Albspirit

Media/News/Publishing

Macron, një fenomen politik i pashembullt në Francë

Në Francë, pavarësisht nëse kandidati presidencial i qendrës Emmanuel Macron fiton në balotazhin e së dielës, ai gjithsesi ka arritur diçka që më parë quhej e pamendueshme. Kjo në sajë kryesisht të një fushate ndryshe, të tipit amerikan, me ide nga e majta dhe nga e djathta. Duke u shtuar këtyre ideve një kulturë inovative dhe talentin si njeri i biznesit, Macron ka mundur të krijojë një fenomen politik të pashembullt në Francë.

Pa ndonjë parti të vetën apo ndonjë përvojë fushate, 39-vjeçari Macron doli në krye të raundit të parë të votimit, duke fituar mbi tetë milionë vota dhe duke përmbysur shabllonin politik francez që ka vazhduar prej dekadash.

Pavarësisht sondazheve që e nxjerrin zotin Macron si favorit mbi kandidaten e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, zëdhënësja e fushatës së tij, Laurence Haim nuk mendon se fitorja është e sigurt.

Haim këmbëngul megjithatë se midis dy kandidatëve ekziston një kontrast i fortë.

“Ajo bën shumë selfie dhe i trajton problemet thjeshtë. Nga ana jonë ne vazhdojmë të qëndrojmë në terren. Macron flet shumë me njerëzit dhe përpiqet të kuptojë se çfarë po ndodh me shoqërinë franceze,” thotë zonja Haim.

Kandidatja Le Pen e ka zgjeruar ekipin e saj të fushatës dhe bazën e mbështetjes përtej gardës së vjetër ksenofobe të lidhur me partinë Fronti Kombëtar, kur në krye ishte i ati i saj Jean-Marie.

Ekipi i zotit Macron i paraqet dy kandidatët si përfaqësues të vizioneve të kundërta për botën.

“Do ta bindim popullin francez dhe shpresojmë edhe botën, se ne luftojmë për diçka më të madhe se ne vetë, për demokracinë,” tha zonja Haim për televizionin Associated Press.

Ajo ka punuar për 25 vjet si gazetare në Uashington para se të vendoste t’i hynte politikës në dhjetor të vitit të kaluar, nga shqetësimi se mund të dilte një Donald Trump francez që të përdorte populizmin për të marrë pushtetin.

“Natyrisht që ne e ndjejmë efektin Trump. Mendoj se njerëzit e kandidates Le Pen e kanë parë me shumë kujdes atë që bëri zoti Trump. Ju e dini këtë lloj efekti, që do të thotë të luash me ankthin e klasës së mesme”, thotë Haim.

Që nga fitorja e zotit Macron në zgjedhjet e raundit të parë, zonja Haim nuk pushon së udhëtuari nëpër Francë. Dhe është e sigurt se askush në fushatën e kandidatit Macron nuk fle mjaftueshëm këto ditë.

Kandidati 39-vjeçar, një njeri plot energji, vazhdon të përballojë ritmin raskapitës të fushatës, duke u përpjekur të nxjerrë mësime nga goditjet që ka marrë kohët e fundit gjatë kundërvënieve me rivalen e tij të ekstremit të djathtë.

Please follow and like us: