetet. Kur të gjitha pushtetet anojnë në një krah të politikës nga thellësitë e një vendi shpërthen nevoja për ndryshim.
E njëjta gjë ndodhi në vitin 2005. Ndonëse të majtët pranuan zgjedhjen e një presidenti konsensual në vitin 2002, ai gradualisht anoi me mazhorancën e majtë. Kur të gjitha pushtet shkuan majtas, erdhi edhe ndryshimi djathtas.
Në vitin 2007 edhe të djathtët i morën përkohësisht një pjesë të mirë të pushteteve, por presidenti i asaj kohë e shkëputi presidencën nga ndikimi i partisë së tij dhe në 2009 ndryshimi ishte i pjesshëm – u krijua një qeverisje hibride e djathtë me një pjesë të së majtës.
Në vitin 2013, kur të djathtët morën edhe presidentin në vitin 2012, e humbën edhe mazhorancën parlamentare dhe qeverisjen e vendit.
Presidenca është pushteti i fundit që paralajmëron një ndryshim mazhorance. Popujt kanë një instinkt mbrojtje, balancimi dhe shpëtimi ndaj pushteteve absolute.
A do ndodhi edhe tani diçka e tillë? Është e pritshme. Aktualisht, sistemi politik në Shqipëri është ç’ekuilibruar dhe duhet të ketë një kthim në normalitet. Shqipëria po anon tërësisht majtas. Një hegjemoni të tillë të së majtës nuk e kemi parë qysh nga koha e monizmit.
Sot kemi një kryeministër të majtë, president/kryeparlamentar të majtë. Pothuajse të gjitha institucionet, qeveri qendrore, parlament, qeverisje vendore dhe këshillat bashkiakë, janë tërësisht ose anojnë majtas. Bashkë me ta kanë anuar majtas administrata publike, institucionet shteterore si policia, shëndetësia dhe arsimi. Me ngulm po duan që drejtësia të shkojë majtas. Edhe si për t’i vënë kapakun të gjithë kësaj hegemonie, duan të zhvillojnë edhe zgjedhjet pa të djathtën dhe ta kenë parlamentin dhe të gjithë shtetin majtas. Kjo është e rrezikshme.
Absolutizmi i së majtës nuk mundet të zgjasë gjatë. Pyetja është se nëse nuk lejohet që balancimi të ndodhi me votë a ka gjasa të ndodhi me forcë? Historia e vitit 1997 na thotë se forca mund të rreket si alternativa e fundit nga grupet e nëpërkembura. Sado e dobët të duket opozita reale, një shkëndijë, një krizë e papritur që mund të mos ketë lidhje direkte me situatën, hedh sistemin në erë.
Prandaj është e nevojshme qe kjo mazhorance të kthjellohet dhe bëjë një hap pas. Jo të japi pushtetin në tavolinë, por të na bindi të gjithëve se fitorja e saj e ardhshme nuk është produkt i kapjes se gjithë pushteteve, por i aftësive të saj bindëse dhe frymëzuese. Ndryshe një përplasje e madhe është e pashmangshme.
Nuk mundet që gjysma e një populli të pranoje sundimin e gjysmës tjetër, aq më tepër kur bëhet fjalë për dominime të pandershme që burojnë nga trukimet elektorale, kapja e medias, burimeve shtetërore dhe një aleance lokale dhe kombëtare me grupet e organizuara kriminale…