Bojkoti i PD, zërat hapur kundër Bashës
Vendimi i Lulzim Bashës për të mos hyrë në zgjedhjet e 18 qershorit nuk është mirëpritur nga radhët e PD-së. Brenda ditës së sotme janë tre zëra që dalin hapur kundër tij. E para ishte Majlinda Bregu, më pas Jozefina Topalli dhe në fund Eduart Selami.
Ish-ministrja e Integrimit thotë se vendim për bojkot është marrë në mungesë të nje debati real, ndërsa thekson se s’mbahet mend koha që kur grupi parlamentar i PD mblidhej për të dëgjuar dhe për t’u dëgjuar nga kryetari i partisë.
“Zgjedhja për të bojkotuar parlamentin u bë pa i lënë kohë një debati real. Megjithatë e kam përkrahur edhe cadrën edhe protestën civile të qytetarëve si formën më demokratike për të kthyer vëmendjen e të gjithëve tek ceshtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kam kërkuar disa herë edhe në takimet me kryetarin e Partisë mbledhjen e grupit parlamentar demokrat. Vendimi për të mos u futur në zgjedhje u mor pa lejuar asnjë debat real. Edhe vendimi për ta refuzuar paketën e kompromisit që propozuan miqtë tanë të Partive Popullore Evropiane, u mor pa u konsultuar me askënd”, shkrun Bregu.
Teksa kujton vitin 1997 kur PD u fut në zgjedhje pavarëissht trazirave dhe kërcënimeve, Bregu thotë se nuk mund të heshtë me përballë kësaj situatte, ndonëse u përpoq me mish e me shpirt ta ndihmonte PD-në dhe Lulzim Bashën, duke u munduar gjithashtu të bindte miqtë e PPE-së .
“Por sot nuk mund të hesht më sepse edhe vetë ata që kurrë s’na kanë lënë vetëm më parë, që nga Presidenti Daul e deri tek i fundit në PPE, më përsërisin prej disa ditësh: “Na vjen keq po mesa duket nuk ju ndihmojmë dot më, sepse ju nuk doni të ndihmoni veten!” Ata duan që PD të hyjë në zgjedhje! Ata duan që ne të jemi në parlament! Ata duan që të kthehemi menjëherë në Kuvend dhe të votojmë të gjitha ato që duhen për zgjedhjet e për reformën në drejtësi! E di që zeri im sot mund të duket një zë në shkretetirë, por shpresoj të mos mbetet kështu. Dhe une jam e bindur që Shqipëria bëhet më europiane me zgjedhje të lira e të ndershme dhe jo me rrëmujë të cilën s’na e ka borxh asnjë qytetar i këtij vendi!”, thotë Bregu.
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është shprehur se ka kërkuar mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së për të diskutuar pjesëmarrjen në zgjedhje dhe kostot e bojkotit.
“Kam kërkuar prej të paktën 1 jave mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së për të diskutuar se çfarë do të bëhet me pjesëmarrjen në zgjedhje si dhe për t’u njohur me kostot e bojkotit që lidershipi i PD ka vendosur në raport me zgjedhjet”– është prononcuar Topalli për Balkanweb.
Kundër Bashës është rreshtuar edhe ish-kryetari i PD-së në fillim të viteve ’90, Eduard Selami.
Duke folur për Zërin e Amerikës, Selami thotë se Basha përdori çadrën për të bojkotuar Parlamentin në një moment të rëndësishëm për vendin siç ishte reforma në drejtësi.
“Kam vënë re që z.Basha e përdori çadrën jo më për një protestë paqësore por fatkeqësisht, me një retorikë populiste dhe me një gjuhë të papërshtatshme e përdori për të anashkaluar institucionet dhe me keq akoma, për të bojkotuar Parlamentin në një moment shumë të rëndësishëm siç është reforma në drejtësi që është e lidhur me rrugën integruese të Shqipërisë në Europë. Dhe më tej akoma në një retorikë të paprecedentë për të bllokuar dhe për të mos marrë pjesë në zgjedhje e cila është mjaft e dëmshme për Shqipërinë dhe për Partinë Demokratike”, tha Selami.