Lëvizje në polici, largohen drejtues të lartë
Lëvizjet në rradhët e policisë së shtetit kanë vijuar edhe pas shkarkimit të 29 drejtuesve të lartë javën e kaluar.
Top Channel ka arritur të zbardhë disa prej këtyre lëvizjeve dhe emërimeve të reja ku bie në sy shkarkimi i drejtorit të parandalimit të krimit Skënder Kalemi, i cili është një prej zyrtarëve që ka marrë pjesë së bashku me ekspertët ndërkombëtarë, në hartimin e strategjisë kombëtare kundër kultivimit të kanabisit.
Në vend të tij, është emëruar Albert Dervishaj i cili më parë mbante postin e shefit të rendit publik. Ky i fundit është zëvëndësuar nga Gëzim Zhupaj, ish drejtor i kufirit në Vlorë ndërkohë që drejtor i policisë rrugore është komanduar Skënder Ismaili, pas largimit të Ardi Veliut i cili mori drejtimin e policisë së Tiranës.
Në krye të repartit special Delta Force është emëruar Artur Selimi i cili zë vendin e Albert Nushit që mori drejtimin e policisë së Fierit. Lëvizjet e fundit kanë shkaktuar pakënaqësi në rradhët e uniformave blu.
Ish drejtori i policisë së Tiranës Ervin Hodaj mësohet se ka refuzuar të drejtojë sektorin e sekretarisë dhe protokollit në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit. Edhe disa ish-drejtorë të tjerë, që i janë propozuar emërime në sektorë “parazitarë” mësohet se i kanë shprehur pakënaqësitë për këto lëvizje, kryepolicit Haki Çako i cili ka firmosur lëvizjet e tyre.