Albert Çaçi: Pse Merkel vizitoi Putinin?
Kancelarja gjermane Angela Merkel vizitoi Vladimir Putin në Sochi të Rusisë.
Duhet theksuar që kjo vizitë u bë në një kohë kur marrëdhëniet dypalëshe janë në pikën më të ulët që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë. Herën e fundit që Merkel ka vizituar Moskën për takim bilateral ka qenë viti 2013. Kriza e Ukrainës që nisi në shkurt të 2014-s i përkeqësoi ndjeshëm këto marrëdhënie.
Faktikisht, në këto 3 vjet, Merkel e ka takuar Putinin në disa takime ndërkombëtare shumëpalëshe si, në G-20 në Stamboll apo në Sidnej ose në takimet e formatit të Normandisë për çështjet e Ukrainës.
Ajo ka bërë një vizitë kortezie disaorëshe në Moskë më 10 maj 2015, një ditë mbas paradës përkujtimore të 70-vjetorit të fitores mbi nazizmin, duke refuzuar ftesën për pjesëmarrje më 9 maj në shenjë proteste për ngjarjet në Ukrainë dhe në veçanti për Krimenë.
Ngrirja e konfliktit në Ukrainë, situata e turbullt ndërkombëtare, me problemet e terrorizmit dhe refugjatëve, embargua e tejzgjatur kundër Rusisë, zbarkimi i tankevë ”Leopard-2” dhe avionëve ”Eurofighter” gjermanë në Lituani e Estoni në kuadër të NATO-s, për herë të parë që nga viti 1944 si dhe kundërpërgjigjja shumë e rrezikshme ruse më vendosjen në Kaliningrad pranë kufirit të Polonisë të raketave të frikshme ”Iskander” me rreze të mesme veprimi që mbulojnë edhe Berlinin, për 5 minuta kanë bërë të mundur që momenti për një ballafaqim të pikëpamjeve me Putinin nuk mund të shtyhej për më vonë.
Por më saktësisht, përse shkoi Merkel tek Putini?
Së pari,
Në mënyrë formale, në qershor do të mbahet në Hamburg takimi i G-20, ku përgatitja sa më e mirë e këtij takimi të rëndësishëm botëror është një përgjegjësi direkte e Merkel si kancelare e vendit organizator.
Aq më tepër që këtu pritet edhe takimi për herë të parë i Trump me Putinin.
Së dyti,
Marrëdhëniet ndërkombëtare janë në situatën më të komplikuar, jo vetëm gjatë qeverisjes së Merkelit, por edhe të 25 viteve të fundit.
Gjermania praktikisht është liderja absolute e BE. Mbas largimit të Britanisë nga BE dhe mbas situatës kaotike në Francë, ku kushdo që do të fitojë, Franca do të jetë shumë e dobësuar nga problemet e brendshme dhe ku Italia dhe Spanja në kriza permanente politike dhe pa qeveri të forta politikisht, roli i lidershipit gjerman në Evropë, jo vetëm që pranohet, por edhe kërkohet me ngulm nga të gjithë.
Nga ky kontekst, Gjermania konstaton se roli i Evropës në botë është në një zvogëlim progresiv, duke arritur pikën më të ulët që nga krijimi i BE-së.
Fitorja shokuese dhe e papritur e Trump , politika e tij e “First America” që ka komplikuar së tepërmi marrëdhëniet BE-SHBA, por edhe brenda NATO-s, takimi i fundit jo i kënaqshëm më të në Shtëpinë e Bardhë, për shkak të pozicioneve të ndryshme në shumë pika, sulmi i papritur në Siri, pa u konsultuar më parë më evropianët, dyshimet se pavarësisht gjuhës së kazermës që përdorin në publik SHBA më Rusinë – nën rrogoz ka një marrëveshje që e ka mjegulluar edhe më shumë rolin e Evropës në botë.
Merkel mendon se kishte ardhur koha që Evropa, për të qenë një faktor i rëndësishëm në botë, duhet të përmirësojë marrëdhëniet më Rusinë nisur në radhë të parë edhe për interesat e saj, sidomos në luftën kundër terrorizmit dhe problemet e refugjatëve, duke kontribuar së bashku në zgjidhjen e krizave, sidomos ato në derë të Evropës.
