Albspirit

Media/News/Publishing

Tre arsye pse 18 Qershori është në favor të Lulzim Bashës

Ardit Rada

Ndonëse Edi Rama shprehet gjysmë i bindur për pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e qershorit, kjo e fundit nuk ka dhënë asnjë sinjal pozitiv. Ndoshta ky artikulim në shtim i Ramës ditët e fundit mund ta zhbëjë një pakt politik të arritur përtej politikës që na ofron ekrani. Një pakt ky që as lëshimet e mazhorancës nuk arritën ta bindin Lulzim Bashën në negociatat me dyshen gjermane të ardhur enkas në Tiranën e trazuar prej më shumë se dy muajsh.

Këmbëngulja e kreut të PD për mospjesëmarrje në zgjedhje dhe për mosbindje civile në vazhdim jo detyrimisht tregon një vendim të prerë për aq kohë sa politika ofron surpriza të minutës së fundit sikurse ishte edhe zgjedhja e presidentit të ri. Nga ana tjetër, një sërë faktorësh do ta shpëtonin fatin politik të Partisë Demokratike, në rast se ajo merr pjesë në garën e 18 qershorit.

Së pari, Lulzim Basha ka nisur një fushatë dy muaj përpara mazhorancës dhe afateve të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor. Qëndrimi për mbi 60 ditë në çadër nuk ka sjellë asnjë risi përveç rekordit në kohështrirje të një proteste, por nga ana tjetër ka pasur impakt politik. Kjo formë i ka ofruar Lulzim Bashës një mbulim mediatik të përditshëm, sa herë që ai apo kryetarë të partive në koalicion me të kanë dashur të flasin. Përmes çadrës, Lulzim Basha ka përfshirë në fushatë edhe ish-kryeministrin Berisha ku ky i fundit flet çdo të enjte nga mesi i bulevardit. Në rastin kur PD do të ishte në një fushatë të deklaruar zgjedhore, sigurisht që Berisha nuk do të pranonte të ndiqte mitingjes e Bashës cep më cep. Ndërkohë, çadra i ka ofruar një fushatë më tepër sesa komode Partisë Demokratike dhe partive të tjera opozitare. Kjo pasi atyre nuk u është dashur të organizojnë takime e tubime nëpër Shqipëri, por kanë sjellë elektoratin nga rrethet në çadrën e Tiranës.

Së dyti, zbulimi i listave nga kundërshtarët tashmë ia bën më të lehtë një përballje Partisë Demokratike. Rama është shprehur për një afat 48-orësh që opozita të përfshihet në zgjedhje, çka tregon se ndaj PD-së janë gati të bëhet çdo lëshim nga ana e KQZ-së për afatet. Megjithate, Basha e ka të zbuluar tashmë skuadrën armike çka ia thjeshton garën ku ai mund të zgjedhë se cilin të vendosë përball kujt në çdo qark. Nga ana tjetër, mosangazhimi i një sërë emrash të njohur në PD gjatë dy muajve të çadrës, ia lehtëson kreut të PD pastrimin e listave të tij. Së pari për mospjesëmarrje në protestë dhe së dyti si emra të konsumuar gjatë qeverisjës Berisha. Kjo do ta çonte PD-në në zgjedhje me një skuadër të rinovuar si në emra individësh, ashtu edhë në cilësi. Të paktën Basha ka pretenduar se i ka emrat sa herë që i është përmendur mungesa e burimeve njerëzore në partinë e tij.

Së treti, Partia Demokratike mund ta rrisë stekën e kërkesave në shkëmbim të pjesëmarrjes në zgjedhjet e 18 Qershorit. Pas 3 muajsh fushate, përfshirë edhe afatin zyrtar të Kodit, opozita mund të kërkojë të drejtën e regjistrimit edhe si koalicion. Përmes këtij kushti, PD do të hynte në një garë ku sistemi zgjedhor favorizon koalicionet ndërsa përballë do të kishte 17 parti të tjera që garojnë të shpërqëndruara. Dhe për më tepër, ajo do të gjente një elektorat të demoralizuar nga zhvillimet politike e kryesisht atë të LSI-së.

Tashmë që fushata ka nisur zyrtarisht, Lulzim Basha ka në dorë të tregojë nëse çadra ishte një taktike për të kapur ‘mat’ kundërshtarin në minutën e fundit, apo një rezistencë ndaj Vettingut sikurse është aluduar gjatë. Në rast se është kjo e fundit, askush nuk mund ta shpëtojë Partinë historike Demokratike përveç vetes së saj. PD-në mund ta nxjerrë nga çadra vetë çadra dhe për këtë duhet një lëvizje përtej Bashës dhe Berishës brenda selisë blu.

Please follow and like us: