Kore e Jugut, sistemi anti-raketë, tashmë operacional
Sistemi amerikan i mbrojtjes raketore THAAD, i zhvendosur në Korenë e Jugut, tashmë është në funksion të plotë.
Një zëdhënës i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara deklaroi se THAAD mund të interceptojë nga ky moment raketat e Veriut komunist, duke mbrojtur në këtë mënyrë Jugun.
Por për arritjen e kapacitetit të tij të plotë operacional do të duhen disa muaj kohë. Tensionet janë shtuar ndjeshëm në gadishullin Korean, me kërcënimet e përshkallëzuara të Penianit dhe praninë e një grupi luftanijesh e një nëndetëseje amerikane.
THADD u vendos javën e kaluar në një ish-fushë golfi të provincës qendrore Seongiu, ku ngjalli protestat e banorëve vendas, të cilët e shohin sistemin raketor si shënjestër të mundshme sulmesh dhe një rrezik për njerëzit që jetojnë aty pranë.
Ankesa ka dhe nga Kina, e cila beson se rrezja e veprimit të radarit të këtij sistemi mund të ndërhyjë në sigurinë e operacioneve të saj ushtarake.