Albspirit

Media/News/Publishing

Ambasadorja Rudi u shpall “Doktor Nderi” në SHBA

 Ambasadorja e Kosovës në Panama, Zana Rudi, u nderua me Çmimin “Doktor Nderi” nga Universiteti i Gracelandit në Shtetet e Bashkuara të Amerikë, universitet prestigjioz amerikan në të cilin vite më parë i ka përfunduar studimet universitare.

Universiteti i Gracelandit jep çmime nderi për tre motivacione:

  • Për të nderuar një person të merituar që ka dhënë një kontribut të çmuar për shoqërinë.
  • Për të krijuar lidhje ndërmjet një personi me Graceland-in.
  • Për tiu demonstruar studentëve të Graceland-it dhe miqve kualitetet e admirueshme të jetës, të cilat Gracelandi angazhohet t’i kultivojë te studentët.

Dekorata për Ambasadoren Rudi është dhënë për përkushtimin dhe investimin e saj për Republikën e Kosovës, duke përmbushur tri qëllimet për të merituar një doktoratë nderi nga Universiteti i Graceland-it.

Ceremonia e dekorimit u organizua në Universitetin e Gracelandit në Lamoni, Ajova të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Titullin e nderit ia dorëzoi Drejtori i Bordit të Universitetit të Gracelandit, Harry Ashenhurst, në prani të Presidentit të Universitetit, John Sellars dhe Ambasadorit dhe ish-presidentit të Gracelandit, John Menzies, i cili ishte shef i Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë në vitin 2001-2002 dhe ishte përgjegjës për lidhjet Gracelandit në Kosovë, duke ndihmuar shumë të rinj kosovarë për të studiuar në SHBA.

Pas nderimit me këtë çmimin prestigjioz, Ambasadorja Rudi tha se ndjehet jashtëzakonisht e lumtur që një çmim i tillë i jepet në një universitet prestigjioz amerikan ku i është vlerësuar puna, dija si dhe përkushtimi i saj në shtetndërtimin e Kosovës.

“Unë vij nga një vend ku arsimi është pjesë e historisë, e luftës tonë për çlirim dhe sot pjesë e përpjekjeve për të marrë vendin tonë meritor në botë. Gracelandi ka qenë pjesë e rëndësishme e kësaj. Arsimi i një numri të kosovarëve në Graceland University ka qenë investim i rëndësishëm në jetën tonë, por, edhe në atë të shtetit tonë të ri”,theksoi Rudi, duke shtuar se do të vazhdojë të ofrojë gjithë përvojën dhe përkushtimin e saj për Kosovën.

“Më pëlqen të punoj për shtetin tim. Më pëlqen të përfaqësoj vendin tim në misionin e parë në Amerikë Latine. Dhe për këtë falënderoj Universitetin e Gracelandit. Meqë ishte këtu kur për herë të parë u zhyta në çështje të karakterit ndërkombëtar dhe debate dhe kam formësuar opinione dhe pozicione që më vonë kanë qenë të vlefshme për vendin tim”, tha Rudi.

Ajo i falënderoi profesorët e Universitetit të Gracelandit si dhe Ambasadorin Menzies për gjithë ndihmën dhe besimin që ka pasur gjatë gjithë këtyre viteve.

“Më ka ndihmuar edhe duke observuar Ambasadorin Menzies në pune. Ai respektohet në Ballkan për punën etij të shkëlqyeshme dhe është model për mua. Ka punuar shumë për thellimin e marrëdhënieve tona si shtete, si qeveri dhe si familje. Faleminderit Ambasadori Menzies për punën e juaj dhe për besimin që keni pasur në mua ndër vite”, theksoi Ambasadorja Rudi.

/Koha.net/

Please follow and like us: