Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë ligjin e ri të kujdesit shëndetësor
Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane pritet të votojë sot legjislacionin që do të anulojë dhe zëvendësojë Ligjin për Kujdesin e Përballueshëm Shëndetësor, të njohur ndryshe si “Obamacare”. Udhëheqësit republikanë thonë se kanë arritur vetëbesimin e duhur dhe mbështetjen për ta miratuar ligjin e ri, i cili dështoi gjatë përpjekjes së parë në muajin mars.
Udhëheqësit republikanë, së bashku me Presidentin Donald Trump, kanë punuar gjithë këto ditë për të bindur ligjvënësit të miratojnë projektligjin për Kujdesin Shëndetësor Amerikan.
Kjo përpjekje fitoi terren dje, kur dy republikanë të moderuar njoftuan mbështetjen e tyre pasi u ra dakort se do të ofrohen rreth 8 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme për të ndihmuar personat me sëmundje ekzistuese përpara hyrjes në fuqi të sigurimeve të reja shëndetësore.
“Presidenti ka qenë vazhdimisht në telefon. Nënpresidenti, shefi i stafit dhe anëtarët e ekipit legjislativ kanë kontaktuar ligjvënësit, kanë biseduar, kanë dëgjuar shqetësimet e tyre dhe mendoj se kemi arritur një projektligj fantastik i cili do të zëvendësojë programin Obamacare që po dështon. Këtë kemi synuar të arrijmë që në fillim”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.
Detyrimi i kompanive për të ofruar siguracion ndaj të sëmurëve ishte një pjesë thelbësore e programit të kujdesit shëndetësor të Presidentit Obama, që arriti t’u japë siguracion 20 milionë amerikanëve të pasiguruar. Republikanët e kundërshtojnë me forcë këtë program, duke e konsideruar si shumë të kushtueshëm dhe se i shtrëngon njerëzit të blejnë siguracion duke i ndëshkuar në të kundërt me gjoba gjatë pagesës së taksave.
Megjithë fondin e shtuar për të ndihmuar të sëmurët aktualë, udhëheqësja demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, thotë se ligji i ri “do t’u pamundësojë miliona amerikanëve mbulimin shëndetësor që u nevojitet”.