DASH kundër bojkotit të opozitës: Të gjitha partitë të marrin pjesë në zgjedhje
Pas bojkotit të opozitës në zgjedhjet e pjesshme në Kavajë por edhe ato të përgjithshme në 18 qershor, kanë qenë të shumtë ndërkombëtarët që i kanë bërë thirrje liderit të PD Basha që të heqë dorë.
Edhe Nënsekretar i Shtetit për Çështjet Politike Thomas A. Shannon ka bërë thirrje që të gjithë partitë politike të marrin pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit.
Duke folur ne emër të Departamentit Amerikan të Shtetit, Shannon theksoi rëndësinë që të gjitha partitë politike në Shqipëri të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Në emër të DASh, ambasadori Shannon theksoi rëndësinë që të gjitha partitë politike në Shqipëri të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, shkruhet në njoftim.
Më herët edhe zyrtarë të PPE, të ambasadës së SHBA, BE, OSBE, Britanisë Madhe kanë bërrë thirrje që të përfundojë bojkoti, e Basha të kthehet në Kuvend, të votojë Vettingun si dhe të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit.
Njoftimi i plotë
“Aktiviteti diplomatik në SHBA ka qënë mjaft i ngjeshur në 100 ditët e qeverisjes së re amerikane. Një numër takimesh dhe vizitash të dyanëshme të zhvilluara gjatë kësaj periudhe i kanë dhënë një shtytje të re këtyre marrëdhënieve, sidomos në fushat me interes afatgjatë për sigurinë dhe mirëqenien e të dyja vendeve. Gjatë kësaj periudhe u konsolidua partneriteti strategjik mes SHBA-së dhe Shqipërisë.
Shtëpia e Bardhë përmes Zëvendës-Këshilltares së Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, K.T. McFarland, rikonfirmoi mbështetjen e fortë të SHBA-së për jetësimin e reformave në fushën e sundimit të së drejtës dhe në veçanti përpjekjet e Shqipërisë për jetësimin e reformës në drejtësi, si reforma jetike për vendin. Departamenti i Shtetit gjithashtu rikonfirmoi partneritetin e ngushtë, mbështetjen e fortë të SHBA-së për përpjekjet e reformës gjyqësore në Shqipëri dhe angazhimin e përbashkët ndaj vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Në emër të DASh, ambasadori Shannon theksoi rëndësinë që të gjitha partitë politike në Shqipëri të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Senati Amerikan ka një numër të vogël komitetesh, dhe Komiteti për Çështjet Shqiptare është një prej tyre, i rivitalizuar në mars të këtij viti nga Senatorët Gary Peters dhe Joni Ernst. Së bashku me Komitetin për Çështjet Shqiptare në Kongresin Amerikan, të drejtuar nga Kongresmenët Eliot Engel dhe Robert Aderholt, këto komitete janë avokatë të fortë të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona në të gjitha fushat.
Vizitat e Ministrit Bushati dhe takimet e tij në nivelet më të larta të ekzekutivit dhe të dhomave të përfaqësimit, aktivitetet publike dhe një numër takimesh me aktorë të ndryshëm të mendimit politik, janë një tregues i thellimit të këtyre marrëdhënieve. Vizia e Senatorit John McCain në Shqipëri si dhe vizita se afërmi e një grupi kongresmenësh të Komisionit të Drejtësisë në Tiranë, drejtuar nga kongresmeni Bob Goodlatte, i japin një dimension të ri këtij bashkëpunimi të hershëm.
Në vijim një kolazh fotosh nga takimet dhe aktivitetet e këtyre 100 ditëve”.