Gani MEHMETAJ: Vorret e krushqive
Vorret e krushqive gjenden shpesh në udhëkryqe, në kodra të braktisura a në rrugë nacionale. Legjenda për dy palë krushqi, që nuk ia lëshuan rrugën njëri-tjetrit, duke u vrarë në mes veti deri në shfarosje i ndjek të gjitha rrëfimet. Sipas gojëdhënave që t’i thonë edhe sot katundarët, të fundit janë vrarë nuset në mes veti. Dëshmi e kësaj kryeneçësie e zakoni mizor të kohës janë grumbuj varresh të vetmuara, në mes të lisave qindra, a mbase mijëra vjeçar, që fshehin shumë gjëra. Nuk pati asnjë dëshmitarë, thonë gojëdhënat, nuk pati asnjë të mbijetuar.
Sot krushqit në Rrafshin e Dukagjinit ndërrojnë rrugë, andej nga shkuan, nuk kthehen, këtë e marrin vesh edhe krushqit e tjerë, në mënyrë që të mos ndeshen.
Varret e trishta me gurë të mëdhenj, gati monumental, një tjetër e veçantë iliro-arbërorëve janë pjesë e historisë që ndeshën në shumë katunde e kodrina. Edhe për këto varre ka rrëfime nga më interesantët. Disa i lidhin me sëmundjet e frikshme: kolerën a e murtajën. Të tjerët janë të prirë të besojnë se njerëzit e atëhershëm ishin më të mëdhenj se sa këta të sotmit, prandaj kanë varre më të mëdha, kanë gurë mbi varre sa tre herë gurët e tashëm etj. Në afërsi të këtyre varreve janë bërë edhe varret e mëvonshme.
Tumat ilire, që fshehin varre të banorëve vendës, janë po ashtu të shpeshta në katundet e Komunës së Gjakovës. Kryesisht nuk janë larg vendbanimeve, apo kështjellave antike. Arkeologu i ekipit H. M. thonë se varrimi është bërë me djegie apo me futje në dhe. Edhe pas dymijë vjetësh këto varre hetohen me sy të lirë.
Në shumë katunde ka kisha të antikës së vonë, ndërsa gati nuk ka katund, ku nuk ka emërtime të vjetra, ende të ruajtura të tipit: Ara e Kishës, Ara e Priftit, Kisha e Vjetër, Zabeli i Kishës etj. Për këto kisha a rrënoja kishash thuren legjenda nga më të ndryshmet. Gojëdhënat janë bartur ndër breza, disa janë ripërtërirë. Në rrënojat e kishës së Cërmjanit vendësit, shqiptarë myslimanë, edhe pse e dinë që është kishë e vjetër, edhe sot e kësaj dite lënë dhurata të ndryshme-fli me lutjen që të shërohen të afërmit e tyre, apo i luten Zotit për mëshirë.
Por ka edhe rrëfime rrëqethëse, të pabesueshme, të tipit, mos e prek vendin e shenjtë se të zë mallkimi E kësaj natyre është rrëfimi i banorëve për dy djem të ri që vdiqën befas, sepse sipas katundarëve rrëmuan themelet e kishës së vjetër, ndërsa banorët që më parë ua tërhoqën vërejtjen se është punë më rrezik, është mallkim të prekësh vendet e shenjta. Dy djemtë e ri që lëvizën themelet e kishës nuk i gdhiu mëngjesi.
Fenë e moçme e kanë braktisur nga zori, thonë ata, por shenjtëria e kishave është përcjell brez pas brezi. Madje edhe në ditët tona u lihet amanet të rinjve të mos prekin në rrënoja kishash, t’i ikin babëzisë e vjedhjes së gurëve të kishave apo të kështjellave për themele të shtëpive të reja. “Asht mallkim”, na thonë katundarët me siguri të pakundërshtueshme.
Në disa katunde shqiptarësh myslimanë dëgjuam për filan familje e cila preku nga babëzia (e përdhosi) kishën e moçme, por kurrë nuk u shtua. Mortja ra bi ta, mortja nuk u largua derisa nuk e shoi familjen.
Pjesa dërmuese e banorëve të kësaj krahine nga maja e Kosharës deri të Lugu i Drinit e përtej me të thëna e mbajnë në mend kur u kthyen nga Mati, Mirdita a Malësia e Mbishkodrës, sepse nuk e përballuan egërsinë e pushtuesit osman. Por janë të pakët ata që mbajnë në mend kur e braktisën fushën e Dukagjinit a kodrat pjellore të Hasit për t’u fshehur shkrepave të Malësisë. Kronikat e kishave janë djegur së bashku me kishat. Pushtuesi është kujdesur të mos mbeten gjurmë. Gjatë një muaji, na dolën para vetëm rrënojat.