Së treti, kriza në Ukrainë.
Situata në këtë vend vazhdon të jetë e nderë. Optimizmin e madh për një rrugëtim triumfues të Ukrainës drejt integrimit evropian e ka zënë pesimizmi. Nuk e kishin parashikuar se të reformoje Ukrainën do të ishte një problem kaq i madh dhe i vështirë. Ukraina ka një tkurrje të frikshme të ekonomisë, ku GDP-ja në tre vjet ka mbërritur në 90 miliard dollarë nga 150 miliard që ishte para konfliktit, për shkak edhe të humbjes së tregut rus ku kishte 70% të eksportit të saj.
E zhytur në korrupsion, ku reformat kanë ngecur dhe ekonomia në një proces deindustrializimi të përshpejtuar është në prag falimentimi. Pjesa lindore e vendit që jepte 21% të GDP-së është në duar të rebelëve prorusë që praktikisht e kanë ndërprerë çdo lloj marrëdhënieje furnizimi, sidomos me qymyr, dhe që po e çojnë industrinë e rëndë ukrainase drejt zhdukjes përfundimtare. Mijëra ukrainas nga 43 milion banorë që ka ajo po synojnë t’ia mbathin drejt Evropës (vetëm në Poloni kanë mbërritur qindra mijëra) që në vetvete është e tmerruar nga dyndjet afrikane e siriane. Pa folur këtu për mbi 2 milionë ukrainas nga pjesa lindore që kanë ikur në Rusi.
Marrëveshja e Minskut ka ngelur në letër, pasi asnjë nuk po e zbaton dhe Rusia ka nisur të zbatojë ashtu si për Gjeorgjinë teorinë e ”konfliktit të ngrirë”.
Nga ana tjetër, Trump e ka bërë të qartë së SHBA-të nuk kanë ndërmend të luftojnë për Ukrainën, bile nuk kanë as dëshirë të hedhin para për të. Administrata e re ka reduktuar me 70% ndihmat financiare për të, duke bërë të qartë së për Ukrainën duhet të paguajë Evropa.
Një gjë është e vërtetë: Evropa vazhdon të paguajë një kosto shumë të lartë në terma financiarë për një Ukrainë të dështuar dhe me një konflikt të hapur ushtarak që mund t’i vërë flakën edhe vetë Evropës.
Dhe këtu ajo që paguan më shumë financiarisht është Gjermania, që nuk mund ta bëjë këtë pafundësisht. Prandaj një zgjidhje afatgjatë për Ukrainën më shumë nga të gjithë i intereson Gjermanisë, por duke qenë koshientë se kjo nuk realizohet pa Rusinë, lind nevoja e një bashkëpunimi më Putin.
Së treti, problemi i Sirisë
Gjermania është shumë e shqetësuar për konfliktin në Siri, ku për pasojë mbi një milion sirianë u dyndën në Gjermani dhe Evropë gjatë vitit 2016. Gjithashtu, ajo është shumë e nervozuar me Erdoganin dhe politikat e tij ambigue në këtë çështje që shpesh kërcënon Gjermaninë me vershime të tjera në qoftë se nuk paguan për mbajtjen e tyre.
Kështu që, një ballafaqim të pikëpamjeve me Rusinë që mbas ndërhyrjes ushtarake në 2015-n ndryshoi rrjedhën e luftës dhe është kthyer në faktorin kryesor në zgjidhjen e krizës siriane dhe bashkë më të edhe problemin e refugjatëve nga ky vend – do të ishte me shumë interes për Merkel, aq më tepër që kjo është një temë shumë e nxehtë në fushatën e ardhshme elektorale.
Së katërti, problemet ekonomike.
Gjermania është lider botëror për eksport, me një GDP prej 3,8 triliard dollarësh (në terma nominalë) dhe një surplus në eksport për 2016 në 310 miliard dollarë, duke kaluar edhe vetë Kinën. Ekonomia ruse, me një GDP në terma nominalë prej 2.2 triliard dollarë ( 3.9 triliard dollarë në terma PPA) ishte një treg me shumë leverdi, kur kapitali gjerman kishte investuar rreth 20 milard dollarë vetëm në 10 vitet e fundit, kështu që embargua dëmtoi shumë shkëmbimet tregtare midis dy vendeve, duke i zbritur ato në 40 miliard dollarë në vit.
Por ajo që ishte më e çuditshme se për herë të parë, vendosja e embargos dëmtoi më shumë ata që i vendosën se ata që e pësuan. Ekonomia ruse u zvogëlua më 3.5% në 2015 dhe tani është në rritje 1%, por shumë ekonomistë mendojnë se kjo erdhi më shumë për shkak të uljes së çmimit të naftës sesa për pasojë të embargos.
Ekonomia ruse ka një strukturë të veçantë. Eksportet e gazit për Evropën, jo vetëm që nuk u ndalën, por edhe u rritën më 16% për shkak edhe të rritjes së konsumit të tij nga dimrat e fundit shumë të ftohtë.
Po kështu, tregtia e armëve është rritur ndjeshëm, ku Rusia ka siguruar një portofol kërkesash prej 50 miliard dollarë për 5 vitet e ardhshme falë edhe performancës ushtarake në Siri. Në eksportin e grurit Rusia është bërë lider botëror, ku për shkak të prodhimeve rekord të 2 viteve të fundit ka kaluar edhe prodhimin e BS, megjithëse 16% më pak territor për shkak të shpërbërjes së tij.
Meqenëse SHBA ka një shkëmbim minimal tregtar më Rusinë, ajo që e ndjeu më shumë ishte Evropa. Kështu, vetëm Italia, për shkak të embargos, humb 3,6 miliard dollarë në vit në shkëmbimet tregtare me Rusinë.
Kështu që, gjetja e një rrugëdaljeje nga kjo situatë ishte një nga shqetësimet e Merkel.
Por çka iu kushtua një rëndësi e veçantë ishin problemet e furnizimit më gaz nga Rusia dhe sidomos ndërtimi i gazsjellësit North Stream 2, që ka shumë kundërshtime nga Ukraina, që humbet 2 miliard dollarë ngaqë Rusia ka vendosur që mbas 2019-s të ndërpresë transitin nëpërmjet Ukrainës. Pikërisht ndërtimi i këtij gazsjellësi është pika ku interesimi i Putin ishte maksimal.
Në fakt, Gjermania kërkon me insistim ndërtimin e North Stream 2 dhe është duke debatuar shumë ashpër më Poloninë Ukrainën dhe vendet balltike për tri arsye,
Gjermania, si ekonomia më e zhvilluar evropiane ka marrë një vendim që deri më 2021 të ndalojë gjithë centralet më qymyr dhe mbi të gjitha ato atomike të vendit dhe gjithë energjia të prodhohet nga termocentralët me gaz e naftë, kështu që nuk mund të lejojë vendet e tjera të vënë në diskutim sigurinë energjetike, që është zemra e ekonomisë gjermane sidomos asaj mekanike dhe kimike.
Aq më tepër që burimet alternative, sidomos ato norvegjeze nga Deti i Veriut, po zvogëlohen me shumë shpejtësi dhe Rusia (BS) që nga viti 1967 që ka nisur eksportin e gazit në Gjermani, ka qenë një furnizues shumë i sigurt në një marrëdhënie shumë korrekte dhe fitimprurëse për të dyja palët.
A-I një rëndësie strategjike është edhe fakti që të dy gazsjellësit Nord Stream 1 dhe 2 që lidhin direkt nëpërmjet Detit Balltik Gjemaninë me Rusinë me kapacitet 110 miliard metër kub në vit, do të furnizohen për 30 vitet e ardhshme nga vendburimi gjigant më i madh në botë me një rezervë potenciale prej 26 triliard metër kub gaz, ai i Jamal në veri të Rusisë.
B- Bëhet fjalë për një bisnes prej milarda dollarësh që kompanitë gjermanë BASF dhe W-ON si dhe anglo-hollandezja SHELL dhe austriakja OMW nuk mund ta lënë t’u ikë nga duart aq më tepër kur Kina nëpërmjet ndërtimit të gazsjellësve “Power of Siberia” dhe ”Altaj” si dhe investimeve të miliardave në shfrytëzimin e Jamal po synon të furnizohet nga ai, megjithëse rusët japin garanci se Jamal mund të furnizojë në dy drejtimet, si në Evropë ashtu dhë Kinë.
C- Mbas vitit 2019 Rusia do të ndërpresë tranzitin e gazit nga Evropa Lindore dhe dy portat hyrëse në Evropë do të jenë Gjermania në veri nga North Stream dhe Turqia porta jugore me Turk Stream.
Kështu që, për Gjermaninë të kontrollojë furnizimin me gaz në gjithë Evropën Veriore dhe Qëndrore kur parashikohet që përdorimi i gazit deri në 2025 do të rritet me 30%, merr edhe një peshë politike të rëndësishme.
Së pesti,
Në shtator, në Gjermani do të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe Merkel kandidon për herë të katërt. Këto zgjedhje do të jenë ato më të vështirat për të, ku sondazhet e japin pothuajse në ekuilibër me rivalin socialdemokrat Shulz.
Ka një enigmë të madhe për rezultatin e AFD-së, partia populiste e ekstremit të djathtë, që kandidon për herë të parë dhe që merr vota nga e djathta. Në radhë të parë, Merkel kërkoi nga Putini që të mos përzihet në zgjedhjet gjermane.
Është krijuar një mit ndoshta i rremë apo i vërtetë, që Putini ka ndikuar në zgjedhjen e Trump dhe këtë mund ta synojë edhe në Gjermani. Ka realisht një frikë shumë të madhe, duke u nisur nga debati shumë i ashpër që po zhvillohet në SHBA për rolin e Putinit në zgjedhjet e fundit presidenciale.
Në fakt, Gjermania, në raport me vendet e tjera të perëndimit, ka një veçori. Një pjesë e Gjermanisë Lindore ( ish-DDR) ka rreth 5 milion banorë që flasin rusisht për shkak të historisë së shkuar 40-vjeçare. Gjithashtu, në sondazhet e fundit, rreth 35% e elektoratit është kundër sanksioneve ndaj Rusisë, 36% për t’i kufizuar ato dhe vetëm 18% janë për t’u mbajtur në fuqi –kjo për shkak së efektet e embargos ndihen më shumë ekonomikisht.
Dhe një pozicion intrasigjent ndaj Rusisë nga ana e partisë së Merkel mund të ketë efekt jo të vogël elektoral, kur këto zgjedhje do të ndahen me një rezultat shumë të ngushtë. Kështu që, një përqasje më pak konfrontuese më Rusinë do ishte e këshillueshme në terma elektoral i sugjerojnë ekspertët e Merkelit. Si konkluzion, vizita e Merkel tek Putini synoi një lloj shtensionimi të marrëdhënieve të bllokuara ndërmjet dy vendeve ndoshta më të rëndësishme evropiane, si në terma politikë, ekonomikë dhe ushtarakë.
Koha do të vërtetojë nëse ky takim i dha një shtysë në drejtimin pozitiv këtyre marrëdhënieve që janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për dy vendet, por dhe për gjithë Evropën dhe pse jo, edhe për ekuilibrat botërorë.
Por një është e sigurt, që vendi më i zhvilluar ekonomikisht dhe teknologjikisht ndoshta në botë, që ka nevojë jetike për lëndë të parë dhe vendi tjetër i pafund me burimet natyrore më të mëdha në botë nuk mund ta mbajnë kokën mënjanë për shumë kohë ndaj njëri-tjetrit me gjithë luftërat dhe dashuritë që kanë kaluar në këta dy shekujt e fundit. Pasi politika, në fund të fundit, është një shprehje e koncentruar e ekonomisë.
Këtë ka treguar deri tani historia e këtyre dy vendeve dhe nuk ka arsye të mos ta dëshmojë edhe në të ardhmen.