Ardian KYÇYKU: Edhe një lloj ringjalljeje
”Ndër shkrimtarët shqiptarë, Kuteli është i pari që vetëdijësohet mbi synimin e letërsisë për të ruajtur Kujtesën dhe për të mbajtur sa më gjatë në (për)jetë njerëz e ngjarje që i duken thelbësore. Pó ai solli së pari në letrat shqipe atë që mund të emërtohet realizëm mistik, i gërshetuar me paralelizmin historik: një gjueti poetike e reales brenda magjisë dhe e magjikes brenda realitetit (ngjarje me të vdekur e të gjallë, që takohen nëpër dasma, bisedojnë; me hazna të fshehura nën tokë, me magji e bestytni, me kohë që relativizohet në varësi të dendësisë së ngjarjeve, me botë që herë përplasen e herë shkrihen në një ndërjoshje rrënqethëse) – dhe hapjen e bravave të historisë së sotme me çelësat e së shkuarës. Kuteli shkoi deri në cakun nga ku për Mërgimin do të mund të shkruhej edhe metaforikisht dhe ku Mërgimi nuk do të shihej më vetëm si një tragjedi që gjymtonte e mpinte fatin e një populli, por edhe si një lloj ringjalljeje (e dhimbshme dhe e dhimbsur) për letërsinë.
Temat e Kutelit mbi shkretinë që sjellin luftrat dhe gjakmarrjet, mbi kalbjen e brendshme të pushtetit që del binarësh, mbi shijen përmallëse të fëminisë dhe të një jete palcërisht[1] shqiptare (shih edhe ‚Lugetërit e fshatit tonë‘ – njefarë twilight zone, ose bëmat e botës fqinjë, që shpesh bën fole brenda nesh, apo ‚Gjonomadhë e Gjatollinj‘[2] – zinxhiri i gjakmarrjeve dhe i pajtimeve, nxitur e zgjidhur nga gruaja, në një shoqëri ku tepria e mashkullores burrëzon, jo burrëron, gruan dhe rrënon burrin nga shumë pikëpamje) u rimorën dhe u përdorën më pas nga disa autorë me emër të realizmit socialist, duke u shërbyer këtyre si alibi ideore e stilistike përballë paranojave të diktaturës”.
[1] Fjalë e përdorur fillimisht nga Lasgush Poradeci në kujtimet rreth Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, Vepra Letrare…, Tiranë, 1990, vep. cit.
[2] Mitrush Kuteli, Tregime të zgjedhura, STZ, Tiranë 1972, dhe Ago Jakupi e të tjera rrëfime, Pronjë letrare, Tiranë 1943.
[Fragment nga Prof.dr. Ardian Kyçyku, Trialog [Ese ndërdisiplinore mbi lidhjet e letërsisë me mërgimin dhe me gjuhët që ajo zgjedh për të ruajtur Kujtesën dhe Metaforën], Kapitulli Gjuha e Trojeve, trojet e Gjuhës, nënkapitulli Sa atdhe mund të jetë një gjuhë dhe anasjelltas, Librarium Haemus, Bukuresht 2016].
Please follow and like us: