Albspirit

Media/News/Publishing

Pas 18 qershorit do të ketë zgjedhje të parakohshme

Moikom Zeqo

Nëse zgjedhjet e përgjithshme politike do të bëhen pa PD në 18 qershor-kushtetutshmërisht nuk ka asnjë pengesë ligjore formale,- atëherë do të krijohet për herë të parë një precedent në këto  26 vjet të tranzicionit dhe të pluralizmit politik.

Një gjë e tillë nuk ka ndodhur më parë. Ky është fakt.

Ekipet e ndërkombëtarëve kanë atributin dhe atunë institucionale të monitorimit të standardeve demokratike të zgjedhjeve të përgjithshme politike. Askush tjetër në rrafshin e integrimit kauzal europian.

Vendimi i PD-së i lidershipit të saj (jo i bazës e elektoratit të djathtë) është bërë në kondita ultimative in extremis, – megjithë përpjekjet e ndërkombëtarëve për ta kthyer luftën politike verbale të opozitës brenda shinave demokratike të Kuvendit,- si dhe të pjesëmarrjes së PD në këto zgjedhje të vitit 2017.

Mospranimi i PD është deklaruar publikisht, duket se i ka mbyllur të tëra portat e mirëkuptimit dhe të kompromisit politik.

Ambasadori amerikan Lu deklaroi se zgjedhje kushtetutshmërisht janë legale dhe të pranueshme.

Bojkoti i zgjedhjeve është i pakuptueshëm juridikisht, por edhe politikisht.

Asnjë parti politike shqiptare nuk e ka përuruar një mohim të tillë, të pashembullt, pavarësisht retorikave dhe narrativës opozitare në kulm -madje antagoniste.

Besoj se zgjedhjet do të bëhen në 18 qershor 2017. Ato i ka dekretuar ish-Presidenti i PD-së, zoti Nishani-as ky nuk pati kurajën ta shkelte në këtë pikë ligjin kushtetues.

Bojkotimi i zgjedhjeve do të rezultojë fatal për PD si partia kryesore opozitare. Nuk do të ketë stimulim nga elektorati i brendshëm, por as nga partneriteti ndërkombëtar, pra PD do të humbasë dy atu të mëdha- sa politike, aq dhe institucionale.

Por mendoj se do ta gjenden forca rregullatore për ta ndryshuar këtë gjendje tejet paradoksale. Mbas një vit qeverisje mund të krijohen kushte të mirëfillta politike për zgjedhje të reja të parakohshme,  një praktikë e tillë ka ndodhur edhe në Perëndim. Por gjithçka flet për vonesat e pajustifikuara dhe papërgjegjshmërinë proverbiale.

Precedenti i PD-së nuk të çon asgjëkund. Fare mirë që partia kundërshtare PS mund ta përdorë këtë precedent (që unë mendoj nuk do ta përdore kurrë) për një lojë kungulleshkash për shkatërrimin e juridicitetit e ligjit kushtetues të zgjedhjeve të përgjithshme politike.

Përfundimisht duhet hequr dorë nga një marrëzi e tillë-që dëshmon për një klasë parapolitike dhe jo për një klasë politike të emancipuar.

Absolutisht nuk ka situata ngërçi të pazgjidhshme-përkundrazi. Por kjo histori nuk do të harrohet aq kollaj si relike e muzeut të marrëzive erazmike të demokracisë së brishtë shqiptare.

Po çdo vendim që do të merret nga partitë politike shqiptare do të artikulohet domosdo nga gramatika e integrimit dhe e ndërkombëtarëve në pikëpamje universale të standardit dhe të ardhmërisë.

Please follow and like us: