Jorgo BLLACI: EJA KENGA IME
Eja kënga ime, s’kemi ç’rrimë
Mes kësaj rrëmuje pa kuptim,
Vrasësi ku hiqet për viktimë
Dhe viktimës i kërkon shpagim.
Ku të përdhunuarat gjykohen,
Me të rrugës ligj nga prostitutat,
Ku të marrë e t’urtë përgojohen
Dhe servilët, porsi minj nga skutat
Dalin, rrahin gjokset dhe mburren
Se luftuan vrimash si heronjtë,
Kuajve të ngordhur tek u turren
Për t’Iu hequr me tërbim patkonjtë.
Ku gjithkush klith e shfryn paprerë
Me një duf që, mëshirona, o Zot!
Eja, këngë e dashur! Kaq poterë,
Unë e ti nuk e durojmë dot,
Se jo pakëz jeta na ka vrarë…
Ndaj, le t’ikim ku s’na sheh njeri:
Ndoshta larg, në pyjet magjistarë
Do të gjejmë prehje, qetësi!..
———
Jorgo Bllaci u lind më 1938 në Gjirokastër. Ai studioi për Gjuhë-Letërsi Shqipe dhe ka punuar së pari mësues e pastaj përkthyes. Pas burgimit për arsye politike më 1964-1967 Bllaci u detyrua të punojë si punëtor ndërtimi. Më 1990 u kthye përsëri në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Ai është autor i disa vëllimeve me poezi, ndër të cilat “Ligjërimet e Pyllit”(1964) dhe “Epika e trëndafilave”(1990). Gjithashtu ka shqipëruar vepra poetike autorësh të njohur, si Shevcenko, Pushkin, Esenin, Gëte etj si dhe vepra në prozë, midis të cilave romanet “Rudini” dhe “Ujrat pranverore” të Turgenievit, si dhe disa libra me poezi për fëmijë”.