Foto V. MALO: GJIROKASTRA NË SYRIN E KADARESË
Vështrim letrar, biografik dhe estetik
fragment
“Qyteti i imi dhe i juaji njëkohësisht, më dha mua vizionin e parë të botës, më dha përfytyrimin artistik të saj, më mësoi ta shikoj, ta dëgjoj dhe ta shkruaj rrëmujën e kësaj bote, pamje të saj, dramën e saj”.
Ismail Kadare
PERSONAZHE LETRARE NGA MJEDISI DHE NGA RRETHI FAMILJAR
“Gjirokastra nuk ka banorë po ka personazhe”, u shpreh gazetari Engjëll Serjani. Pra, banorë – personazhe. Mjafton të dish të lexosh mjedisin, të psikologjisësh njerëzit, gjë që e ka bërë me aftësi të mahnitshme I.Kadareja.
Janë lehtësisht të lexueshëm për banorët e qytetit emrat dhe mbiemrat e shumicës së personazheve, por këta bëhen të afërm edhe për lexuesit që nuk i njohën nga afër. Rrallë autor tjetër shqiptar ka mundur të japë një galeri personazhesh kaq simpatikë, plot kolorit individual, aq hollësi në shërbim të përgjithësimeve letrare. Personazhe si: Argjiroja, Doruntina, Roksana, Plaka Nicë, Kako Pino, Dino Çiço shpikësi, xha Avdua, Babazoti, Remziu, etj. janë emra burimorë nga ky mjedis. Po ashtu: Margaritë, Konstandin, Luiza, Diana, Luan, Bardhyl, Bilbil, etj.
Gjejmë në prozën e autorit persona historikë gjirokastritë e më gjerë si: Çerçiz Topulli, Enver Hoxha, Andon Z. Çajupi. Gjejmë persona realë të verifikueshëm si: Evlyia Çelebia, Bilbilenjtë, Thanas Vaja, Pasha Kaurri, Eqerem Çabej, Vasil Laboviti, Musine Kokalari, Dino Çiço, Lame Spiri, Kiço Spiri.
Gjejmë nëpër krijime e shkrime mbiemrat e një vargu familjesh tradicionale gjirokastrite:
Angoni, Topulli, Dobi, Kurti, Kaili, Kashahu, Kardhashi, Fico, Kadare, Hoxha, Çabej, Sinojmeri, Zverku, Çoçoli, Mezini, Pipa, Kokobobo, Kofina, Sheshi, Alemi, Kekezi, Xuano, Ura.
Kopertina e librit “Çëshjte të marrëzisë”
Në librat që flasin ose marrin shkas nga nga mjedisi gjirokastrit gjejmë personazhet: Avdo Bababaramo, Babazoti, Mane Voco, Kako Pinua, Bido Sherifi, Nica, Roksana, Frosa, Patra, Margarita, Vasiliqia, Meri, Xhexhekua, Xhedua, Xhekua, Nazua, plakat e Çorajve, Havaja, Haxhua, Qazimja, Selmaja, Selfixheja, Sosja, Shanua, Hatua, Hançja, Muçua, Çeço Kaili, Basho Sevua, Jorgaqi, Theofani, Qimua, zoti Nasto, dy Qanitë (portieri i kinemasë dhe mësuesi) etj.
Në vargun e personazheve banorë të qytetit hyn edhe greku Argjir Argjiri (Αργύρης Αργυρίου), të cilin e përmend tek romani “Kronikë në gur” si personazh i heramfroditit. Argjir Argjiriu grek erdhi në Gjirokastër nga fronti i Luftës Civile në Greqi, në vitin 1949, jetoi disa vite në qytet, madje edhe u martua.
Familjet gjirokastrite tek autori i gjejmë edhe në trajtë mbiemërore: Angonatë, Topullarë, Selfatë, Dobatë, Çanatë, Mezinatë, Zekatë. Autori krijon emra personazhesh si Gur Çerçizi Çerçizin e gjejmë edhe në trajtën Çeço. Gjejmë në qytet edhe emrin Çerçe, në grua. Në Gjirokastër gjejmë mbiemrin Çeço, kurse në krye të lagjes “Varosh” gjendej që herët mbiemri Çeçi. Çullajt na kujton Përroin e Çullos dhe mbiemrin Çulli, që e gjejmë edhe në Labëri e Lunxhëri.
Emrin Didin në qytet e gjejmë edhe si mbiemër: Didi). Kurse emri Mark (Mark Alemi) nga gjirokastritët nuk përdoret. Përveç Qani Kekezit, me mbiemër ose emër të ndryshuar paraqiten poeti Ramiz Bilbili, Këthë Spiri dhe Lame Spiri, dhe personazhi Jorgo Senica.
Emrit letrar Javer i ngjitet mbiemër tjetër, por ashtu mbiemrit Sinojmeri i paravihet emri Dino. Me saktësi si karakter, por jo plotësisht si emër, është riprodhuar personazhi paradoksal i mësuesit Nasto, i cili ngatërron temat e historisë me grindjet në familjen e vet.
Shumica emrave të personazheve janë të veçantë dhe mbresëlënës edhe përmes efektit akustik.
Në kujtesën e banorëve ruhen mbiemrat që lidhen me krahinat ose fshatra rrotull, si: Mashkullora, Prongjia, Picari, Golemi, Progonati, Çajupi, që lidhen me figura e bëma të ndryshme. Edhe në Dropull gjejmë mbiemrat: Progonati, Terihati, Kadëna, Lengo, Merxhani, Biçaku, Sinani, Gjini dhe Gjoni Në qytet mbiemrat: Gjini, Gjoni, Lengo, Leka, Lani, Kore, Kaçi, Qendro, Kamberi, Peçi, Haxhi, etj. i gjejmë si në familje muhamedane, edhe në të krishtera Përmendim mbiemrin e habitshëm Harbulaj.
Natyrisht, çështja e emërologjisë lokale është mjaft e gjerë dhe e larmishme. P.sh., lexuesi mund të qeshë kur mëson se kanë ekzistuar ose ekzistojnë mbiemra nga fusha e kulinarisë, si: Qofteja, Karkanaqja, Batha, Buka, një varg të tjerë, që lidhen me profesionet tradicionale, deri tek mbiemri administrativ Tarifa.
Rιkthehemi në laboratorin krijues të shkrimtarit:
Në rastin e topçiut Avdo Babaramo, emri real ishte Avdul dhe i takonte një bujku. Kurse Aqif Kashahu ishte këpucar (të cilit E. Hoxha i ri i shpinte këpucë të vjetra dhe i kërkonte të reja…). Aqifi u pushkatua në moshën 37 vjeç, me etiketimin “bashkëpunues i fashizmit”. Në romanin e mirënjohur ai jepet si babai që mbyti në pus vajzën pse humbi nderin, por në të vërtetë është ai që u mbyt…Siç mësojmë e dëgjojmë, me urdhër të prokurorit Subi Bakiri, ai u pushkatua dhe pastaj trupi i tij u hodh në pus.
Dhe ja, tek “Hamleti, princ i vështirë” Aqif Kashahu del si deputet në parlamentin shqiptar në vitin 1924! Në lojën me emrat ose mbiemrat realë autori ka bërë ndryshime për shkaqe etike, por jo gjithmonë, sepse ndoshta niset nga ndonjë simpati apo antipati për një person konkret. Përgjithësisht, në mjedise të ngushta, provinciale, mundësia e ballafaqimit nga lexuesit, kryesisht vendasit, është e madhe dhe e shpejtë, me shqetësime për mjedisin familjar.
Një galeri më vete përbëjnë personazhet realë të familjes e farefisit, një pjesë të të cilëve i përmendim gjatë këtij parashtrimi: Babai, Nëna, Babazoti, Gjyshja, Kakuja, Remziu, hallë Xhemua, Helena, etj.