Denis Dyrnjaja: Kujt i duhen llogjet elektorale
Është skandaloze që zgjedhjet po vijnë sërish dhe të gjithë flasin për Vetting, për lista kandidatësh, për dorëheqje qeverie e për presidentë, por asnjë forcë politike nuk ka prioritet shëndetin e popullatës. Në kushtet kur pjesa më e madhe e ushqimeve është komplet e dyshimtë, me data skadence të manipuluara, me produkte bimore dhe shtazore pa dije origjine, me ajër të ndotur nga 10-40 herë më shumë se normat e vendeve të BE-së nga nafta surrugatë dhe pluhuri pa limit që ndotin ajrin. Askush nuk flet ndërsa e marrim dhe e pranojmë këtë gjendje të degjeneruar dhe shkatërrimtare si realitet normal.
Më paradoksal është fakti se të gjithë jetojmë në këtë vend, si dikush që është i pasur, si dikush që është i varfër, si kryeministri, ashtu edhe pensionisti, presidenti e taksisti. Duket si një bashkëfajësi në këtë krim masiv të heshtur, për shkak të të cilit çdo vit humbin jetën 4 mijë personave vetëm nga kanceri.
E kujt i duhen llogjet elektorale dhe kush hyri e kush doli nga lista për deputet kur ne po na sëmuren fëmijët masivisht nga alergji të panjohura e po na vdesin familjarët si me qenë në luftë jo në paqe.
Reagoni njerëz ky është rasti juaj që vjen një herë në 4 vjet të kërkoni më shumë përgjegjësi për jetën tuaj dhe cilësinë e saj. Ne nuk mund të jemi thjeshtë ca numra të regjistruar në gjendjen civile kur lindim e vdesim!